Një muaj paraburgim për dhunuesin e Sarës në Ohër
Gjykata Themelore e Ohrit i caktoi 30 ditë paraburgim 31-vjeçarit Kristijan Koraboski, i akuzuar se e ka sulmuar fizikisht partneren e tij 26-vjeçare, Sara Gjorgjieska, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria e ngarkon për lëndim trupor, privim të kundërligjshëm nga liria dhe rrezikim të sigurisë.
Sipas Prokurorisë, ai e ka mbajtur partneren të mbyllur në mënyrë të kundërligjshme, e ka sulmuar dhe i ka shkaktuar lëndime trupore gjatë ushtrimit të dhunës në familje.
Pas denoncimit, e dëmtuara u mor në pyetje në prani të përfaqësuesve të shërbimeve sociale. U krye edhe ekspertizë mjekësore për të përcaktuar llojin dhe natyrën e lëndimeve.
Pas mbledhjes së provave, Prokuroria ngriti akuzë për tri veprat penale dhe kërkoi paraburgim. Gjykata e miratoi kërkesën për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Koraboski u privua nga liria dje. Më herët, Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, i kishte caktuar masa kujdesi.
Rastet e dhunës në familje dhe ndaj grave ditëve të fundit kanë bërë bujë në opinionin publik. Vetëm dje, Policia e Maqedonisë së Veriut brenda 24 orëve ka regjistruar gjashtë raste të ndryshme dhune në familje.