Janë arrestuar pesë persona lidhur me zhdukjen e 14-vjeçares nga Shkupi Vanja Gjorçevska

Pesë persona janë arrestuar mbrëmë vonë lidhur me rastin e zhdukjes së 14-vjeçarës nga Shkupi Vanja Gjorçevska, hetimi ka avancim, por në interes të hetimit nuk munden të japin më shumë informata, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, duke shtuar se njoftimi i parakohshëm i detajeve sjellë probleme të mëdha, transmeton Portalb.mk.

“Mbrëmë vonë është punuar gjithashtu intensivisht, kemi arrestuar 5 persona dhe është siguruar një automjet me të cilën vazhdon puna më tej. Kjo është diçka plus asaj që kemi ndërmarr në lidhje me të gjithë atë si provë ose gjurmë, me qëllim që të arrijmë deri në pastrimin e plotë të këtij rasti”, tha Spasovski.

Ndryshe, vajza është shpallur dje zyrtarisht në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi.

Në përshkrim thuhet se vajza ka flokë kafe të errët dhe sy kafe, mban proteza në dhëmbët e sipërm dhe të poshtëm dhe ka një nishan në anën e djathtë të fytyrës. Ajo është e gjatë 175 centimetra dhe peshon 58 kilogramë.

Në ditën e zhdukjes (27 nëntor) ajo ka pasur veshur një bluzë blu, një xhaketë të zezë, xhinse të zeza me xhepa anash dhe atlete të bardha me vija kafe. Mbante me vete një çantë shpine shkolle dhe një celular iPhone.

Zhdukja e vajzës u raportua në polici të hënën në orën 08:35. Që atëherë, siç informojnë nga MPB-ja, kapacitetet e plota të SPB Shkup janë përfshirë në nivelin më të lartë, janë zhvilluar një sërë bisedash me persona të afërt me të miturën, janë kontrolluar kamerat.

Ministria e Brendshme i kërkon publikut të mos përhapë dezinformata, duke theksuar se do të vazhdojnë të informojnë deri në gjetjen e të miturës.

Fotot e vajzës janë ngjitur në qendër të qytetit me shpresën se ndonjë kalimtarët do t’i kujtohet ndonjë informacion.

Në rrjetet sociale po përhapet një fotografi e Vanja Gjorçevskës me një mesazh të shkruar në gjuhën angleze drejtuar të gjithëve në Serbi, Kosovë, Shqipëri, Bullgari dhe Greqi dhe të gjithëve në botë, ku thuhet se vajza është zhdukur.

Rastin e ka bërë të ditur nëna e vajzës adoleshente përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas postimit të nënës së vajzës, 14-vjeçarja është larguar nga shtëpia për në shkollë në orën 07:20, pas së cilës ka humbur çdo gjurmë. Ajo është parë për herë të fundit në Debar Maalo teksa shkonte në shkollën “Johan Heinrich Pestalozzi”.

Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar për 14-vjeçaren për të cilën më 27 nëntor u paraqit se është zhdukur.