Petrushevski: Kërkojmë drejtësi për 14 personat që humbën jetën në zjarrin në spitalin modular në Tetovë

VMRO-DPMNE-ja akuzoi partinë opozitare LSDM se, përmes ndikimeve të saj në sistemin e drejtësisë, po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë për rastin e spitalit modular, pasi gjykatësi Afrim Fidani i liroi nga akuzat ish-drejtorët e Spitalit të Tetovës, Artan Etemi dhe Florin Besimi, për zjarrin ku humbën jetën 14 persona, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëssekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe deputeti, Brane Petrushevski, në konferencën e sotme për media tha se ky është një tjetër rast në të cilin, sipas tij, gjyqësori vepron në mbrojtje të ish-funksionarëve të LSDM-së dhe BDI-së.

Ai bëri një krahasim me rastin e zjarrit në spitalin modular, duke theksuar se më herët prokurori Islam Abazi nuk kishte hapur lëndë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Pasi para vetëm disa muajsh Islam Abazi e amnistoi Filipçen nga çdo përgjegjësi në rastin e spitaleve modulare, duke mos hapur lëndë për të njëjtin, sot Afrim Fidani i liroi Artan Etemin dhe Florin Besimin, ish-drejtorët e Spitalit të Tetovës, për zjarrin ku humbën jetën 14 bashkëqytetarë tanë”, deklaroi Petrushevski.

Ai pyeti se si është e mundur që për zjarrin në spitalin modular të mos ketë persona të akuzuar apo të dënuar, si dhe pse ish-ministri Filipçe nuk është thirrur as për të dhënë deklaratë informative.

Petrushevski kundërshtoi edhe përgjegjësinë që, sipas tij, ishte kufizuar te kablloja, duke theksuar se duhet të përcaktohet përgjegjësia e plotë për tragjedinë.

Sipas tij, Filipçe dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes njerëzve të tyre në gjyqësor po përpiqen të mbrohen nga përgjegjësia.

“A fshihen aktgjykimet dhe akuzat në gjyqësor nëse jeni të afërt me Filipçen ose Ahmetin? Për një rast në të cilin u dogjën të gjallë 14 bashkëqytetarë tanë, duhet të ketë një epilog tjetër gjyqësor. Drejtësi duhet të ketë”, u shpreh Petrushevski.

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.

Por, pesë vjet më vonë, askush nuk është thirrur në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit,