Tetovë, gazetaret nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, do të diskutojnë në konferencën “Lajmet e rrejshme – Shtrembërim i realitetit”
Fondacioni Metamorphosis në bashkëpunim me klubin “Rotary” të Tetovës do të mbajnë konferencën rajonale me titull “Lajmet e rrejshme – Shtrembërim i realitetit”, të shtunën, 16 dhjetor, në hotel “Mercure” në Tetovë, transmeton Portalb.mk. Për të qenë pjesë e konferencës duhet të plotësoni formularin brenda në këtë link.
Në kohën kur dezinformatat shumë shpejtë shpërndahen në platforma të ndryshme, verifikimi i fakteve është një prej mjeteve më të rëndësishme të gazetarëve për t’u përballur me to. Verifikimi i fakteve ka rëndësi të jashtëzakonshme, si për krijimin e gazetarisë cilësore sipas standardeve profesionale, ashtu dhe për zhvillimin dhe krijimin e një shoqërisë së mirë-informuar.
Në konferencën “Lajmet e rrejshme – Shtrembërim i realitetit” e cila fillon në ora 16:00 përvojën e tyre do të ndajnë emra të njohur të gazetarisë dhe shoqërisë civile në rajonin shqiptar dhe më gjërë, të cilët do të flasin për atë se çfarë është dhe si bëhet verifikimi i fakteve.
Dezinformatat sjellin konfuzion shoqëror dhe kanë për qëllim të rrënojnë të besimin e qytetarëve në institucionet e vendit, madje mund dhe të ndikojnë në proceset kur merren vendime të rëndësishme shoqërore. Përmes kësaj konference, organizatorët do të nxisin diskutim për zhvillimin e mendimit kritik, që qytetarët që të jenë të kujdesshëm kur konsumojnë informata prej burimeve të ndryshme, veçanërisht nëse të njëjtat janë të paverifikuara.
Folës nga Maqedonia e Veriut janë: Bardhyl Jashari – drejtor i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorphosis“, Elida Zylbeari – kryeredaktore e portalit Portalb.mk dhe e Vërtetëmatës.mk në gjuhën shqipe, nga Kosova është Jeta Xharra – drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë dhe kryeredaktore e Kallxo.com, dhe nga Shqipëria, Klodiana Kapo – drejtoreshë e platformës për verifikimin e fakteve, Faktoje.al.
Me pjesëmarrjen në këtë ngjarje, do të përfitoni njohuri për veglat dhe metodologjitë që gazetarët i shfrytëzojnë që të sigurojnë saktësi gjatë raportimit të tyre, për narrativet kryesore dezinformuese në Maqedoni dhe botë, për mënyrën e verifikimit të realizimit të premtimeve nga autoritetet lokale dhe nacionale dhe për rolin e edukimit mediatik.
Konferenca është e hapur për të gjithë gazetarët, qytetarët e interesuar, shoqatat dhe organizatat joqeveritare dhe subjektet tjera të cilët dëshirojnë që më detajisht të njihen me mënyrat për verifikim të fakteve, por edhe me mënyrat për përballje me dezinformatat, me qëllim që publiku të fitojë informata të sakta, në kohë dhe objektive.
Konferenca është falas për pjesëmarrësit, vendet janë të limituara, thonë organizatorët, andaj ata që janë të interesuar, ftohen që të aplikojnë nëse janë të sigurt për pjesëmarrjen në konferencë, dhe çertifikatë do t’ju jepet vetëm aplikantëve që do jenë prezent në konferencë. Për të qenë pjesë e konferencës duhet të plotësoni formularin brenda në këtë link.