Vazhduan dëshmitë për modularin, eksperti i elektroteknikës: Rryma nuk ka qenë e instaluar siç duhet (Video)

Në seancën e sotme gjyqësore për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona vazhduan dëshmitarët. Dëshmoi një ekspert i elektroteknikës, një dëshmitare e cila ka qenë brenda objektit kur ka shpërthyer zjarri si dhe avokatët e të akuzuarve prezantuan titujt e provave të shkruara. Eksperti i elektronikës tha se rryma elektrike nuk ishte instaluar në formën e duhur në objektin e modularit, shkruan Portalb.mk.

Eksperti i elektroteknikës, Irfan Shaqiri i cili me kërkesë të Prokurorisë ka kryer hetim për shkaqet e mundshme të zjarrit, theksoi se është konstatuar që vendosja e rrymës elektrike nuk është bërë në mënyrën e duhur.

“E gjithë procedura e kryerjes së instalimit elektrik nga fillimi deri në fund nuk është kryer në përputhje me rregulloret dhe rregullat për këtë lloj ndërtimi”, tha Shaqiri.

Ai shtoi se lidhja e rrymës është bërë nga dy punonjës të Spitalit Klinik pa ndonjë elaborat.

“E gjithë puna e këtyre dy elektricistëve është kryer pa asnjë mbikëqyrje nga inxhinierë të licencuar elektrikë, të autorizuar nga Dhoma jonë e Inxhinierëve Elektrikë”, tha mes tjerash Shaqiri i cili nënvizoi se instalimi elektrik është kryer në mungesë të dokumenteve të nevojshme për këtë lloj ndërtimi.

Dëshmoi edhe Ogica Delevska, e cila ka qenë me burrin e saj në modular. Ajo sqaroi rrethanat se si ka ndodhur zjarri dhe se kanë ikur nga dritarja për t’i shpëtuar fatkeqësisë.

Ajo sqaroi se ka parë edhe persona tjerë shoqërues të pacientëve brenda në modular. Sipas saj, askush nuk u ka thënë se nuk mund të qëndrojnë brenda modularit si dhe se nuk ka parë se te dera kishte njoftim për ndalesë për tu futur brenda. Gjithashtu, ajo tha se nuk ka parë aparate kundër zjarrit.

Seanca e radhës u caktua për me 21 mars, ndërkaq në të njëjtën pritet që avokatët e të akuzuarve të tregojnë për rrethanat për të cilat thirren dëshmitarët e propozuar nga ana e tyre.

Sot përsëri para fillimit të seancës, një grup qytetarësh u mblodhën para gjykatës në mbështetje të doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator ndërsa deri tani janë mbajtur nëntë seanca, disa prej të cilave janë anuluar.

Familjarëe viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Kush dhe për çfarë akuzohet?

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. 

Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi. Drejtori i Spitalit të Tetovës njoftoi se në atë vend parashihet të vendoset pllakë përkujtimore për viktimat që humbën jetën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button