Ekstradimi i Palevskit mund të zgjasë me muaj, do të ketë të drejtë të ankimojë çdo vendim

Lupço Palevski nuk mund të pritet që së shpejti të ekstradohet nga Turqia në Maqedoni, përkatësisht të kryhen të gjitha procedurat në dispozicion të tij. Palevski, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pance Zhezhovski, mund të paraqesë ankesë kundër çdo vendimi të mundshëm të autoriteteve turke. Kjo mund ta zvarrisë procesin e ekstradimit me muaj, transmeton Portalb.mk.

Kështu u bë e ditur në konferencën e sotme për media me Sektorin për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë. Sektori thotë se kur bëhet fjalë për vendin tonë, gjithçka që duhej të përfundonte brenda 40 ditëve (kohëzgjatja e paraburgimit ekstradues) është bërë në më pak se dy ditë në vendin tonë – marrja e dosjeve nga institucionet kompetente, hartimi i kërkesës për ekstradim, përkthimin e dokumenteve në gjuhën turke dhe dërgimin e kërkesës për ekstradim. Gjatë procesit, Turqia mund të kërkojë dokumentacion shtesë, por kjo është e gjitha – shteti nuk është i detyruar të informojë Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë për ecurinë e procedurës së ekstradimit.

E vetmja mënyrë e mundshme për të shkurtuar këtë procedurë është që një person i caktuar i arrestuar në një vend tjetër të pranojë të ekstradohet. Mirëpo, kjo zakonisht ndodh menjëherë pas arrestimit, që do të thotë se Palevski nuk ka pranuar t’i dorëzohet organeve të hetuesisë maqedonase, gjegjësisht se do ta çojë procedurën deri në fund. Nuk dihet nëse ka marrë vetë avokat, por gjithsesi në Turqi i takon avokat sipas detyrës zyrtare.

Në Turqi, Palevski është vetëm një nga qindra për të cilët çdo ditë kërkohet ekstradim

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë nuk pret të ketë probleme gjatë procedurës, sa i përket marrëveshjeve bilaterale dhe marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë.

Mirëpo, siç njofton Sektori për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, vendi nuk ka shumë përvojë sa i përket ekstradimeve me Turqinë, pra kemi pasur vetëm një ose dy ekstradime deri më tani. Vendi më i zakonshëm ku të dyshuarit, të akuzuarit apo të dënuarit ikin nga vendi është Gjermania.

Nga ana tjetër, Turqia merr mbi 100 kërkesa ekstradimi në ditë, duke qenë se kufizohet me Sirinë. Pra, Palevski është vetëm një nga kërkesat që duhet të vihet në rend dite.

Sektori për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare nuk ka mundur të përgjigjet nëse ka një afat për të vepruar për një kërkesë të caktuar për ekstradim në Turqi. Në Gjermani, për shembull, nuk ka një afat të tillë, kështu që personi që dezertoi mund të qëndrojë në vend me vite. Në vend, afati është 180 ditë, i cili siç tha Ministria e Drejtësisë është jashtëzakonisht i shkurtër.

Edhe pse kjo fushë mbulohet nga mbi 80 ligje, rregullore dhe konventa, megjithatë procedurat në çdo vend për ekstradim janë të ndryshme.

“Për sa na përket neve, nga pikëpamja juridike, ky rast është i pastër, nga ne ka përfunduar procedura dhe është shembull për plotësimin e shpejtë të një kërkese ekstradimi”, thonë nga Ministria.

Sa i përket asaj se a është e mundur që Palevski të kërkojë azil në Turqi, nga Ministria thonë se kjo zakonisht bëhet kur personi hyn në vend, e jo pasi të arrestohet me urdhër.

Cila është procedura në legjislacionin turk?

Meta.mk ka kontaktuar me verifikuesit turq të fakteve, të cilët kanë shpjeguar më hollësisht sistemin turk të ekstradimit. Pra, personi mund të mbahet përkohësisht në paraburgim ekstradues maksimumi 40 ditë (derisa të merret kërkesa për ekstradim, gjë që në këtë rast tashmë është bërë nga pala maqedonase).

Më pas bëhet vlerësimi i kërkesës për ekstradim nga gjykata e shkallës së parë, një proces që mund të zgjasë edhe më shumë, dhe paraburgimi mund të zgjatet më tej.

“Kohëzgjatja totale e paraburgimit nuk mund të kalojë periudhën e nevojshme për vuajtjen e dënimit të vendosur ose që do të shqiptohet për veprën në fjalë”, thonë burimet e Meta.mk.

Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim. Gjykata e Kasacionit (gjykata më e lartë në Turqi) duhet të veprojë për ankesën brenda tre muajve.

Gjithashtu, zbatimi i një vendimi është subjekt i mendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Brendshme, si dhe kërkohet miratimi i Presidentit.

Kronologjia e ngjarjes tragjike

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së.
 28 nëntor Interpoli shpalli fletarrest ndërkombëtar për të.

Më 2 dhjetor arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjet që kishte lidhje me zhdukjen e saj.

Më 3 dhjetor u bë publike se është gjetur trupi i saj i pajetë. Gjithashtu, u lajmërua se u gjet i pajetë dhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Në të njejtën ditë u caktua paraburgim 48 orësh për tre të dyshuarit, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski ndërsa u bë e ditur se organizatori kryesor dhe kryerësi i vrasjes, Ljupço Palevski ishte arratisur. 

 4 dhjetor, në konferencë për shtyp Prokuroria dhe MPB dhanë detaje për rastin i cili ende hetohej, në të cilën u hodhën dyshime për përfshirjen e babait të saj Aleksandar Gjorçev. Motivi i vrasjeve thanë që është “interes financiar”. Në të njejtën ditë u shpall fletarrest ndërkombëtar nga Interpoli për Ljupço Palevskin. Më vonë u paraburgos dhe babai i saj.

Më 5 dhjetor, Prokuroria Publike konfirmoi se autopsia ka përfunduar, trupi i Vanjës i është dorëzuar familjes. Në të njejtën ditë paraburgos dhe Stefan Dimkovski nën dyshimet se i ka ndihmuar Palevskit të largohet nga Bullgaria në Turqi. Ky i fundit u arrestua në Turqi, lajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, ndërkaq u caktua paraburgim 30 ditor për  Vllatko Keshishov, Velibor Manevski, Bore Videvski dhe Aleksandar Gjorçev dhe 48 orë për transportuesin e Pallços.

Më 6 dhjetor, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga nënshkroi kërkesën për ekstradimin e Lupço Palevskit. U publikuan të dhëna nga biografia e Palevskit, e pasur me krime të pandëshkuara, si dhe për ndihmësit e tij, të djathtët radikalë që thirren në devotshmëri ndaj zotit, janë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë: I bashkon partia “E DJATHTA”.

Më 7 dhjetor, u dërgua në Truqi kërkesa për ekstradimin e Lupço Palevskit dhe u caktuan 30 ditë paraburgim për shoferin e Palevskit, Stefan Dimkovski.

Më 10 dhjetor, Prokuroria apeloi që mos të spekulohet në media dhe rrjete sociale sepse raporti i autopsisë së Vanjës, nuk është ende gati.

Më 11 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski theksoi në rrjedhë është ekspertiza e dy armëve të zjarrit, të cilat janë gjetur dhe kanë të bëjnë me vrasjen e dyfishtë. Presidenti Stevo Pendarovski tha se do të kërkojë nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ekstradim të Palevskit.

Më 12 dhjetor, presidenti Stevo Pendarovski i dërgoi mesazh kabinetit të homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, lidhur me ekstradimin e Lupço Palevski-Palço – i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, i cili po mbahet në paraburgim 40-ditor ekstradues në Turqi.