Aktorja dhe deputetja Lidija Vukiqeviq u lag me kos para Parlamentit të Serbisë

Aktorja dhe kandidatja për deputete nga lista e “Serbisë së Bashkuar”, Lidija Vukiqeviq, u lag sot me kos teksa hynte në Parlament. Ajo iu drejtua publikut nga salla e Kuvendit dhe tha se ndihej keq pasi ishte sulmuar nga serbë, transmeton Portalb.mk.

“Ndihem shumë keq sepse u sulmova nga serbë. Gjithë jetën dhe karrierën time ia kam kushtuar Serbisë, popullit tonë, për ta bërë të lumtur dhe për të dhënë gjithçka nga vetja. Kemi arritur në një situatë ku, nëse nuk mund të ndihesh i sigurt para Kuvendit Popullor, ku do të shkosh? Mes gjithë atyre thirrjeve dhe fyerjeve, buzëqesha dhe përshëndeta, por për atë shkallë primitivizmi, marrëzie dhe sjelljeje nuk kam fjalë”, deklaroi ajo.

Para konstituimit të Kuvendit, kandidatët për deputetë nga Lista Studentore u pritën me përshëndetje, ndërsa ata të “Serbisë së Bashkuar” me fishkëllima. Gjatë hyrjes, Vukiqeviq u lag me kos.

Mediat raportojnë se këtë e bëri Marija Radovanoviq, ish-sekretare e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Beogradit. Ajo u pushua nga puna vitin e kaluar, pasi kishte këmbëngulur që të respektohej procedura gjatë shkarkimit të dekanes Tatjana Simiq. Pas incidentit, avokatët e “Pishtaljkës”, të cilët e kishin mbrojtur në atë rast, hoqën dorë nga përfaqësimi i saj.

Vukiqeviq pretendon se, përveç hedhjes së kosit, është sulmuar edhe fizikisht.

“Fillimisht nisën të më tërhiqnin nga pas, të më tërhiqnin për flokësh dhe më pas të më derdhnin kos. Kjo është e papranueshme për këdo. Nuk do të pajtohem kurrë me atë që bëjnë. Do të qëndroj në këtë mendim deri në fund dhe nuk do të frikësohem as nëse më hedhin 30 litra kos. Por ju pyes: ku po shkon ky vend dhe kush synon ta drejtojë? Megjithëse kishte 50 ose më shumë policë, askush nuk reagoi”, tha ajo.

Seanca konstituive e Parlamentit të ri të Serbisë filloi në orën 10:00. Deputetët bënë betimin, ndërsa pritet të propozohet kandidati për kryetar të Kuvendit.