Gjiri i Lalzit, “perlë” vetëm në korrik dhe gusht?

Turizmi dymujor nuk mund të quhet sukses – Gjiri i Lalzit-“perlë” vetëm në korrik dhe gusht?

Gjiri i Lalzit, emër që vitet e fundit përflitet dhe paraqitet si një nga perlat e rivierës së Durrësit, në mes të shtatorit është pothuajse bosh. Ndërkohë, gëlojnë informacionet, kronikat dhe emisionet që flasin me entuziazëm për rritjen e numrit të turistëve edhe në këtë destinacion turisrik në Shqipëri.

Atëherë kujt duhet t’i besojmë: syve tanë apo lavdeve mediatike, shpesh të ofruara nga gazetarë “investigativ”?

Pranvera dhe vjeshta vazhdojnë të jenë stinë pothuajse të vdekura turistike për këtë hapësirë. Dhe vetvetiu lindin pyetjet: pse? Kush është fajtor? Shteti, bizneset, apo mos vallë turisti?

Turistin duhet që në fillim ta përjashtojmë nga lista e fajtorëve. Ai udhëton me paratë e veta dhe, në kushtet e globalizimit, transportit gjithnjë e më të arritshëm dhe konkurrencës së madhe ndërmjet destinacioneve, zgjedh sipas interesit dhe logjikës së vet. Nëse për të njëjtën shumë parash diku tjetër merr më shumë cilësi, më shumë përmbajtje dhe më shumë përvojë, ai thjesht shkon atje.

Prandaj, fajtorët duhet t’i kërkojmë diku tjetër.

Shteti dhe infrastruktura që mbeti pas investimeve është fajtori kryesor për problemin që shtjellojmë.

Po të analizohen përgjegjësitë e shtetit për Gjirin e Lalzit, duhet nisur nga mungesa e një strategjie të qartë: çfarë dëshiron shteti të bëjë me këtë pjesë të bregdetit? Në këtë rajon që nga koha e ish funksionerëve të cilët për vilat e tyre shtruan ca bekatonka, shteti nuk ka vënë dorë fare është lënë në duart e privatit që ka rrethuar me gardhe parcela sipas ligjit “të më të fortit”.

Kemi resorte, hotele me pesë yje, marina dhe investime shumë milionëshe, por nuk kemi ende një koncept të integruar të destinacionit.

Mjafton të përmendet rruga që lidh aksin Tiranë–Durrës me Gjirin e Lalzit, një distancë prej rreth 20 kilometrash. Në një pjesë të mirë të saj ajo vazhdon të jetë, në thelb, rruga që dikur lidhte fshatrat e zonës, sot e mbuluar me asfalt me plot gropa, por jo e konceptuar si arterie e një destinacioni modern turistik.

Turistit me makinë i duhen së paku rreth 40 minuta për ta kaluar këtë segment, ndërsa në pikun e sezonit shumë më tepër. Kufizimet e shpejtësisë, kalimi nëpër vendbanime, këmbësorët, kafshët dhe pengesat e tjera e bëjnë udhëtimin të lodhshëm.

Dhe pikërisht përgjatë këtij rajoni kemi investime të mëdha turistike: në Hamallaj resortin Valamar dhe Turquoise Marina; në Fushë-Lalëz kompleksin San Pietro dhe hotelin Meliá; më tej komplekset Lura, Perla, hotelet e njohura Mövenpick, Elite Bay etj. Përgjatë bregdetit kemi dhjetëra restorante, bare dhe beach-bar-e të frekuentuara nga turistë vendas dhe të huaj.

Por çfarë ndodh sapo turisti del nga hoteli, resorti apo plazhi?

Pothuajse asgjë; ndërsa mbrëmjet, në vend që ta plotësojnë përvojën turistike, shndërrohen në një boshllëk të zymtë.

Nuk kemi një shëtitore bregdetare të mirëfilltë. Nuk kemi hapësira publike të projektuara me identitet. Ndriçimi publik pothuajse nuk ekziston.  Mungojnë stolat, këndet e pushimit, hapësirat për fëmijë dhe elementet bazë të një destinacioni ku turisti mund të kalojë mbrëmjen.

Në terminologjinë turistike, pikërisht këto janë pjesë e ofertës jashtëakomoduese dhe jashtëpansionale, tregues shumë të rëndësishëm të shkallës së zhvillimit të një destinacioni.

Hoteli nuk është destinacion. As resorti nuk është destinacion. Destinacioni fillon aty ku mbaron porta e resortit.

Po qetësia e turistit?

Një problem tjetër është zhurma.

Kush duhet të kujdeset për qetësinë e turistit që ka paguar për pushim?

Muzika e padurueshme gjatë ditës në disa pjesë të plazhit, ndërsa natën festa, ditëlindje, fejesa, martesa dhe ahengje të tjera, të shoqëruara shpesh edhe me fishekzjarre pas mesnate, krijojnë pikërisht të kundërtën e asaj që kërkon një pjesë e konsiderueshme e turistëve.

Nëse një destinacion dëshiron të tërheqë familje, turistë të moshës së mesme, pensionistë, vizitorë të huaj dhe klientelë me fuqi më të lartë blerëse, jashta pikut sezonal, qetësia është pjesë e produktit turistik.

Kush e garanton atë?

Edhe biznesi ka pjesën e vet të përgjegjësisë

Nuk mund të fajësohet vetëm shteti.

Edhe sektori privat i përfshirë në ofrimin e shërbimeve turistike mban përgjegjësi për shkurtimin e sezonit në bregdetin shqiptar.

Vitet e fundit çmimet janë rritur ndjeshëm, por jo gjithmonë paralelisht me krijimin e vlerës së re për turistin.

