Spasovski: Kemi dëshmi nga incizime të 70 kamerave dhe mbi 50 të tjerave nga “Safe City” për rastin e Vanjës

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në një intervistë për Kanal 5, në lidhje me rastin e 14 vjeçares së vdekur, Vanja Gjorçevska tha se deklaratat e autorëve të krimit janë të bazuara edhe në dëshmitë që policia i ka gjetur dhe gjithçka që është vërtetuar në hetim. Ndërkaq, ai tha se janë spekulime se Ministria e Punëve të Brendshme e ka ditur dy ditë më parë se vetura e Pançe Zhezovskit mungon, duke theksuar se në Shkup vetura është raportuar të jetë e zhdukur më 24 nëntor, shkruan Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një intervistë për Kanal 5 , u pyet për rastin e 14 vjeçares, Vanjës, në lidhje me atë se çka do të ndodhte nëse bashkautorët e krimit të arrestuar, që e kanë pranuar fajin, ndryshojnë mendim dhe deklarojnë se janë detyruar të pranojnë fajin.

Spasovski theksoi se hetimet serioze nuk bëhen nëpër mediume dhe rrjete sociale dhe se deklaratat që i ka policia dhe Prokuroria Publike, janë të dhëna nga të dyshuarit në polici dhe para prokurorit publik, dhe se i kanë të pëputhura me prova të bazuara në gjithçka që është vërtetuar në hetim.

Në lidhje me atë që shkruhet nëpër media se MPB kinse e ka ditur se vetura Zhezhovskit mungon që nga 22 nëntori, Spasovski i demantoi duke thënë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk mund të dijë dy ditë përpara se të dorëzohet raportimi në MPB.

Ai gjithashtu tha se raportimi është dorëzuar në mbrëmjen e datës 24 nëntorit.

“Domethënë, raportimi është më 24-in, në mbrëmje dhe prej aty fillojnë kërkimet në Veles, ndërsa në Shkup fillojnë në momentin kur raportohet në Shkup për një rast të tillë. Nuk do të doja të futem polemika politike. Ato teori konspirative janë ekskluzivisht për politikë dhe asgjë më shumë”, tha ministri Spasovski.

Nga këndvështrimi i trajektores së saktë të automjetit, ministri Spasovski theksoi se dëshmi dhe vërtetim do të jenë kamerat e nga objektet dhe nga sistemi “Safe City” (Qytet i sigurt).

“Unë e di që ndjeshmëria është gjithashtu e rëndësishme në raste të këtilla dhe pamjet që vinjë nga kamera të caktuara në objekte private e kështu me radhë. Megjithatë, ato nuk janë vërtetim dhe dëshmi. Dëshmi dhe vërtetim do të jenë 70 kamera, të dhënat e tyre që po shqyrtohen dhe dorëzohen në Prokurorinë Publike dhe mbi 50 incizime që u nxorën nga ‘Qyteti i sigurt’. Kur e gjithë kjo do të analizohet, vërtetohet dhe çdo detaj në këtë rast do të dihet në detaje, të gjitha këto aspekte, koha, trajektorja, do të përcaktohen përmes asaj procedure ligjore”, tha ministri Spasovski.

Kronologjia e ngjarjes tragjike

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së.
 28 nëntor Interpoli shpalli fletarrest ndërkombëtar për të.

Më 2 dhjetor arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjet që kishte lidhje me zhdukjen e saj.

Më 3 dhjetor u bë publike se është gjetur trupi i saj i pajetë. Gjithashtu, u lajmërua se u gjet i pajetë dhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Në të njejtën ditë u caktua paraburgim 48 orësh për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski ndërsa u bë e ditur se organizatori kryesor dhe kryerësi i vrasjes, Ljupço Palevski ishte arratisur. 

 4 dhjetor, në konferencë për shtyp Prokuroria dhe MPB dhanë detaje për rastin i cili ende hetohej, në të cilën u hodhën dyshime për përfshirjen e babait të saj Aleksandar Gjorçev. Motivi i vrasjeve thanë që është “interes financiar”. Në të njejtën ditë u shpall fletarrest ndërkombëtar nga Interpoli për Ljupço Palevskin. Më vonë u paraburgos dhe babai i saj.

Më 5 dhjetor, Prokuroria Publike konfirmoi se autopsia ka përfunduar, trupi i Vanjës i është dorëzuar familjes. Në të njejtën ditë paraburgos dhe Stefan Dimkovski nën dyshimet se i ka ndihmuar Palevskit të largohet nga Bullgaria në Turqi. Ky i fundit u arrestua në Turqi, lajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq u caktua paraburgim 30 ditor për  Vllatko Keshishov, Velibor Manevski, Bore Videvski dhe Aleksandar Gjorçev dhe 48 orë për transportuesin e Pallços.

Më 6 dhjetor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga nënshkroi kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit. U publikuan të dhëna nga biografia e Palevskit, e pasur me krime të pandëshkuara, si dhe për ndihmësit e tij, të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”.

Më 7 dhjetor, u dërgua në Truqi kërkesa për ekstradimin e Lupço Palevskit dhe u caktuan 30 ditë paraburgim për shoferin e Palevskit, Stefan Dimkovski.

Më 10 dhjetor, Prokuroria apeloi që mos të spekulohet në media dhe rrjete sociale sepse raporti i autopsisë së Vanjës, nuk është ende gati.

Më 11 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski theksoi në rrjedhë është ekspertiza e dy armëve të zjarrit, të cilat janë gjetur dhe kanë të bëjnë me vrasjen e dyfishtë. Presidenti Stevo Pendarovski tha se do të kërkojë nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ekstradim të Palevskit.

Më 12 dhjetor, presidenti Stevo Pendarovski i dërgoi mesazh kabinetit të homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, lidhur me ekstradimin e Lupço Palevski-Palço – i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, i cili po mbahet në paraburgim 40-ditor ekstradues në Turqi.

13 dhjetor, në konferencë për media me Sektorin për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë, u tha se ekstradimi i Palevskit mund të zgjasë me muaj për shkak se Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë.