U shty seanca gjyqësore e fjalëve përfundimtare për modularin, Florin Besimi nuk u paraqit pasi kishte temperaturë

Sot dështoi seanca e caktuar për fjalët përfundimtare për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona. Kjo erdhi pasi i akuzuari, ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi nuk u paraqit në seancë. Avokati i tij njoftoi se ai nuk erdhi për shkaqe shëndetësore dhe se kishte temperaturë, shkruan Portalb.mk.

Seanca e radhës për fjalët përfundimtare u caktua me 10 maj në ora 10:00.

Nëse kjo seancë vijon në rregull, pas së njëjtës do të shpallet edhe vendimi për të akuzuarit, nëse do të dënohen dhe çfarë dënimi do të marrin.

Dhënia e dëshmive mbaroi seancën e njëmbëdhjetë të mbajtur me 6 prill 2023, ndërkaq seancën e radhës pritet të thuhen fjalët e përmbyllëse për këtë rast.

Gjykimi për këtë rast ka filluar me 6 shtator 2022 ndërsa deri tani janë mbajtur gjithsej dymmëdhjetë seanca, disa prej të cilave janë shtyrë.

Familjarëe viktimave janë shprehur se nuk i besojnë drejtësisë së shtetit, por se përsëri nuk i humbin shpresat, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e kërkimit të hetimit ndërkombëtar për rastin.

Kush dhe për çfarë akuzohen?

Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali Klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, nuk po ndiqen penalisht për shkakun e zjarrit në spitalin modular të Tetovës, por për shkak se nuk kanë instaluar mjete të parapara për fikjen e zjarrit. Mjeku Boban Vuçevski është në gjyq për shkak se ka lejuar të afërmit të hyjnë në dhomat e spitalit edhe pse ishte e ndaluar. Ky është thelbi i aktakuzës për zjarrin.

Florin Besimi, Artan Etemi dhe Spitali i Përgjithshëm i Tetovës nuk kanë vepruar në përputhje me masat dhe aktivitetet e dala nga marrëveshja e huasë e lidhur në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas të cilës ndonëse kanë qenë të obliguar që në ditën e vënies në punë të Spitalit Modular në Tetovë dhe deri më sot të kenë mjete dhe instalime përkatëse për mbrojtje nga zjarret dhe shpërthimet, mjete të tjera zjarrfikëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe aparate kundër zjarrit. nga zjarri në Spitalin Modular, nuk kanë instaluar mjetet e duhura për mbrojtje nga zjarri ”, thuhet në aktakuzë.

Për Vuçevskin ka vetëm një paragraf në të cilin kërkohet përgjegjësi nga ai. Por jo për zjarrin, shkaqet dhe as pasojat e mospasjes së aparateve të zjarrit.

“I akuzuari Boban Vuçevski, si person përgjegjës gjatë pandemisë, nuk ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe urdhrat që përcaktojnë masat për parandalimin dhe parandalimin e saj dhe nuk ka vepruar sipas urdhrit të dhënë nga drejtori mjekësor në Spitalin klinik të ISHP në Tetovë, ndalimi i vizitave të personave të paautorizuar në ambientet e spitalit, për shkak të shpërthimit të gripit sezonal dhe ngjarjeve globale me Covid-19, si dhe lejohet hyrja e personave të paautorizuar – familjarëve të të sëmurëve me Covid-19, si shoqërues në Spitalin Modular”, thuhet në aktakuzë.

Drejtorët po ndiqen penalisht për dy krime, konkretisht krime të rënda kundër sigurisë publike dhe mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë një epidemie, ndërsa mjeku është vetëm për mosrespektim të rregulloreve shëndetësore gjatë pandemisë.

Çfarë ndodhi në seancat paraprake?

Seanca e parë, e mbajtur me me 6 shtator 2022, por u shty pasi në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Munguan, ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Nga Spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar.

Seanca e dytë, e caktuar për 14 tetor 2022 përsëri u shty pasi dy nga të akuzuarit, Vuçevski dhe Etemi nuk patën avokat. Ndonëse të njëjtit kanë pasur dy muaj kohë ta bëjnë të njëjtën, u arsyetuan se nuk e kanë ditur që duhet të kenë avokat.

Seanca e tretë, e caktuar për 8 nëntor 2022 u anulua për shkak se avokati i doktorit të akuzuar Boban Vuçevskit nuk ishte i pranishëm pasi siç u tha se ka pasur seancë tjetër të caktuar prej më parë. Gjykatësi i cili udhëheq lëndën, njoftoi Vuçevskin se nëse avokati i tij nuk paraqitet në seancën e radhës, seanca kryesore do të mbahet pa të.