Në turizëm nuk mund të kompensohet mungesa e volumit vetëm duke rritur çmimin. Një politikë e tillë mund ta përmirësojë rezultatin afatshkurtër të biznesit, por në afat më të gjatë e ul konkurrueshmërinë e destinacionit.

Turisti i sotëm krahason.

Ai krahason Shqipërinë me rajone të ngjashme si: Plazhi i madh- Ulqin dhe Beçiçi- Budva, Petrovac në Malin e Zi, Medulin, Zelena Laguna- Poreç në  Kroaci,Olympic Riviera, Halkidiki në Greqi, apo destinacione të tjera në Itali si psh. Lignano Sabbiadoro, Rimini-Riccione etj. Turistin nuk e intereson sa ka investuar pronari i hotelit apo sa i kushton biznesit sezoni. Atij i intereson vetëm një pyetje:

Çfarë marr për paratë që paguaj?

Gjiri i Lalzit ka resurse, por ende është produkt i pakompletuar turistik

Nga këndvështrimi i zhvillimit turistik, Gjiri i Lalzit ka një produkt natyror jashtëzakonisht të mirë: detin, plazhin, klimën, afërsinë me tregun turistik Tiranën, aeroportin dhe Durrësin, si dhe një numër gjithnjë e më të madh kapacitetesh cilësore akomoduese.

Por ende nuk është një destinacion turistik plotësisht i kompletuar.

Problemi themelor është se ndërtimi i kapaciteteve akomoduese ka ecur shumë më shpejt sesa zhvillimi i infrastrukturës dhe ofertës së përbashkët turistike.

Për të zgjatur sezonin nuk mjaftojnë hotelet dhe apartamentet.

Duhet një shëtitore bregdetare e mirëfilltë; hapësira publike dhe sheshe me identitet; një qendër e vogël turistike që jeton edhe në mbrëmje; kafene, restorante dhe dyqane veshjesh kombëtare e suveniresh të hapura edhe jashtë korrikut e gushtit; shtigje biçikletash dhe e-bike; sporte ujore të organizuara; aktivitete për fëmijë; ture me guida; ekskursione me varka; transport më i organizuar drejt Tiranës dhe Durrësit, por edhe brenda vetë zonës.

Sepse pyetja kryesore është shumë e thjeshtë:

Çfarë i ofrojmë turistit në Gjirin e Lalzit në një pasdite tetori, pasi ka mbaruar plazhin – ose kur moti nuk e lejon fare të shkojë në plazh?

Sot përgjigjja është shumë e varfër.

Mangësia tjetër e madhe është identiteti turistik i destinacionit.

Ka komplekse të mira individuale, por vizitori ende nuk e percepton Gjirin e Lalzit si një destinacion tërësor, me histori, kulturë, gastronomi dhe përvojë të vetën.

Edhe gastronomia është pjesë e këtij problemi. Shumë menu janë pothuajse copy-paste: të njëjtat pjata, të njëjtat koncepte, shumë pak lidhje me traditën dhe produktin vendas dhe çlus me marzhe të shumëfishuara!

Ku është kuzhina karakteristike e zonës? Ku janë produktet lokale? Ku është historia që duhet t’i tregojmë turistit përmes ushqimit?

Edhe Kepi i Rodonit, një aset i jashtëzakonshëm natyror, historik dhe kulturor në afërsi, mbetet shumë pak i integruar në produktin turistik të Gjirit të Lalzit.

Kepi i Rodonit mund të ishte një nga atraksionet kryesore që do ta ndihmonte Gjirin e Lalzit të mos shitej vetëm si destinacion plazhi. Historia me Kalanë e Skënderbeut/Rodonit, fortifikim i shekullit XV dhe Kisha e Shën Ndout, me elemente romaniko-gotike dhe vlerë të konsiderueshme e trashigimisë e ndërthurur me aktivitetet e hikingut e shëtitjes në natyrë, paraqesin bazament për një produkt turistik edhe në periudhën prill–maj dhe shtator–tetor. Turet me biçikleta dhe e-bike, kayak, pikniqet, turet me guidë dhe ekskursione drejt Kepit të Rodonit do të krijonin pikërisht atë që sot mungon: arsye për të ardhur edhe kur nuk është korrik apo gusht.

Turizmi nuk matet vetëm me numrin e hyrjeve në kufi, por me numrin real të vizitorëve përmes një sistemi të kënaqshëm të inventarizimit të çdo lëvizjeje dhe çdo zëri të realoziar më ekonominë turistike të Shqipërisë.

Këtu qëndron edhe problemi me mënyrën se si e perceptojmë suksesin turistik.

Rritja e numrit të turistëve në nivel kombëtar është sigurisht pozitive. Por numri i hyrjeve nuk na tregon vetvetiu cilësinë e zhvillimit të një destinacioni.

Duhet të pyesim: Sa net qëndron turisti? Sa shpenzon? Sa prej parave të tij mbeten në ekonominë lokale? A kthehet përsëri? A e rekomandon destinacionin? Dhe, mbi të gjitha, sa muaj në vit funksionon realisht ekonomia turistike?

Nëse një destinacion me investime kaq të mëdha mbushet në korrik dhe gusht, ndërsa në mes të shtatorit fillon të zbrazet, kemi arsye të mendojmë seriozisht për modelin që kemi krijuar.

Sepse turizmi dymujor nuk mund të quhet sukses.

Suksesi do të jetë atëherë kur Gjiri i Lalzit të ketë arsye për t’u vizituar jo vetëm për detin dhe shezlongun, por edhe për gastronominë, natyrën, aktivitetet, kulturën, argëtimin, sportin, qetësinë dhe përvojën që ofron.

Gjiri i Lalzit e ka potencialin.

Por potenciali nuk është sukses. Potenciali është vetëm mundësia për ta krijuar atë.