Vrasja e 14-vjeçares Vanja, paraburgim 30 ditor për katër persona dhe 48 orë për transportuesin e Pallços

Gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar propozimin e Prokurorisë Themelore Publike Shkup për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 4 personave të cilët dje janë sjellë në gjykatë, lidhur me kidnapimin dhe vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevskës nga Shkupi dhe Pançe Zhezhovskit. Përkatësisht ndaj Velibor Manevskit, Vllatko Keshishovit, Bore Videvskit dhe babait të Vanjës, Aleksandar Gjorçevski është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh dhe për shkak të rrezikut të arratisjes, zvarritjen e hetimeve duke ndikuar mbi dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së një  krimi të ri, transmeton Portalb.mk.

Në të njëjtën kohë, gjyqtari i procedurës paraprake ka pranuar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit prej 48 orësh për Stefan Dimovskin i cili dyshohet për veprën Ndihmim të kryerësit të veprës penale

Lupço Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, iku në Turqi përmes Serbisë dhe Bullgarisë, ku u arrestua në bazë të një fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski mbrëmë, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka përshkruar trajektoren e lëvizjes së Palevskit.

Siç tha Spasovski, Palevski me një automjet është nisur për në Serbi me avokatin e tij, ku është lënë në një hotel. Të nesërmen, një person tjetër nga Shkupi merr përsipër me një xhip Range Rover dhe përmes pikës kufitare Gradina hyn në Bullgari.

Transportohet përmes territorit të Bullgarisë dhe hyn në Turqi ku shkon në Bali Kesir.

“Shërbimet tona nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor kontaktojnë drejtpërdrejt me autoritetet dhe policinë dhe një nga burimet e tyre operative, të cilët në një kohë të shkurtër na dhanë reagime se personi ndodhet në Bali Kesir dhe na treguan për qëllimet e tij që dëshironte të shkojë në Stamboll prej andej. Ai po përgatitej me një shofer taksie për të shkuar në Stamboll dhe këtu bëri sikur do të shkonte e do të kthehej sërish në Bali Kesir. Ai dje pasdite është arrestuar nga policia turke teksa po ecte në njërën nga autostradat në Balikesir”, theksoi Spasovski.

Për momentin nuk ka informacione të konfirmuara për destinacionin përfundimtar ku ka dashur të shkojë Palevski.

“Kur të vijë këtu, gjithçka do të diskutohet. Kur të përfundojë i gjithë procesi hetimor, do të merrni informacione”, tha Spasovski.

I pyetur nëse Vanja 14-vjeçare është mbytur apo ka ndërruar jetë nga plagë me armë zjarri, Spasovski tha se bëhet fjalë për plagë me armë zjarri.

“Të gjeturat e sakta të autopsisë do të tregojnë, por është në pyetje një plagë me armë zjarri”, tha Spasovski në konferencën e jashtëzakonshme për media.

Ndryshe, kallëzimi penal kundër pesë personave tashmë është përpiluar në më shumë se 100 faqe, përfshirë provat e bashkangjitura dhe i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike.

Ai përfshin pesë persona, një prej të cilëve akuzohet për rrëmbim dhe vrasje, tre për rrëmbim dhe bashkëpunim në vrasje dhe një për ndihmë në rrëmbim, të parashikuar nga Kodi Penal, të cilët janë të dyshuar sipas provave të mbledhura nga policia në procedurë parahetimore.

Kujtojmë se në paraburgim është edhe babai i Vanjës, i cili dyshohet ka dhënë informacion se kur vajza do të shkojë në shkollë mëngjesin e 27 nëntorit dhe se do të jetë vetëm, pra pa motrën. Nga ana tjetër tre të tjerët kanë pranuar krimet dhe kanë dërguar policinë në vendin e vrasjes. Atyre iu mbaron paraburgimi 48 orësh dhe gjykata pritet ta zgjasë sonte.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti ka lidhje me zhdukjen e Vanjës.