Pas shumë zvarritjeve u hap çerdhja në Komunën e Tearcës, Daut Memish paralajmëroi çerdhe tjetër të re
Pas shumë zvarritjeve të procedurave dhe vonesave, sot me ceremoni zyrtare dhe prani të funksionarëve shtetërorë u bë hapja zyrtare e çerdhes së parë në Komunën e Tearcës, shkruan Portalb.mk.
Gjatë fjalës së tij pas hapjes, kryetari i komunës, Daut Memishi paralajmëroi se komuna po përpilon projekt të ri për hapjen e një çerdheje tjetër të re në komunë, pasi kjo çerdhje nuk mund t’i mbulojë nevojat demografike.
“Në koordinim me ministrin, ai tregoi se do ketë thirrje nga ministria. Ne në shpejtësi do të thotë vitin 2027 përgatitemi që të bëjmë projektin, vendin e kemi detektuar dhe më pas do aplikojmë në ministri dhe pse jo në fondet evropiane”, tha Memishi.
Ministri i Politikë Sociale, Deografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski tha se deri në vitin 2028 planifikohen të hapen gjithsej 37 çerdhe të reja në të gjithë vendin.
Pas dy përgjigjeve negative, Ministria e Financave muaj më parë dha pëlqim për punësimet që për shkak të mosrealizimit të tyre pamundësohej hapja e çerdhes së re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës. Ndërsa më pas u publikuan edhe konkurset për punësimet në çerdhe.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 147 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.