Kovaçevski: M-NAV është bërë kompani familjare, ka të punësuar deri në brezin e tretë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në seancën e Qeverisë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndryshimin e drejtorëve në Navigacionin Maqedonas (M-NAV), tha se ka pasur më shumë kandidatë, jo vetëm dy, pasi emri i ish-drejtorit të AAC-së Ilir Mehmedi fillimisht u përmend dhe më pas ai propozim u tërhoq dhe në vend të tij u propozua Hekuran Asani, pasi siç thuhet nga Qeveria, Mehmedi nuk i plotësonte kushtet për këtë pozitë, transmeton Portalb.mk.

“Kanë qenë më shumë kandidatë, jo vetëm dy kandidatë, të cilët janë propozuar dhe konsideruar nga Qeveria, është marrë parasysh edhe Statuti i M-NAV-së dhe në bazë të tij janë veçuar dy kandidatë, njëri prej të cilëve tashmë ishte në M-NAV, atëherë ishte në Agjencinë e Aviacionit Civil, por doli se sipas Statutit të M-NAV-së ai duhet të jetë kontrollor i trafikut ajror”, tha Kovaçevski.

Kandidati që u zgjodh, shtoi kryeministri, u vlerësua nga paneli i ekspertëve si cilësor, tashmë ka 25 vite përvojë në atë degë.

“Janë edhe dy vendime që duhen kontrolluar – do të ketë inspektime të jashtëzakonshme nga Inspektorati i Punës, në fushën e punës së sindikatave, sepse atje ka më shumë sindikata dhe do t’i kërkojmë Agjencisë së Aviacionit Civil që të dorëzojnë raportin për hulumtimet që kanë bërë gjatë periudhës së kaluar”, tha Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në hapjen e poliklinikës së re në Saraj.

Sipas Kovaçevskit, me M-NAV-në duhet të merret më seriozisht jo vetëm Qeveria, por edhe Eurokontrolli sepse, përkujtoi ai, janë në sistemin e Eurokontrollit dhe financimi i tyre vjen nga aty.

“Janë disa aspekte që duhen analizuar dhe në një pjesë që duhet ndërhyrë. Së pari, mendoj se ajo kompani është bërë si një biznes familjar, sepse kur shikon ka punonjës deri në brezin e tretë. Kur ta merrni sindikatën – babai i tij ka punuar atje, ai punon atje, vëllai i tij punon atje, në fund janë bërë si një familje në të cilën kanë konflikte që ndodhin zakonisht në shtëpitë e njerëzve dhe mendoj se duhet të hetohen gjithashtu, dhe siç thotë edhe BE-ja, mënyra se si i bëjnë konkurset dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve etj., të mos ndodhë që një kandidat të marrë teste të gatshme, nuk e di, por kjo duhet parë, sepse ka shumë “rastësi” në atë organizatë, që nënkupton se ndoshta ato rastësi nuk janë aq të rastësishme”, vlerëson Kovaçevski.

Lidhur me faktin se ka zëra se kandidati i ri është nipi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Kovaçevski thotë se nuk e di se i kujt është nipi, pasi që 25 vite ka qenë kontrollor i trafikut ajror.

Në pyetjen e një gazetari se cili është qëllimi i mbikëqyrjes së Sindikatës nga ana e Inspektoratit të Punës, Kovaçevski thotë se kjo nuk paraqet presion mbi sindikatat.

“Nuk është absolutisht presion mbi sindikatat, sepse është një mundësi ligjore që të kryhet mbikëqyrje dhe mbikëqyrje e jashtëzakonshme e veprimtarisë së sindikatave në fushën e kompetencave që ata kryejnë, nëse ato shkojnë përtej kompetencave të tyre. Pra, është një dispozitë e përcaktuar me ligj që nuk nënkupton asnjë presion. Për shembull, nëse keni mbikëqyrje nga Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar në një poliklinikë këtu, atëherë nuk është presion politik, është kryerja e aktiviteteve të institucioneve në përputhje me kompetencat e tyre ligjore”, shtoi ai.

Bordi Mbikëqyrës në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e kryetarit të Bordit Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq, sipas udhëzimeve të marra dje nga Qeveria, dhe pas sulmit në institucion më 4 të këtij muaji.

Me vendimet e Qeverisë u ndalua greva e paralajmëruar për sot nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, e cila pezulloi vendimin për mbylljen e hapësirës ajrore. Gjykata Themelore Penale Shkup, nga ana tjetër, nga sot duhet të vendosë për ankesën e Prokurorisë Publike lidhur me vendimin për mospranimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit për katër të dyshuarit në lidhje me sulmin në M-NAV.

Qeveria në seancën e djeshme propozoi shkarkimin e tre drejtorëve të M-NAV.

Ndërkohë, në M-NAV dje ka hyrë Policia financiare. Nga atje për mediat njoftuan se do të bëjnë kontrolle për të parë a ka dyshime për vepra penale në procedurat financiare.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Por sulmi i 4 janarit u konsiderua më seriozi, i cili ndodhi nga të dyshuarit në krye me Bekim Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë, pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjerë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.