Detaje për vrasjen e 14-vjeçares: Lupço Palevski organizator dhe kryerës i vrasjes, dyshime dhe për përzierje të babait

Lupço Palevski – Pallço është organizator dhe kryerës i dy vrasjeve, të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Sipas ministrit të Punëve të Brendhsme, Oliver Spasovski, atij janë duke iu ndjekur gjurmët dhe se ai është arratisur bashkë me avokatin e tij në Beograd dhe më pas në Bullgari. Për Palevskin, do të shpallet fletarrestim ndërkombëtar, njofton Portalb.mk.

Lupço Palevski - Pallço, foto nga Facebook
Lupço Palevski – Pallço, foto nga Facebook i tij

“Do të bëj gjithçka që ky monstrum sapo të hyjë në tokën tonë të nxirret para drejtësisë”, deklaroi Spasovski në konferencën e përbashkët për shtyp me prokurorin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, Gavrill Bubevski.

Në burgun hetues në Shkup për momentin janë edhe tre të dyshuar, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. Sipas informatave të publikuar anë konferencën për shtyp, të tre i kanë kumtuar të gjitha detajet për atë çfarë ka ndodhur në dy javët e kaluara, ndërkaq dy prej tyre, veç e veç kanë qenë dëshmitarë në vrasjet. Rasti është në parahetim dhe për ato arsye atyre u është caktuar masë paraburgimi prej 48 orësh, ndërkaq kur të dorëzohen paraqitjet dhe zyrtarisht do të hapet hetim, paraburgimi mund t’u vazhdohet.

Babai i 14-vjeçares Vanja, Aleksandar Gjorçevski, është i dyshuari i pestë, por tani për tani për atë nuk ka prova të mjaftueshme për atë se në çfarë mase ka qenë i përfshirë në tërë rastin, në lidhje me vrasjen e vajzës së tij. Prej asaj që e kanë thënë tre të arrestuarit, babai i vajzës i ka dhënë informatë të akuzuarit të parë Palevski, për kohën dhe vendin se kur dhe në sa ora del vajza e tij për në shkollë dhe se mu atë ditë, më 27 nëntor, do të shkojë në shkollë vetë, pa motrën e saj më të vogël, e cila e ka humbur orën e parë në “Pestalloci”.

MPB: Për rreth njëzet vjet, Palevski ka marrë disa kallëzime penale

MPB-ja njoftoi se ndaj Lupço Palevskit, i dyshuar për vrasjen e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski, në periudhën paraprake prej njëzet vitesh, ndaj tij janë ngritur disa kallëzime penale për përgjim dhe incizim të paautorizuar, kallzime të rreme penale, ofendim të punonjësve policor.

Si është kryer vrasja?

Nxënësja e klasës së nëntë, Vanja, sipas deklaratës së Spasovskit, ka qenë e rrëmbyer në hyrjen e banesës ku jeton, rreth orës 7.30 të mëngjesit më 27 nëntor, gjegjësisht të hënën e kaluar. Asaj i janë lidhur duart dhe këmbët dhe është vendosur në qese dhe më pas e kanë vendosur në pjesën për bagazhin e veturës.

Ajo është marrë me një automjet “Citroen”, në pronësi të të moshuarit të zhdukur nga Velesi, Pançe Zhezhovski, i cili më pas është gjetur i vdekur. Bashkë me Citroenin, ka lëvizur edhe një automjet “Reno Kangoo”. Pronarët e këtij automjeti, fillimisht janë arrestuar, por më pas janë lënë të lirë, pasi që kanë dhënë deklaratë se automjetin e kanë dhënë për shfrytëzim në parti. Përndryshe, bëhet fjalë për partinë “Treta”, e cila lidhet me katër të dyshuarit e parë dhe me të cilën udhëhiqet Palevski.

Vendi ku është djegur vetura
Vendi ku është djegur vetura

Automjeti “Citroen” është djegur në fshatin e Shkupit, Brazda, në të njëjtën ditë kur është rrëmbyer Vanja, më 27 nëntor. Vajza, vetëm dy orë e gjysmë pasi që është rrëmbyer, sipas hetimit, është vrarë me pistoletë dhe më pas është varrosur, gjithashtu në afërsi të fshatit Brazda. Arma ende nuk është gjetur.

Pançe Zhezhovski, foto nga Facebook i tij
Pançe Zhezhovski, foto nga Facebook i tij

Dje, në afërsi të Velesit, në fshatin Orman, është gjetur i varrosur edhe trupi i berberit, Pançe Zhezhovski. Edhe ai është vrarë në të njëjtën ditë kur është paraqitur si i zhdukur, disa ditë para vrasjes së vajzës.

Të dyshuarit të cilët janë në paraburgim e kanë dërguar policinë në lokacionin e saktë ku janë varrosur trupat.

“Për të gjitha këto janë siguruar prova materiale dhe nga kjo nuk ka ikje”, tha Bubevski.

Zhezovski ishte parukier dhe kryetar i Unionit të Veteranëve të Maqedonisë së Bashkuar. Së fundmi ai doli në një konferencë për shtyp, në mbështetje të pensionistëve për kërkesat e tyre për rritje lineare të pensioneve. Ai ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe shpesh publikonte pikëpamjet e tij për aktualitetin në vend.

Cili ka qenë motivi i vrasjeve?

Motivi për dy vrasjet e kryerja, siç njoftoi Spasovski dhe Bubevski, janë interesat financiare, gjegjësisht njëri nga personat, në marrëveshje dhe me njohuri të anëtarit të familjes (babait të vajzës së vrarë) e ka organizuar kryerjen e veprës penale me qëllim që të zhvasin para prej nënës, e cila thuhet se ka shitur një banesë, prej çka të gjithë të përfshirët do të kishin dobi materiale.

Pançe Zhezhovski nga Velesi, nuk ka qenë i lidhur drejtpërdrejtë me vajzën, por edhe vrasja e tij, sipas organeve hetuese është për shkak të mospastrim të borxheve me një të dyshuar. Ai është vrarë, ndërkaq më pas i është marrë vetura “Citroen” dhe me të njëjtën është rrëmbyer Vanja, disa ditë më vonë.

Spasovski tha se ky automjet fare nuk ka lëvizur në periudhën prej 22 deri më 27 nëntor dhe për herë të par është parë në kamerat e “Safe City” në Shkup mu në ditën kur ka humbur vajza.

Vetura e Pançe Zhezhovski. Foto nga Reklama5.

“Në hapësirën e Prokurorisë Themelore Publike janë marrë në pyetje tre persona. Prej të treve kemi pranim për angazhimin e plotë se kush çfarë vepra ka ndërmarrë dhe për çfarë ka qenë i obliguar. Nga tërë kjo mund të definohet se të njëjtët kanë kryer rrëmbim lidhur me interes financiar. Ata kanë kryer edhe dy vepra penale – vrasje”, tha Bubevski.

Ajo që mbetet e paqartë është fakti se pse vajza është vrarë vetëm dy orë e gjysmë pasi e kanë rrëmbyer dhe në ndërkohë nuk janë kërkuar para nga kthimin e saj.

Për këtë, përgjigje precize nuk kishte as prokurori Bubevski.

“Tregimet e tyre janë se është krijuar panik për shkak se opinioni ka qenë tërësisht i angazhuar në gjetjen e vajzës dhe njëri ka vendosur që paratë t’i kërkojë më vonë, pasi që do ta likuidojnë vajzën. Versioni i tyre është ky”, tha Bubevski.

Ende mbetet i paqartë roli i babait në tërë rastin, për çka nuk është caktuar masa e paraburgimit, por prokurori Bubevski paralajmëroi se edhe për atë do të kërkohet paraburgim.

Është e qartë se nëna nuk ka kurrfarë lidhje me rastin e tmerrshëm.

Dy prej të dyshuarve, sipas Bubevskit, kanë theksuar se informatat në lidhje me lëvizjen e fëmijës, gjegjësisht se kur do të dalë nga shtëpia, ka ardhur prej babait të saj dhe kjo është pika e vetme për çka tani për tani organet hetuese po mundohen të mësojnë më shumë detaje.

Si motiv për tërë këtë, theksohet një banesë e shitur nga ana e nënës së vajzës.

Për rastin, sipas Spasovskit, janë marrë telefona celularë, kompjuterë, automjete dhe mjete tjera, janë kryer shumë biseda me familjarë dhe të njohur ,miq, ndërkaq qindra zyrtarë policorë kanë punuar në këtë rast.

“Bëhet fjalë për rast incident i izoluar nga banditë, nga monstrumë të cilët duan të tërheqin dobi financiare”, tha Spasovski.

Prokuroria Publike njoftoi dje se në periferi të Shkupit u gjet trupi i pajetë i të miturës Vanja Gjorçevska.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës, por policia nuk dha më shumë detaje. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona.

infografik, vanja
Infografik: Kronologji e ngjarjeve, vrasja e Panço Zhezhovski dhe Vanja Gjorçevska.