MPB: Për rreth njëzet vjet, Palevski ka marrë disa kallëzime penale

MPB-ja njoftoi se ndaj Lupço Palevskit, i dyshuar për vrasjen e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski, në periudhën paraprake prej njëzet vitesh, ndaj tij janë ngritur disa kallëzime penale për përgjim dhe incizim të paautorizuar, kallzime të rreme penale, ofendim të punonjësve policor, transmeton Portalb.mk.

Ministria bën të ditur gjithashtu se “në vitin 2019 janë ngritur kallëzime për kundërvajtje për ofendim të punonjësit të policisë”.

“Në vitin 2020 është bërë kallëzim penal për armëmbajtje pa leje apo lëndë shpërthyese dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie. Në vitin 2005 është bërë kallëzim penal për shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe raste të veçanta të falsifikimit të dokumenteve, në vitin 2002 për kallëzim të rremë krimi dhe në vitin 2000 për evazion fiskal”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Lupço Palevski – Pallço është organizator dhe kryerës i dy vrasjeve, të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Sipas ministrit të Punëve të Brendhsme, Oliver Spasovski, atij janë duke iu ndjekur gjurmët dhe se ai është arratisur bashkë me avokatin e tij në Beograd dhe më pas në Bullgari. Për Palevskin, do të shpallet fletarrestim ndërkombëtar.

Kujtojmë se vanja u vra më 27 nëntor, ditën që u rrëmbye. I përfshirë në rrëmbimin e Vanja Gjorçevskës ishte edhe babai i saj, i cili ka dhënë informacione për kohën se kur Vanja largohet vetëm nga shtëpia. 14-vjeçarja u rrëmbye për të zhvatur para nga nëna e saj dhe menjëherë pas kësaj u vra me armë. Vrasësi e vrau sepse kishte frikë nga provat që policia mund t’i gjente në hetimin e filluar pas kallëzimit, tha sot në mëngjes ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona.