Policia financiare hyri në M-NAV për të inspektuar funksionimin e kompanisë

Policia Financiare ka hyrë për kontroll dhe vështrim të funksionimit të M-NAV. Siç bëjnë të ditur, bëhet në bazë të raportit pa specifikuar se për çfarë raporti bëhet fjalë, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën për media të mbajtur më 4 janar të këtij viti, pak orë para depërtimit të dhunshëm në M-NAV, kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror është pyetur se pse e ka thirrur Prokurorinë Publike në profilin e tij në Facebook dhe nëse do t’i dorëzonte policisë financiare dëshmi për dyshimet e tij për vepër penale. Aleksandar Tasevski tregoi një shembull kur është dashur të ndërtohet një objekt për nevojat e M-NAV, por në vend të kësaj është rinovuar një garazh prej 280 metrash katrorë për të cilin ishin paguar 400.000 euro.

“Nëse kjo nuk është arsye e mjaftueshme që institucionet të fillojnë të hetojnë, atëherë është problem serioz, të jenë të verbër dhe të shurdhër ndaj gjërave që tashmë janë të njohura për opinionin”, tha atëherë Tasevski.

Qeveria në seancën e sotme shkarkoi dy nga tre drejtorët e M-NAV. Në vend të kreut të bordit drejtues Fahrudin Hamiti, ekzekutivi ka emëruar Ilir Mehmetin, kurse në vend të Lube Stamenkovskit ka emëruar, Milan Koraç, shkruan Alsat.

Pakënaqësitë në M-NAV kanë nisur prej kohësh dhe sindikata disa herë ka paralajmëruar se po punësohen kuadro partiake dhe jo profesionale, për këtë arsye është kërkuar një reformë serioze në shërbim dhe përmirësimi i kushteve të punës. Por sulmi i 4 janarit u konsiderua më seriozi, i cili ndodhi nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë, pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror. Më 5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale, por nuk iu shqiptua masa e paraburgimit.