Premtimet elektorale për f. Ladorisht të Strugës vazhdojnë të mbeten në letër

Premtimet elektorale për banorët e fshatit Ladorisht në Komunën e Strugës vazhdojnë të mbetën vetëm në letër. Banorët e fshatit thonë se deri tani nuk është zgjeruar rezervuari i ujit, nuk është ndërtuar rrjeti i kanalizimit në të gjithë fshatin e as nuk janë zgjeruar e ndërtuar rrugët dytësore brenda fshatit. Përderisa nga ASH Strugë thonë se programi zgjedhor “Agjenda e Blertë 2021-2025” është e mbushur me premtime boshe nga udhëheqësia e Komunës së Strugës, e cila fitoi dhe një mandat me këtë program zgjedhor, nuk morëm asnjë përgjigje për pyetjet tona. Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam Portalb.mk konkludon se këto premtime nuk janë realizuar, shkruan Portalb.mk.

Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit, zgjerimi i rezervuarit të ujit të pijshëm dhe ndërtimi e zgjerimi i rrugëve dytësore brenda fshatit janë tre premtime të cilat gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet lokale në vitin 2021 u bënë për banorët e fshatit Ladorisht nga kreu aktual i Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Premtimet e dokumentuara në programin zgjedhor të kandidatit të BDI-së “Agjenda e Blertë” (2021-2025) janë të paraqitura me nga një fjali pa definuar as kohën e fillimit dhe finalizimin e projekteve.

Për ta informuar opinionin publik se çfarë ka bërë pushteti lokal në realizimin e zotimeve të bëra për elektoratin e fshatit Ladorisht, një ndër fshatrat më të mëdha në Komunën e Strugës, redaksia jonë u drejtua me disa pyetje deri tek autoritetet e Komunës së Strugës. Kërkesa jonë për informacion u konfirmua nga zyra e PR-it të këtij institucioni nga ku na thanë se përgjigje do kemi nga sektori përkatës, megjithatë edhe pas disa javësh në adresën tonë nuk arriti asnjë përgjigje nga Komuna e Strugës.

Nga ana tjetër partia më e madhe opozitare në Komunën e Strugës thotë për Portalb.mk se programi zgjedhorë “Agjenda e Blertë” është e mbushur me premtime boshe të cilat do të mbeten vetëm në letër. Nga kjo parti thonë se i ndjekin nga afër nevojat e qytetarëve në Komunën e Strugës.

“Nuk është asgjë e re për ne si opozitë të shohim nga pushteti lokal aktual premtime në letër dhe një realitet tërësisht ndryshe në terren.
E njëjta gjë vlen edhe për rrjetin e kanalizimit në fshatin Ladorisht, i cili vazhdon të jetë i papërfunduar edhe pse është më se e nevojshme për banorët e këtij lokaliteti, dhe premtim elektoral në zgjedhjet e fundit lokale nga kryetari aktual i Komunës”, deklaroi Premta Zylali, këshilltare nga radhët e ASH-së në Këshillin Komunal Strugë.

Sa i përket rezervuarit të ujit, banorët thonë se është shumë e nevojshme të zgjerohet sepse ai aktual nuk ka kapacitet ti plotësojë nevojat e banorëve, megjithatë edhe përkundër premtimit se rezervuari i ujit do të zgjerohet banorët thonë se nga viti 2021 deri më tash nuk kanë parë ndonjë aksion konkret apo zhvillim punimesh në pjesën malore, atje ku ndodhet dhe rezervuari. Mos zgjerimin e rezervuarit të ujit në këtë fshat e konfirmojnë dhe nga ASH Strugë. Për më tepër nga ASH Strugë thonë se përveç këtij premtimi nuk është realizuar as premtimi për zgjerimin e rrugëve dytësore brenda fshatit.

“Nga informacionet që posedoj, çështja e rezervuarit nuk është se ka ndonjë zhvillim, domethënë edhe kjo ka ngelur akoma ne suaza të një premtimi elektoral bosh. E njëjta gjë ndodh edhe me zgjerimin dhe ndërtimin e rrugëve dytësore. Në bisedim me banoret e vendit, kam marrë përgjigje se në periudhën e fushatës elektorale dhe atë vetëm disa dite para zgjedhjeve gjë që paraqet thyerje te Kodit Zgjedhor (dhe ne si subjekt politik rastin e kemi paraqitur edhe në organe kompetente por edhe tek faktori ndërkombëtar) janë asfaltuar 1-2 rrugë dytësore sa për të vjelur disa vota, dhe asgjë tjetër. Gjendja e rrugëve dytësore lehtësisht mund të vërtetohet se është ashtu siç edhe ka qenë më parë, pa ndryshime”, shtoi Zylali.

Duke u bazuar në situatën aktuale në terren dhe informacionet që siguruam për premtimet në fshatin Ladorisht, përfshirë këtu: Ndërtimi i rrjetit të kanalizimit, zgjerimi i rezervuarit të ujit dhe ndërtimi e zgjerimi i rrugëve dytësore, Portalb.mk konkludon se premtimet e bëra në programin zgjedhor “Agjenda e Blertë”, nga kryetari aktual i Komunës së Strugës, nuk janë realizuar.

BURIMI: