Besimi dhe Etemi u dënuan me kusht, 1 vit e 6 muaj burgim, Vuçevski i lirë nga akuza

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh të cilin duhet ta paguaj brenda 30 ditëve, Ky është vendimi i Gjykatës së Tetovës për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona, shkruan Portalb.mk.

Të akuzuarit nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit por për vepra të tjera penale.

Besimi dhe Etemi akuzoheshin se në spitalin modular nuk kishin vendosur mjete adekuate mbrojtëse kundër zjarrit, ndërsa gjykata theksoi se nuk ishin në dijeni për mundësinë e shfaqjes së pasojave të dëmshme.

Sipas vendimit, Florin Besimi dhe Artan Etemi kanë kryer secili vepër penale “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292, paragrafi 4, në lidhje me nenin 288 paragrafi 4, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Me aktgjykimin e sotëm, Boban Vuçevski, si përgjegjës i spitalit modular, është liruar nga akuza për lejimin e personave të paautorizuar në spitalin modular.

Nga kjo vepër është shpallur i pafajshëm edhe Spitali i Tetovës, i cili është dënuar për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 288 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 4 në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal. Gjykata i ka shqiptuar personit juridik gjobë prej 1 milion denarë, të cilin duhet ta paguajë në afat prej 30 ditësh nga hyrjes në fuqi të aktgjykimit.

Të akuzuarit duhet të paguajnë një paushall penal prej 4.000 denarë.

Gjyqtari Jordan Velkovski sqaroi se aktgjykimi është sjellë në bazë të provave të paraqitura në seancën kryesore dhe fakteve që dalin nga ato prova. Ai theksoi se të pandehurit nuk akuzohen për shkaktimin e zjarrit. E vetmja gjë për të cilën akuzohen është mos vendosja e aparateve kundër zjarrit. Sipas gjyqtarit, për të akuzuarin Boban Vuçevski, Prokuroria nuk ka dëshmuar përtej dyshimit se ka kryer vepër penale. Spitali shpallet i pafajshëm sepse veprimi lidhet me veprimin e personit përgjegjës dhe spitali nuk mund të gjykohet veçmas.

Gjykata Themelore në Tetovë me aktgjykim i ka udhëzuar të gjithë të dëmtuarit nga zjarri në spitalin modular në Tetovë që në kontest plotësues t’i kërkojnë kompensimet e tyre. Të dëmtuarit, familjarë të të vdekurve nga zjarri, udhëzohen për fillimin e kontestimit civil për dëmshpërblim.

Ky është vendimi i shkallës së parë për këtë çështje dhe ka mundësi që mbrojtja apo prokuroria të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Vendimin e plotë nga ana e Gjykatës mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme.

Pas shqiptimit të aktakuzës, ish-drejtori Florin Besimi, tha se nuk e ka të qartë dhe se i pakuptimtë është vendimi i sotshëm.

“Arsyeshmërinë e vendimit nuk e kam të qartë. Ju them me plot të drejtë, se dëshminë dhe faktet të cilat janë dorëzuar në Gjykatë dëshmojnë pafajësinë time. Në asnjë moment unë nuk kam pasur lidhje me spitalin modular. As e kam realizuar, as e kam mbikëqyr, as nuk e kam pranuar. Nuk e kam të qartë këtë vendim. Arsyeja e vetme është se nuk ka pasur mjete kudër zjarrit”, tha Besimi.

Ai shtoi se do të ankohet kundrejt këtij vendimi.

I akuzuari Artan Etemi nuk ishte i pranishëm në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit.

Nga ana tjetër, mjeku Boban Vuçevski falënderoi qytetarët të cilët çdo seancë gjyqësore ishin para gjykatës në mbështetje të tij.

“Shumë faleminderit gjithë të afërmve dhe miqve që ishin me mua gjatë gjithë procesit dhe nuk më lanë të qëndroj vetëm. Falënderoj avokatin. Faleminderit për drejtësinë që doli se unë isha me ju si mjek dhe tani do të jem edhe më shumë me ju, tha Vuçevski

Më mirë për Tetovën: Vendim dëshpërues

Në lidhje me vendimin e Gjykatës reagoi nisma qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT), ata thonë se me këtë vendim “dëshpërues”, 14 viktimat e zjarrit sot u vranë për së dyti për shkak të mosfunksionimit të ligjit dhe mos marrjes së përgjegjësisë nga asnjë person dhe institucion.

“Politikat me retorikë evropiane të cilat mbrojnë vetëm interesin partiak dhe personal më janë bërë të mërzitshme dhe na demotivojnë çdo ditë, nuk na lënë shpresë për të jetuar në këtë vend. Kulturën e mosndëshkimit të asnjë problemi ne e paguajmë me viktima, kishim viktimat e spitalit, viktimat e aksidenteve, duhet thënë jo këtyre problemeve që nda ndodhin për shkak se u dëshmua që korrupsioni vret dhe ne si MMPT do të vazhdojmë dhe do jemi kundër çdo keqpërdorimi dhe çdo mosfunksionimi të ligjit në këtë shtet”, deklaroi Elmedina Abdulahi nga MMPT.

Gjykimi për këtë rast mbaroi javën e kaluar (29 maj 2023) me fjalët përfundimtare nga ana e Prokurorisë dhe palëve. Gjykimi për këtë rast filloi me 6 shtator 2022, gjithsej janë mbajtur katërmbëdhjetë seanca, disa prej të cilave u shtynë.

Familjarëe viktimave kohë më parë janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtuan mundësinë e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Dy ish drejtorëtnuk ndiqeshin penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Besimi dhe Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Mjeku Boban Vuçevski ishte në gjyq për shkak se kishte lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Vuçevski akuzohej në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohej për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e pandemisë.

Për zjarrin janë kryer katër ekspertiza. E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri. E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë. E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital. E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi.