Për të tretën herë u anulua gjykimi për “Spitalin Modular”, kësaj radhe nuk erdhi avokati i mjekut të akuzuar

U anulua për të tretën herë fillimi i gjykimit për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, kjo për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçeskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë, shkruan Portalb.mk.

Gjykatësi i cili udhëheq lëndën, Jordan Velkovski njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Nga ana tjetër, këqyrje të dokumentacionit të plotë kërkuan avokatët e dy të akuzuarve tjerë, ish-drejtorit të Spitalit të Tetovës dhe ish-drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës, Florin Besimit dhe Artan Etemit. Prokuroria njoftoi se provat janë dorëzuar në Gjykatë dhe kanë kërkuar lejimin e këqyrjes dhe transkriptimit. Ndërsa gjykatësi theksoi se avokatët do të kenë mundësi të kenë qasje në këto prova. Përpos materialeve të shkruara, ekzistojnë edhe dëshmi elektronike me gjithsej 3000 faqe.

Avokatët kërkuan edhe regjistrimin audio-vizual të procesit gjyqësor, me çka gjyqtari theksoi se sipas mundësive të gjykatës do të mundësohet vetëm incizimi audio.

Të akuzuarit për rastin e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës sot në ora 10 dolën para gjykatësit, por seanca zgjati shumë pak minuta dhe u shty për me 7 dhjetor.

Pas mbarimit të seancës, Vuçevski dhe Etemi nuk deshën të përgjigjen në pyetjet gazetareske dhe u larguan menjëherë nga gjykata.

Ndërsa Besimi përsëriti të njëjtat fjalë si pas dy seancave paraprake.

Nuk më mbetet asgjë tjetër të them atë që e kam thënë më herët, dëshira ime e vetme është që ky proces të filloj sa më shpejtë që të më jepet mundësia të dëshmoj pafajësinë time të pakontestueshme në procesin gjyqësor dhe për atë të njoftohet opinioni publik”, tha Florin Besimi.

Deri tani tre seanca “dështuan”

Gjykimi për këtë rast filloi me 6 shtator, por u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e radhës u caktua për me 14 tetor, por përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, mjeku Boban Vuçevski dhe ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtin kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e radhës nga gjykatësi i cili udhëheq me lëndën- Jordan Velkovski, u caktua për sot  (8 nëntor) në ora 10. Ku Velkovski me 14 tetor ju dha afat prej tetë ditësh,  Etemit dhe Vuçevskit që të dorëzojnë autorizim për avokat. Përndryshe, do të u caktohej nga Gjykata sipas dispozitave ligjore.

Ndërkaq seanca e radhës, ajo e katërta u caktua për me 7 dhjetor në ora 10.

Për çfarë akuzohen?

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

“Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhet në aktakuzë.

Për Vuçevskin ka vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhet në aktakuzë.

Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermierë, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Kujtojmë që objekti i djegur nuk është larguar ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button