Festivali “Moisiu” vazhdon sonte me dy shfaqje nga Kumanova dhe Tirana

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” vazhdon sonte në Shkup me dy shfaqje nga teatrot shqiptare. Në orën 18:00, Teatri Shqiptar i Kumanovës do të sjellë në skenë “Duke pritur Godonë”, një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore, të shkruar nga Samuel Beckett, nën regjinë e Qendrim Rijanit. Ndërsa në orën 20:00, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqjen “Hamleti”, produksion i Teatrit Metropol të Tiranës, me regji të Jonida Beqos, shkruan Portalb.mk.

Regjisori Qendrim Rijani, në një prononcim për Portalb.mk, tha se shfaqja ka një domethënie të veçantë për Teatrin Shqiptar të Kumanovës, duke e lidhur temën e pritjes me realitetin e aktorëve të kësaj trupe.

“Duke pritur Godonë” është ndër ato kryevepra botërore që citohen vazhdimisht në retorikën politike, në diskursin akademik e në atë intelektual. Por kush e njeh pritjen më mirë se Teatri Shqiptar i Kumanovës? Askush. Prej vitesh, kjo trupë pret të ketë teatrin e vet shqiptar, të pavarur nga Shtëpia e Kulturës dhe nga teatri maqedonas. Ndërkohë, për çdo shfaqje që arrin të nxjerrë në skenë, kalon nëpër peripeci e sakrifica. Pikërisht këtu e gjeta lidhjen mes aktorit dhe rolit. Aktori i kësaj trupe e di nga përvoja e vet ç’do të thotë të presësh me vite diçka që të takon. Kjo përvojë i jep rolit një të vërtetë të brendshme që aktori e sjell me vete që në provën e parë. Edhe ne, si popull i këtij vendi, e njohim mirë këtë gjendje. Pritja na është shtresuar në lëkurë, brez pas brezi. Prandaj kjo vepër e gjeti vetvetiu vendin në skenën tonë. Besoj se shumë nga ato që aktorët i thonë me zë, publiku i thotë bashkë me ta, në heshtje”, tha Rijani.

Sipas regjisorit, në këtë interpretim të veprës së Samuel Beckett, pritja e Godosë merr edhe një kuptim politik, duke simbolizuar rrugëtimin e gjatë të vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Në konceptin tonë, Godoja ka një kuptim konkret. Ai mishëron pritjen tonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Shfaqja nis në vitet ’90, kur nga shpërbërja e Jugosllavisë trashëguam si dhuratë një republikë dhe u formuam si shtet i pavarur, dhe vjen deri në ditët e sotme. Spektatori e njeh këtë rrugë, sepse e ka përshkuar vetë. Pritjen e mban gjallë marrëdhënia mes dy njerëzve në skenë. Kur njëri do të ikë, tjetri i kujton se po presin Godonë. Mua më intereson pikërisht ai çast kur njëri arrin ta bindë tjetrin të qëndrojë edhe pak. Publiku e njeh këtë mekanizëm edhe nga jeta politike. Sa herë që premtimi për Europën mbetet pezull, na jepet një arsye tjetër për të pritur. Kështu politika na ka futur në labirintin e një pritjeje të pafundme, ndërsa ata që na e premtojnë këtë të ardhme nuk i ndërmarrin hapat konkretë për ta arritur. Mbase disave u leverdis pikërisht kështu. Ndërsa populli pret, ata pasurohen”, tha Rijani.

Duke folur për mesazhin që përcjell fundi i shfaqjes, regjisori theksoi se pritja nuk është vetëm çështje shprese, por edhe përgjegjësie për kohën dhe mundësitë e humbura.

“Në fundin tonë, çështja e lirisë së tyre lidhet me përgjegjësinë që mbajnë për lirinë e të tjerëve. Këta dy njerëz kanë mbajtur edhe popullin e vet në pritje. Pikërisht për këtë ndëshkohen në fund. Ajo që për ta ka qenë një premtim i shtyrë për nesër, për njerëzit që u kanë besuar ka kushtuar vite jete. Është një pritje që, pak nga pak, ua ka vrarë ëndrrat. Fundi e bën të dukshme pasojën dhe e lë të hapur çështjen e zgjidhjes. Mendoj se ndryshimi fillon kur ne, si shoqëri, e kuptojmë çfarë na ka kushtuar pritja dhe kujt i ka shërbyer ajo. Vetëm atëherë mund ta marrim vetë vendimin që prej vitesh presim ta marrë dikush tjetër për ne”, tha Rijani.

Në shfaqjen “Duke pritur Godonë” interpretojnë aktorët Musa Isufi, Sefedin Shabani, Blerim Ismani dhe Faton Gegu. Skenografia është realizuar nga Valentin Svetozarev, ndërsa kostumografia nga Medina Hoxha.

Ndërkaq, në dramën “Hamlet” të William Shakespeare, bëhet fjalë për historinë e një princi që, pas vdekjes së dyshimtë të babait, përballet me intriga, tradhti dhe luftë për pushtet. Vepra trajton dilemat e thella njerëzore mes drejtësisë dhe hakmarrjes, së vërtetës dhe mashtrimit, duke përcjellë mesazhin se etja për pushtet dhe dëshira për hakmarrje mund të sjellin pasoja tragjike, jo vetëm për individin, por edhe për njerëzit që e rrethojnë.

Nën regjinë e Jonida Beqos, kjo vepër klasike vjen para publikut me interpretimin e një ansambli të gjerë aktorësh, mes të cilëve Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj, Urim Aliaj, Xhino Musollari, Marius Dhrami dhe të tjerë.