Eksorcizmi i të Atit

Shkruan: Naim Iljazi

Kohëve të fundit lexoj e dëgjoj shpesh, në rrjete, podkaste e biseda baresh, një mënyrë të re për të folur për babain. Ndonjëherë bëhet me vetëdije, ndonjëherë mbase pa vetëdije. Ndonjëherë bëhet thjesht për t’u dukur modern, “in” dhe “cool”. Babai po kthehet në figurë karikature, sa autoritar, aq dhe i ftohtë, mbartës i një rendi të vjetër që duhet shembur. Padyshim, unë jam për çmitizimin e rolit të babait. Por çmitizimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se babai është i keq. Paraqitja e figurës së babait si diçka demonike, më shumë vjen nga shkaku i varfërisë mendore, nga një frustracion i çuditshëm, i mbërthyer nga një resentiment dogmatik, ku folësi mbetet peng dhe “viktimë” e hijes së babait. Ku çdo dështim i jetës shndërrohet në një faturë që i adresohet sërishmi babait, e ikja nga përgjegjësia individuale e akuzuesit kthehet në një art të heshtur për të fituar simpatinë, ndoshta dhe mëshirën e botës, kundrejt të sajuarit demon, baba!

Të rikthehemi te çmitizimi i babait. Për shekuj me radhë, shoqëria shqiptare u ndërtua mbi një strukturë të fortë patrilineare, ku shtëpia e madhe, familja dhe fisi mishëroheshin te figura e “të zotit të shtëpisë”, e kodifikuar shenjtërisht në të drejtën zakonore. Në një kohë pa shtet funksional dhe të organizuar, për të cilin Branko Merxhani thoshte se “u bëmë shtet para se të arrijmë të plotësojmë formimin tonë si shoqëri”, babai ishte shpesh të gjitha institucionet bashkë. Ai shihej si mbrojtja, financat, drejtësia dhe kujtesa e familjes. Nuk po e them këtë për ta romantizuar, përkundrazi. Babai në historinë e popullit tonë, shpesh e mbingarkon rolin e tij për të mbajtur statusin e ‘të mirit’ dhe të sakrifikuarit. Në fakt, ai punon më shumë seç duhet, shpesh duke i ikur pranisë reale te fëmijët, qoftë edhe kur ata tashmë janë rritur, vetëm për t’u garantuar atyre një të ardhme që sipas babait, ata vetë nuk mund ta arrijnë. Ky rol i fryrë duhet të çmitizohet rrënjësisht, sepse pikërisht nga kjo dinamikë lind figura e fëmijës dembel, i papunë e i padijshëm, që kërkon përfitime materiale e llogari pikërisht nga ai që e akuzon.

Dhe, në momentet më të mira të historisë sonë, babai ka qenë edhe reformator. Nuk ishte më pak se Anton Zako Çajupi ai që e vuri në lojë martesën e sajuar dhe marrëzitë e zakonit. Po të jetonte sot, ndoshta do të protestonte përsëri me poezi për rolin e gruas shqiptare. Reformat e mëdha të familjes shqiptare i sollën edhe baballarët që i dërguan vajzat në shkollë kur katundi qeshte me ta. Dhe e gjitha kjo, dhe përqeshja, erdhi pikërisht si pasojë e një politike dhe shtypjeje kulturore të imponuar nga faktorë të jashtëm, e jo nga nevoja apo mirëmbajtja e brendshme e vetë organizmit shoqëror.

A ka baba “të keq”? Rousseau, teoricieni i madh i edukimit, që ndodh shpesh ta kem personalisht si referencë, sidomos kur bëhet fjalë për mendimin politik, i la fëmijët e vet në jetimore. Pra, ai që shkroi më bukur idetë mbi atësinë, ishte një baba më i keq se shumë njerëz analfabetë që nuk kishin lexuar asnjë rresht. Këtu qëndron dallimi që dua të bëj, se ideologjia e atësisë është një gjë, kurse gjendja reale e të qenit baba është diçka tjetër. Të kritikosh të parën është detyrë intelektuale, dhe të përqeshësh të dytën është shpesh thjesht varfëri mendore. Shumë rituale të trashëguara janë primitive sot dhe duhet të lihen pas pa menduar dy here, por këto nuk kanë të bëjnë me gjendjen baba si të tillë. Ato janë mbeturina të një rendi shoqëror, jo e vërteta e një njeriu që ushtron rolin e babait. Mbase ka edhe raste të skajshme patologjike, ku nga epshet është përfituar statusi i atësisë, ose persona me probleme psikike që mbajnë këtë status pa qenë të aftë të ushtrojnë rolin e babait. Këta individë nuk duhet të shërbejnë si shembull për të ngritur stereotipa kolektive. Mbase ka dhe nga ata që, të udhëhequr nga një devotshmëri apo dija e cunguar, shfaqen më të mbyllur ndaj botës, por as kjo nuk përbën arsye dhe as nuk mjafton që babain ta zhveshim nga njerëzorja e tij duke e vendosur në rolin e demonit. Kjo nuk është e drejtë.

Dhe përtej stereotipeve të kohës për t’u dukur viktimë moderne e robëruar nga figura e të atit, bëhemi ende më qesharakë duke ngatërruar ndërtimin e sistemit të një shteti me trashëgiminë e babait. Patjetër, ajo më e preferuara e imja është krahasimi, sidomos me vendet perëndimore, se ja “shiko prindin diku tek, e ka pavarësuar fëmijën që në 18 vjeç.” Çfarë klisheje miq? Pyetja nuk qëndron se “kush e largon apo pavarson fëmijën më herët”. Pyetja është “kush e mban fëmijën kur largohet”. Dhe këtu harrojmë gjënë kryesore, atë se në Perëndim nuk e pavarëson babai fëmijën, e pavarëson sistemi. Pa dashur t’i përmend përfitimet nga shteti, po them vetëm se koha e babait me fëmijën atje është politikë publike, e jo vetëm virtyt personal. Dhe ka diçka tjetër që harrohet se shteti atje nuk luan vetëm rolin e dhënësit, por edhe të detyruesit. Pavarësia atje nuk është dhuratë e babait. Është kontratë mes të riut dhe shtetit. Largimi i hershëm nuk është çështje karakteri apo primitiviymi prindëror. Është çështje tregu pune, strehimi dhe politikash. Ta krahasosh trashëgiminë, pa e krahasuar shtetet tona me shtetet perëndimore , është padrejtësi intelektuale.

Prandaj, çmitizimi i babait duhet të ecë paralelisht me kërkesa politike, që ai të lirohet nga barra që nuk i takon. Babai nuk ka nevojë të jetë mit. Por as nuk meriton të jetë tallje. Ai meriton të kuptohet si njeri që ka jetuar në një kohë dhe sistem të caktuar. Ndonjëherë ka gabuar, shpesh ka sakrifikuar duke e ndjerë si obligim, dhe shumë rrallë e ka pyetur dikush si ndihet. Mendoj që ndoshta revolucioni më i madh që mund t’i bëjmë atësisë shqiptare nuk është ta rrëzojmë babain nga froni. Është ta ftojmë të ulet në tavolinë me ne, si i barabartë.