Ministria e Punëve të Brendshme shpalli fletëarrestim ndërkombëtar për Lupço Palevskin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e 14 vjeçares

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut shpalli fletë-arrest ndërkombëtar për Lupço Palevskin, për veprën rrëmbim dhe vrasje, raporton Portalb.mk.

“Lupço Palevski, i lindur 12.12.1964, në Shkup kërkohet me fletëarrestim ndërkombëtar për hetimin e veprave penale “rrëmbim” dhe “vrasje” sipas urdhrit XV KO nr. 3047/23  nga Prokuroria Themelore Publike Shkup” thuhet në fletë-arrestimin të publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Lupço Palevski – Pallço është organizator dhe kryerës i dy vrasjeve, të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, atij janë duke iu ndjekur gjurmët dhe se ai është arratisur bashkë me avokatin e tij në Beograd dhe më pas në Bullgari.

Kujtojmë se Vanja u vra më 27 nëntor, ditën që u rrëmbye.

“I dyshuar për përfshirje në rrëmbimin e Vanja Gjorçevskës ishte edhe babai i saj, i cili ka dhënë informacione për kohën se kur Vanja largohet vetëm nga shtëpia. 14-vjeçarja u rrëmbye për të zhvatur para nga nëna e saj dhe menjëherë pas kësaj u vra me armë. Vrasësi e vrau sepse kishte frikë nga provat që policia mund t’i gjente në hetimin e filluar pas kallëzimit”, tha sot në mëngjes ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Babai i së ndjerës është dërguar në Gjykatën e Apelit për t’u marrë në pyetje.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona.