Sulmi në M-NAV, Gjykata caktoi paraburgim shtëpiak për Bekim Nezirin dhe tre sulmuesit tjerë

Gjykata Themelore Penale e RMV-së, në seancën publike të zhvilluar sot, ka caktuar masë paraburgimi shtëpiak për katër personat e përfshirë në rastin e sulmit në ofruesin kombëtar të shërbimeve të aviacionit, SH.A ‘’M-NAV’’, pas ankesave të Prokurorit publik ndaj vendimit të mëparshëm të Gjykatës, transmeton Portalb.mk. Mes tyre është këshilltari i drejtorit të M-NAV dhe kryetar i degës së BDI-së në Çair, Bekim Neziri. Katër persona të tjerë janë në arrati.

Të katërtit duhet të qëndrojnë në paraburgim shtëpiak për 30 ditë dhe për ta do të ketë masa shtesë të kujdesit, përkatësisht konfiskim të dokumenteve të udhëtimit, ndalim për afrim dhe mbajtjen e kontakteve dhe marrëdhënieve ndërmjet të dyshuarve dhe viktimës.

Gjykata Penale bën me dije se për të informuar opinionin dhe për të shuar të gjitha spekulimet dhe keqkuptimet, është e nevojshme të theksohet se ndërhyrja nuk ka ndodhur në kullën e kontrollit, nga ku kontrollohen fluturimet, por në dhomën e cila ndahet nga të paktën dy hyrje sigurie përballë kullës.

“Por fakt është se të dyshuarit kanë ndërmarrë veprime të caktuara që duhet të hetohen më tej për të konstatuar gjendjen reale. Për të gjitha këto, Këshilli Penal në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka marrë vendim për përcaktimin e masave që do të ofrojnë garanci shtesë për disponueshmërinë e mëtutjeshme të këtyre katër të dyshuarve”, thonë nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

Mbikëqyrja e arrestit shtëpiak, sipas vendimeve, është në kompetencë të MPB-së, dhe kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në Shkup në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimeve.

Në seancën e sotme publike, prokurori Dejan Petreski sqaroi se ekziston rreziku i arratisjes, mundësia e ndikimit të të dyshuarve në procedurë apo përsëritjes së veprës penale dhe se paraburgimi efektiv është e vetmja masë që do të sigurojë praninë e tyre.

Avokati i Nezirit, Elenko Milanov, tha se incidenti nuk ka ndodhur në kullën e kontrollit M-NAV, por në dhoma të tjera. Ai po ashtu tha se Neziri nuk ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, por gjithçka ka ndodhur pas shpinës së tij.

Katër nga të dyshuarit tjerë janë ende të pakapshëm për policinë. Në këtë moment ata janë në kërkim me fletarrest kombëtar dhe nëse nuk gjenden, MPB duhet të njoftojë prokurorinë dhe të kërkohet nga gjykata të caktohet masa e paraburgimit në mungesë, si dhe ndaj tyre të lëshohet fletarrest ndërkombëtar.

Kujtojmë se më 5 janar për sulmin në objektin e M-NAV dhe sulmin ndaj punonjësve, Gjykata Penale caktoi vetëm masë kujdesi ndaj Nezirit dhe tre personave të tjerë, ndonëse Prokuroria Publike ka kërkuar masën e paraburgimit.

Pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski e quajti kompani familjare M-NAV dhe kërkoi inspektim, Inspektorati shtetëror i punës hyri në M-NAV për mbikëqyrje. Policia Financiare gjithashtu ka kryer kontroll në ndërtesën administrative të M-NAV-së në qendër të Shkupit për të hetuar mbi operacionet financiare të kompanisë, por edhe të Sindikatës, prokurimin publik dhe, siç theksohet në njoftimet dhe procedurat e punësimit.

Qeveria me kërkesë të Sindikatës i shkarkoi drejtorët e M-NAV, ndërsa bordi Mbikëqyrës në M-NAV pritet të zyrtarizojë shkarkimin e drejtorit dhe kryetarit të Bordit, Fahrudin Hamidi dhe drejtorit ekzekutiv sektorial, Ljube Stamenkovski dhe në vend të tyre të emërojë Hekuran Asanin dhe Milan Koraq.

Me shkarkimin e drejtorëve u ndalua greva e paralajmëruar dhe kërcënimi për mbylljen e hapësirës ajrore nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës.