Pendarovski: Lufta kundër korrupsionit në mënyrë më efikase zhvillohet kur shteti është i fokusuar në eurointegrime

Presidenti Stevo Pendarovski sot në Shkup foli në konferencën e gjashtë plenare të Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE-MK), me temë “Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian: Vlerat themelore shoqërore për të ardhme evropiane”. Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski theksoi se thelbi apo arsyetimi i integrimeve është ngritja e sundimit të ligjit si vlerë supreme në shoqëri dhe shtet, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit, jo vetëm në rastin tonë, bëhet më efektive kur shteti është i fokusuar në integrimet evropiane, transmeton Portalb.mk.

Prandaj, sipas presidentit Pendarovski, as konteksti gjeopolitik, as kriza ekonomike apo energjetike, as bllokimet integruese nuk duhet të na defokusojnë nga ky synim.

“Këto ditë, siç e dini, ka përfunduar skriningu për shkallën e përputhshmërisë së legjislacionit maqedonas me atë evropian. Ne presim që në këtë proces të diagnostikohen me vendosmëri të gjitha të metat dhe mangësitë e sistemit tonë dhe të jepet një udhërrëfyes për të ardhmen. Megjithatë, konkluzioni i përgjithshëm është se nuk është bërë mjaftueshëm për kapitullin kyç – sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, të cilat janë alfa dhe omega e integrimit evropian”, tha Pendarovski.

Ai shtoi se negociatat fillojnë dhe përfundojnë me to, sepse ato kalojnë fjalë për fjalë në çdo sferë. Së fundmi në raportin e Komisionit Evropian thuhet se nuk kemi bërë asnjë progres në këtë fushë. Dhe aty ku nuk sundon ligji, tha presidenti, sundon paraja.

“Me sa duket, gjuha e korrupsionit flitet mjaft shpesh në vendin tonë. Sipas sondazhit të opinionit publik të kryer nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të paktën një e treta e qytetarëve maqedonas kanë qenë të ekspozuar ndaj presionit korruptiv gjatë vitit të kaluar dhe për fat të keq, sipas të njëjtës anketë, këtë gjuhë e “flet” edhe një e katërta qytetarët tanë që iu nënshtruan presionit dhe hynë në një transaksion korruptiv parash, lidhjesh dhe ndikimi. Në të njëjtën kohë, nuk po flasim vetëm për shuma të mëdha, por edhe për shuma të vogla, në dukje të papërfillshme. Mirëpo, korrupsioni është korrupsion, pavarësisht nëse është 500 denarë apo 500.000 denarë”, tha Pendarovski.

 

Presidenti shtoi se është shqetësuese kur zbatimi i ligjit varet nga “mjeshtëria” interpretuese e atyre që duhet ta zbatojnë atë, ndaj shpeshherë terminologjia juridike merr një kuptim të ndryshëm, ndonjëherë të kundërt nga ai origjinal. .

Në këtë situatë shqetësuese, shtoi ai, kontribuon edhe pavendosmëria e individëve në institucionet kompetente për të nisur procedura ndaj atyre për të cilët ka baza dyshimi, por që kanë statusin e të paprekshmit në shoqëri.

“Të krijohet përshtypja se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë luftëtarë më të zellshëm kundër korrupsionit në vendin tonë sesa disa nga institucionet dhe individët tanë në to. Përveç investimit me vite në trajnimin e punonjësve në sistemin e drejtësisë maqedonase, ata herë pas here përdorin sanksione si të ashtuquajturat listë e zezë në të cilën Shtetet e Bashkuara vendosin njerëz që i konsiderojnë të përfshirë në korrupsion. Megjithatë, sanksionet e huaja nuk janë të mjaftueshme, jo vetëm sepse ato nuk pasohen nga sanksionet e brendshme. Domethënë, jemi duke u përballur me një problem shumë më të thellë, sepse korrupsioni ndërkohë është bërë mënyrë jetese për shumëkënd, ose siç e ka cilësuar së fundmi ambasadori holandez, është çështje e mentalitetit të njerëzve që duhet ndryshuar”, nënvizoi Pendarovski.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet të lëmë mënjanë disa elementë të tjerë tha presidenti duke përmendur tre:

Së pari, dhe kur nisen, hetimet dhe proceset për korrupsion të lartë janë jashtëzakonisht të ngadalta dhe të pasigurta. Mbrojtja e këtyre personave përdor çdo mjet procedural për të zgjatur gjykimet dhe për këtë gjen mirëkuptim te një pjesë e gjyqtarëve, gjë që përforcon tek qytetarët perceptimin se drejtësia është e ngadaltë, por e paarritshme.

Së dyti, edhe ato pak procese gjyqësore të përfunduara me sukses kufizohen në persona të caktuar dhe veprime specifike të kryera në një periudhë të caktuar kohore dhe pothuajse gjithmonë ka mungesë të vazhdimësisë në veprimet e shtetit, veçanërisht pas ndryshimeve në qeverisje në nivel qendror apo lokal. Periudhat e tilla vakum praktikisht anulojnë efektet e rasteve të rralla të përfunduara me sukses të korrupsionit në mesin e bartësve të funksioneve publike.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, praktikat dhe kultura institucionale që mundësojnë korrupsionin sistemik mund të ndryshohen vetëm nga brenda. Ose me fjalë të tjera, udhëheqja etike është e nevojshme në vetë institucionet.

Për të ulur në mënyrë drastike korrupsionin duhet të insistojmë jo vetëm në hetime, por në vendime përfundimtare, sepse në këtë mënyrë tregohet se ligjet zbatohen njësoj për të gjithë, edhe për më të fuqishmit dhe më të pasurit.

Kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.