Inspektorët filluan kontrollet në M-NAV, do të vazhdojnë edhe nesër

Tre inspektorë nga Inspektorati shtetëror i punës (ISHP) sot hynë në M-NAV dhe filluan me mbikëqyrjen inspektuese, raporton MIA. Inspektorët me mbikëqyrjen do të vazhdojnë edhe nesër, sepse bëhet fjalë për dokumentim të madh dhe voluminoz, thotë drejtoresha e ISHP-së, Vesna Tomovska.

Tomovska tha se do ta shqyrtojnë dokumentacionin rreth punësimeve, si dhe atë nëse sindikata ka paralajmërime për grevë në pajtim me Ligjin.

“Në pjesën e punësimeve, nëse janë realizuar në pajtim me Ligjin, konkursi njëjtë nëse është në pajtim me Ligjin. Do të thotë, për momentin ato dy gjëra do të kontrollohen, do të kontrollohen punësimet e fundit, më pas nëse sindikata ka paralajmërim për grevë dhe nëse e tërë kjo është në përputhje me Ligjin”, thotë Tomovska.

Ajo shtoi se me siguri informata fillestare për një mbikëqyrje të këtillë do të ketë për më shumë se një javë, sepse inspektorët duhet ta shqyrtojnë dokumentacionin voluminoz, e më pas do të bisedojnë edhe me liderin e sindikatës.

“Do të thotë duhet ta shqyrtojmë tërë dokumentacionin”, thotë Tomovska.

Ndryshe, sot Gjykata Themelore Penale e RMV-së, në seancën publike të zhvilluar , ka caktuar masë paraburgimi shtëpiak për Bekim Nezirin dhe tre personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’.

Pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski e quajti kompani familjare M-NAV dhe kërkoi inspektim, Inspektorati shtetëror i punës sot hyri në M-NAV për mbikëqyrje. Policia Financiare gjithashtu ka kryer kontroll në ndërtesën administrative të M-NAV-së në qendër të Shkupit për të hetuar mbi operacionet financiare të kompanisë, por edhe të Sindikatës, prokurimin publik dhe, siç theksohet në njoftimet dhe procedurat e punësimit.

Qeveria me kërkesë të Sindikatës shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq.

Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror. Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës.