“Struktura e mendimit ” – një reflektim mbi arkitekturën, trashëgiminë, ndërtimin dhe identitetin
Shkruan: Bardhyl Halitjaha
Përmbledhje e librit “Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin”
Libri “Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin”, i autorit Bardhyl Halitjaha, përfaqëson një rrugëtim profesional dhe intelektual të ndërtuar ndër vite përmes përvojës në projekte të ndryshme arkitekturore dhe inxhinierike brenda dhe jashtë Evropës.
I promovuar gjatë muajit gusht 2026 në Prishtinë, Suharekë dhe Prizren, libri u mirëprit nga profesionistë të arkitekturës dhe ndërtimit, përfaqësues të institucioneve kulturore, studiues, studentë dhe lexues të interesuar për zhvillimin e hapësirës së ndërtuar dhe ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore.
Gjatë promovimeve, diskutimet nuk u kufizuan vetëm te libri si botim i ri, por u shndërruan në një debat më të gjerë mbi profesionin, etikën, përvojën praktike dhe përgjegjësinë që bart çdo profesionist ndaj asaj që projekton dhe ndërton. Në qendër të veprës qëndron bindja se arkitektura dhe ndërtimi nuk janë vetëm çështje formash, materialesh dhe teknologjish ndërtimore. Ajo është një pasqyrë e mënyrës se si mendon një shoqëri, e vlerave që ajo ruan dhe e gjurmëve që dëshiron t’u lërë brezave që vijnë. Përmes reflektimeve dhe përvojave profesionale, autori trajton tema që lidhen me projektimin, ndërtimin, restaurimin, përgjegjësinë profesionale dhe raportin mes zhvillimit modern dhe ruajtjes së identitetit kulturor. Libri ngre pyetje që shkojnë përtej profesionit: si ndërtojmë, çfarë ruajmë dhe çfarë humbim kur harrojmë lidhjen mes arkitekturës dhe historisë sonë.
Vlera e veprës është vënë në pah edhe nga recensenti Dr. Sc. Ilir Rodiqi, i cili e ka cilësuar librin si “një kontemplacion mbi rrjedhat që zhvillohen në projektet arkitektonike”. Sipas tij, vepra nuk është një tekst teorik apo shkencor në kuptimin tradicional, por një përmbledhje reflektimesh që burojnë nga përvoja e drejtpërdrejtë e autorit në projektet ndërtimore dhe praktikat profesionale. Ai ka theksuar se suksesi i një projekti nuk varet vetëm nga teknologjia dhe dokumentacioni, por edhe nga dija, parimet dhe përgjegjësia profesionale e atyre që e realizojnë atë.
Po ashtu, redaktorja e librit, pedagogia Loreta Schillock, e ka vlerësuar veprën si një tekst që kërkon të lexohet dhe rilexohet, në mënyrë që lexuesi të depërtojë më thellë në mendimet dhe mesazhet e autorit. Sipas saj, një nga veçantitë e librit është se arkitektura trajtohet jo vetëm si profesion teknik, por edhe si mënyrë e të menduarit dhe e reflektimit mbi hapësirën, njeriun dhe shoqërinë. Një vend të veçantë në vepër zë trashëgimia arkitekturore, të cilën autori e konsideron një nga dëshmitë më të rëndësishme të identitetit të një populli. Për Bardhyl Halitjahan, restaurimi dhe ruajtja e objekteve me vlerë historike nuk është vetëm proces teknik, por një përgjegjësi ndaj kujtesës kolektive dhe kulturës së një vendi. Kjo filozofi përmblidhet në një nga mesazhet kryesore të autorit:
“Arkitektura është edhe identitet i një vendi.” Rrugëtimi profesional i Bardhyl Halitjahës është i lidhur ngushtë me jetën e tij si mërgimtar. Për shumë vite ai ka vepruar në Gjermani, ku ka fituar përvojë në projektim, modelim tredimensional, restaurim dhe realizim të projekteve komplekse ndërtimore. Pjesë e kësaj eksperience janë edhe angazhimet në projekte me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë punën në zgjerimin e Matafit në Xhaminë e Madhe në Mekë, Grand Tower ndërtesa më e lart në Gjermani, Stacioni i Trenit Stuttgart si dhe pjesëmarrjen në projekte të restaurimit dhe ruajtjes së trashëgimisë arkitekturore.
“Struktura e Mendimit” është rezultat i dëshirës për ta sjellë këtë përvojë pranë lexuesit shqiptar, duke e shndërruar praktikën profesionale në reflektim dhe dijen e fituar në një burim frymëzimi për brezat e rinj të arkitektëve, inxhinierëve dhe studiuesve. Libri u drejtohet jo vetëm profesionistëve të fushës, por edhe studentëve, studiuesve dhe të gjithë atyre që besojnë se hapësira ku jetojmë, ndërtesat që ndërtojmë dhe monumentet që ruajmë janë pjesë e identitetit tonë kolektiv. Në thelb, mesazhi i veprës është se të ndërtosh nuk mjafton. Përpara çdo ndërtimi duhet të ekzistojë mendimi; pas çdo vendimi duhet të qëndrojë përgjegjësia; ndërsa pas çdo vepre mbetet gjurma e atyre që e kanë projektuar dhe ndërtuar. “Struktura e Mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin” mund të gjendet në libraritë kryesore të Kosovës, ndërsa informacionet më të reja për librin, aktivitetet promovuese dhe temat nga fusha e arkitekturës, ndërtimit dhe trashëgimisë kulturore mund të ndiqen edhe përmes faqeve të tij online.