Seanca e katërt, e mbajtur me 7 dhjetor 2022 u anulua pasi avokatët e të akuzuarve u ankuan se nuk kishin njohuri të plotë në materialin dëshmues, i cili është në formë elektronike, ndërsa njëri nga avokatët u ankua se nuk mund të merrte as një kopje të materialit të aktakuzës, sepse në gjykatë i ishte thënë se fotokopja nuk funksiononte. Avokatët kërkuan leximin e plotë të çdo materiali dëshmues, të njëjtët kishin ankesa lidhur me paraqitjen e provave nga Prokuroria. Për vazhdimin e seancës kryesore, avokatët do të vendosnin me shkrim lidhur me provat e ofruara nga Prokuroria Publike, dhe të cilat nuk janë në formën apo përmbajtjen e kërkuar, për të shmangur zvarritjen e procedurës. Prokurori publik u pajtua me një gjë të tillë duke konsideruar se është në interes të procedurës penale, pas së cilës gjykata e shtyu seancën kryesore për 27 dhjetor.

Seancën e pestë, të mbajtur me 27 dhjetor 2022 Prokuroria Publike e Tetovës i prezantoi titujt e provave të shkruara të cilat janë të përfshira në aktakuzën e dorëzuar në gjykatë. Avokatët e të akuzuarve kërkuan që përveç leximit të titujve të sqarohen edhe provat e ofruara, ata theksuan se në listën e dëshmive mungojnë tituj si dhe disa nga to janë me mangësi. Pas paraqitjes së provave të shkruara, gjykatësi e shtyu seancën kryesore të vazhdojë me 16 janar. Në seancë nuk ishin të pranishëm dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria.

Seanca e gjashtë, e mbajtur me 16 janar 2023 u anulua për shkak se mungoi i akuzuari Artan Etemi, ish drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës.

Seancën e shtatë, të mbajtur me 31 janar 2023 dëshmuan shtatë nga dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria, të cilët natën e tragjedisë ishin brenda spitalit ku ndodhi zjarri, mes tyre dy mjek, një motër medicinale dhe katër familjarë. Sipas dëshmitarëve, tragjedia ka ndodhur brenda pak minutash dhe janë munduar të bëjnë maksimumin që të shpëtojnë pacientët dhe familjarët e tyre, ndërkaq nuk kanë mundur t’i gjejnë aparatet kundër zjarrit. Ata sqaruan rrethanat se si ka ndodhur rasti. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e tetë, të mbajtur me 16 shkurt 2023, dëshmuan nëntë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, mes tyre dy infermiere, katër familjarë dhe tre persona të cilët kanë kryer ekspertiza për zjarrin. Avokatët e të akuzuarve edhe pse parashtronin pyetje, ata hasnin në kundërshtim nga prokurorët se pyetjet e tyre janë jashtë lëndës për të cilën palët janë të akuzuar. Dy infermieret që dëshmuan thanë se kanë parë të ketë aparate kundër zjarrit brenda objektit të modularit. Por që i gjithë rasti ndodhi shumë shpejtë. Për dallim prej infermiereve, familjarët që dëshmuan, thanë se aparate kundër zjarrit nuk kanë parë të ketë brenda objektit. Në seancë dëshmuan dy prindërit e pacientes në të cilën u krye reanimacioni dhe nga ku më pas filloi edhe zjarri. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e nëntë, të mbajtur me 3 mars 2023, dëshmoi një ekspert i elektroteknikës, një dëshmitare e cila ka qenë brenda objektit kur ka shpërthyer zjarri si dhe avokatët e të akuzuarve prezantuan titujt e provave të shkruara. Eksperti i elektronikës tha se rryma elektrike nuk ishte instaluar në formën e duhur në objektin e modularit. Për më tepër rreth kësaj seance KËTU.

Seancën e dhjetë, të mbajtur me 21 mars 2023, dëshmuan dy ekspertë nga Fakulteti Elektroteknik në Shkup të propozuar nga prokuroria së bashku me mbrojtjen e mjekut Boban Vuçevski, dhe dy motra medicinale të propozuar nga ky i fundit. Dy ekspertët theksuan se kanë analizuar nëse instalimi i rrymës në spitalin modular ka qenë në përputhje me standardet, por, siç theksoi, ka qenë e pamundur kjo të konstatohet për shkak të djegies. Andaj për këtë, siç thanë, kanë parë instalimin në spitalin modular të Gostivarit dhe të Kavadarit, ku u theksua se instalimi i brendshëm elektrik ka qenë sipas rregullores. Njëra nga motrat medicinale tha se ka pasur aparate kundër zjarrit, ndërsa tjetra tha se nuk e ka pare nëse ka ose jo. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Seancën e njëmbëdhjetë, të mbajtur me 6 prill 2023, mbaroi dhënia e dëshmive. Dëshmoi një roje e spitalit i cili tha se ka parë aparate kundër zjarrit në spitalin modular. Ai tha se ka pasur ndalesë te dera për hyrjen e personave tjerë. Një punonjës tjetër i spitalit, tha se mendon se ka parë aparat kundër zjarrit në korridor të modularit. Edhe një mjeke tha se mendon se ka pasur aparate kundër zjarrit, por se nuk ishte e sigurt për të njëjtën. Për më tepër rreth kësaj seance lexo KËTU.

Për zjarrin janë kryer katër ekspertiza

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermierë, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Mbetjet nga objekti i djegur pas shumë zvarritjeve u larguan gjashtëmbëdhjetë muaj pas tragjedisë që ndodhi.