Danella Arsovska po formon parti, VMRO-ja i kërkon që të punojë diçka për Shkupin

Kryetarja e Shkupit Danela Arsovska në një intervistë për TV 21 mbrëmë ka konfirmuar se është në proces të formimit të partisë politike që do të marrë pjesë në zgjedhjet e majit të këtij viti. Ajo nuk ka dashur të japë më shumë detaje se kush do të jenë pjesëmarrës të partisë së saj dhe kush do të jetë kryetar i saj, transmeton Portalb.mk.

“Përderisa të bëhen gjërat për të kënaqur nevojat individuale të disa politikanëve, të një pjese të kësaj elite politike të korruptuar, nuk do të ketë përparim në vendin tonë. Dhe nëse vetëm unë si individ mund të tregoj se është e mundur ndryshe, besoj se me gjithë njerëzit që më përkrahin, ndërsa numri i atyre qytetarëve është i madh, do të mund të tregoj më shumë”, thotë Arsovska.

VMRO-DPMNE ka reaguar sot pas deklaratës së djeshme të Arsovskës se do të formojë parti politike me të cilën do të marrë pjesë në zgjedhje.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski sot theksoi se Arsovska së pari duhet të bëjë diçka për shkupjanët përpara se të shpresojë në nënshkrime nga BDI dhe LSDM.

“Së pari, Danela Arsovska le të bëjë diçka për Shkupin në vend që të shpresojë në nënshkrime nga BDI dhe LSDM për formimin e partisë”, theksoi Stoilkovski.

Kujtojmë se Danella Arsovska në krye të kryeqytetit erdhi me mbështetjen e VMRO-së, por anketa e fundit e International Republican Institute (IRI) realizuat ndërmjet 8 prillit dhe 4 majit, duke marrë 1 204 mostra, tregon se pesëdhjetë përqind e qytetarëve janë shumë të pakënaqur nga puna e saj. 21 përqind se janë deri diku të pakënaqur. Rreth një përqind e shkupjanëve të anketuar janë shumë të kënaqur me punën e kryetares së Qytetit të Shkupit.

Krahasuar me anketën e mëparshme të IRI-it që ishte realizuar në tetor 2022, këtu ka dyfish rezultate më të këqija për kryetaren e Shkupit.