I dyshuari i parë për vrasjen e 14 vjeçares, Palevski është arrestuar në Turqi, Spasovski pret ekstradim të shpejtë (VIDEO)

I dyshuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit, Lupço Palevski Palço i cili ndodhej në arrati, është arrestuar sot në Turqi. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, në një konferencë për media njoftoi se, Palevski ka qenë në “listë të kuqe”, ndërsa informatat i kanë marrë përmes inteligjencës operative, transmeton Portalb.mk.

“Sapo është marrë njoftimi nga kolegët nga Turqia miqësore se kreatori, planifikuesi, koordinatori kryesor dhe autori direkt i këtyre veprave penale është kapur dhe është privuar nga liria në territorin e tyre, në mënyrë identike me njohuritë tona rreth lëvizjes së të dyshuarit. Kjo ishte edhe hallka e fundit e këtij akti të tmerrshëm e cila na mungonte që të themi se kemi përfunduar gjithçka që ishte në kompetenca të MPB-së që të demaskojmë tërësisht këto autorë mostruozë të kësaj vrasje në mënyrë të egër”, tha Spasovski.

Spasovski ka sqaruar para mediave trajektoren e lëvizjës së Palevski, që nga arratisja e tij nga vendit. Sipas tij, ai ka lëvizur nga Beogradi përmes Serbisë dhe Bullgarisë në Turqi.

“Palevski nga Shkupi me avokatin e tij, me veturën e tij skoda superb, ka arritur në Beograd. Aty ka fjetur në një hotel. Ditën vijuese e ka marrë një person tjetër nga Shkupi me xhip Rang Rover dhe përmes vendkalimit kufitar Gradina ka hyrë në Bullgari, pas çka ka shkuar në Turqi, në qytetin Balikesir. Policët tanë bien në kontakt me burimin e tyre operativ, ndërsa ky person i ka informuar se prej aty ka dashur të largohet në Stamboll. Përgatitet dhe me taksi duhej të shkonte në Stamboll. Ka simuluar shkuarjen në Stamboll. Sot pasdite është arrestuar nga policia turke derisa ishte duke ecur në këmbë nëpër qytet”, sqaroi Spasovski.

Personi që ka transportuar Palevskin nga Beogradi në Bullgari është arrestuar në kufi dhe është ende në stacion policor.

Ai tha se tani, procedura e ekstradimit të Palevskit është në duar e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa më pas ai do të dalë para organeve të drejtësisë. Spasovski pret që procedura e ekstradimit të kryhet shpejtë.

“Drejtësia është vetëdije, jo personale por e gjithë shoqërisë. Për këtë, drejtësia duhet të jetë e shpejtë dhe e zbatuar plotësisht”, tha Spasovski.

Ministri informoi se, në rrethinën e Shkupit janë gjetur dy pistoleta që lidhen me vrasjen e Vanja Gjorçevskës, të cilat janë pjesë e hetimit. Ai shtoi se, për katër të dyshuarit, veç më është ngritur kallëzim penal, në vëllim prej 100 faqesh.

Ndaj një personi është ngritur kallëzim penal për rrëmbim dhe vrasje, ndaj tre për rrëmbim dhe bashkëpunim në vrasje dhe ndaj një për ndihmë në rrëmbim. Rasti i ka kaluar Prokurorisë Publike.

Ndërkaq, sot më herët, Prokuroria Themelore Publike ka propozuar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup 48-të orë paraburgim ndaj shkupjanit 46 vjeçar në lidhje me rastin tragjik ku ndërroi jetë 14 vjeçarja, Vanja Gjorçevska.

Ai dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, bazuar në të dhënat e Byros për Siguri Publike, Sektori për bashkëpunim policor ndërkombëtar të dorëzuara në SPB Shkup.

Raportohet që ai tashmë është arrestuar dhe punonjësit e policisë kanë kryer bisedë informative në lidhje me rastin. Ai dyshohet se me veturën Land Rover ka ndihmuar të largohet nga Bullgaria në Turqi, Lupço Palevskin – Palçon, të dyshuarin e parë për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gorçevska dhe 74 vjeçarit Pançe Zhezhovski.

Ndryshe, për këtë rast janë në paraburgim edhe katër persona, mes tyre edhe babai i Vanjës, i cili dyshohet ka dhënë informacion se kur vajza do të shkojë në shkollë mëngjesin e 27 nëntorit dhe se do të jetë vetëm, pra pa motrën. Nga ana tjetër tre të tjerët kanë pranuar krimet dhe kanë dërguar policinë në vendin e vrasjes. Atyre iu mbaron paraburgimi 48 orësh dhe gjykata pritet ta zgjasë sonte.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti ka lidhje me zhdukjen e Vanjës.