VMRO – DPMNE ka vendosur të marrë pjesë në qeverinë teknike

Komitetit Ekzekutiv në VMRO-DPMNE ka vendosur të marrë pjesë në Qeverinë Teknike të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar që Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë, transmeton Portalb.mk.

Ata kanë vlerësuar që dyshja Kovaçevski – Ahmeti janë duke e shkatërruar sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.

Në një deklaratë për media, VMRO-DPMNE raportoi që Komiteti Ekzekutiv vendosi për të filluar nismën për shtyrjen e afatit për nxjerrjen e dokumenteve personale. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, paraprakisht ka theksuar që kjo do të jetë arsyeja kryesore pse do të marrin pjesë në këtë përbërje qeveritare.

Ata nuk kanë caktuar emrat e ministrave që do të udhëheqin ministritë në këtë qeveri teknike, ndërsa theksuan që Talat Xhaferi është emër i propozuar për kryeministër vetëm nga marrëveshja mes BDI-së dhe LSDM-së.

Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.