BDI: Institucionet e hetuesisë duhet të zbardhin rastin në M-NAV

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar për ngjarjet në M-NAV. Sipas kësaj partie, incidentet në këtë institucion padrejtësisht i vishen BDI-së, duke shtuar se dënojnë çdo formë të dhunës, transmeton Portalb.mk.

“Ngjarjet në M-NAV janë shqetësuese dhe trajtohen nga institucionet e shtetit me seriozitetin më të madh. Institucionet e hetuesisë duhet të zbardhin rastin me vendosmëri. Incidenti që tentohet ti mvishet padrejtësisht BDI-së, është rezultat i marrëdhënieve të cenuara dhe rënduara midis kolegëve në një mjedis pune dhe nuk ka asnjë lidhje të vetme me çështje politike e aq më pak me BDI-në”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Sipas tyre, bëhet fjalë për mosmarrëveshje midis kolegëve dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihen, siç thonë, padrejtësisht politikat e partisë.

“Dënojmë tendencën për të përfshirë partinë në vazhdimësi çdo çështje private ditore. Bashkimi Demokratik për Integrim përsërit qëndrimin për sundimin e ligjit dhe që asnjë nuk është mbi ligjin, por edhe kundërshton gjykimin nga publiku dhe presionin publik mbi institucionet”, thuhet në reagim.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë ndërsa Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën  10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.