U arrestua nën dyshimet se i ka ndihmuar Palevskit të largohet nga Bullgaria në Turqi

Prokuroria Themelore Publike ka propozuar në Gjykatën Themelore Penale në Shkup 48-të orë paraburgim ndaj shkupjanit 46 vjeçar në lidhje me rastin tragjik ku ndërroi jetë 14 vjeçarja, Vanja Gjorçevska, transmeton Portalb.mk.

Ai dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale, bazuar në të dhënat e Byros për Siguri Publike, Sektori për bashkëpunim policor ndërkombëtar të dorëzuara në SPB Shkup.

Raportohet që ai tashmë është arrestuar dhe punonjësit e policisë kanë kryer bisedë informative në lidhje me rastin. Ai dyshohet se me veturën Land Rover ka ndihmuar të largohet nga Bullgaria në Turqi, Lupço Palevskin – Palçon, të dyshuarin e parë për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gorçevska dhe 74 vjeçarit Pançe Zhezhovski,

Ndryshe, për këtë rast janë në paraburgim edhe katër persona, mes tyre edhe babai i Vanjës, i cili dyshohet ka dhënë informacion se kur vajza do të shkojë në shkollë mëngjesin e 27 nëntorit dhe se do të jetë vetëm, pra pa motrën. Nga ana tjetër tre të tjerët kanë pranuar krimet dhe kanë dërguar policinë në vendin e vrasjes. Atyre iu mbaron paraburgimi 48 orësh dhe gjykata pritet ta zgjasë sonte.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti ka lidhje me zhdukjen e Vanjës.