Aleksandar Gjorçevski, babai i 14 vjeçares së vrarë, përfundoi në paraburgim në burgun e Shutkës

Aleksandar Gjorçevski, babai i 14 vjeçares së rrëmbyer dhe vrarë, Vanja, ka marrë masë të paraburgimit në burgun e  Shuto Orizarës. Atij i është përcaktuar paraburgim prej 48 orësh, i cili dhe mund të zgjatet në varësi prej përfundimit të hetimeve, raporton Portalb.mk.

Siç thuhet nga Gjykata Penale, paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit ndaj dëshmitarëve.

“Për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe asgjësimit të provave, gjyqtari ka pranuar propozimin e prokurorit kompetent dhe të arrestuarit të katërt i ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh”, tha gjykata.

Në orët e pasdites në hapësirat e Gjykatës Penale të  Shkupit u soll babai i viktimës 14 vjeçare, si një nga personat e dyshuar në lidhje me rastin tragjik, ku e vdekur ngeli vajza e tij.

Prej asaj që e kanë thënë tre të arrestuarit, babai i vajzës i ka dhënë informatë të akuzuarit të parë Palevski, për kohën dhe vendin se kur dhe në sa ora del vajza e tij për në shkollë dhe se mu atë ditë, më 27 nëntor, do të shkojë në shkollë vetë, pa motrën e saj më të vogël, e cila e ka humbur orën e parë në “Pestalloci”.

 

Kujtojmë se Vanja u vra më 27 nëntor, ditën që u rrëmbye.

“I dyshuar për përfshirje në rrëmbimin e Vanja Gjorçevskës është edhe babai i saj, i cili ka dhënë informacione për kohën se kur Vanja largohet vetëm nga shtëpia. 14-vjeçarja u rrëmbye për të zhvatur para nga nëna e saj dhe menjëherë pas kësaj u vra me armë. Vrasësi e vrau sepse kishte frikë nga provat që policia mund t’i gjente në hetimin e filluar pas kallëzimit”, tha sot në mëngjes ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Për të dyshuarin i cili është në arrati Lupço Palevski, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut shpalli fletë-arrest ndërkombëtar për Lupço Palevskin, për veprën rrëmbim dhe vrasje.

“Lupço Palevski, i lindur 12.12.1964, në Shkup kërkohet me fletë-arrest ndërkombëtar për hetimin e veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” sipas urdhrit XV KO nr. 3047/23  nga Prokuroria Themelore Publike Shkup” thuhet në fletë-arrestimin të publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut

Lupço Palevski – Pallço është organizator dhe kryerës i dy vrasjeve, të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, atij janë duke iu ndjekur gjurmët dhe se ai është arratisur bashkë me avokatin e tij në Beograd dhe më pas në Bullgari.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona.