Përmes RMV-së përgatitej atentat në Greqi, Agjencia e Sigurisë e zbuloi rrjetin që punonte për Iranin
Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) ka zbuluar një rrjet kriminal në Maqedoninë e Veriut, i cili dyshohet se përgatiste atentat ndaj një personi në Greqi, sipas udhëzimeve të një shtetasi iranian. Operacioni zgjati rreth nëntë deri në dhjetë muaj. Katër personave u është caktuar paraburgim, njëri është në arrest shtëpiak, ndërsa një tjetër është në kërkim, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i ASK-së, Bojan Hristovski, tha se rrjeti ishte i lidhur me shtetasin iranian Edris Jahangiri Mavaneh. Sipas Agjencisë, ka indicie se ai bashkëpunon me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.
“Sa i përket rrjetit në Maqedoni, bëhet fjalë për persona të përfshirë në struktura kriminale në vend, të cilët, sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të shtetasit iranian, ndërmarrin veprime përgatitore dhe logjistike për kryerjen e një akti terrorist, një atentati ndaj një personi të përcaktuar paraprakisht, një objektiv që ndodhet në Greqi”, deklaroi Hristovski.
Në bashkëpunim me shërbimet partnere të huaja, ASK-ja zbuloi takime të fshehta të anëtarëve të rrjetit në vende të treta, përfshirë Iranin. Sipas Hristovskit, gjatë operacionit u konfirmuan lidhjet me Mavaneh, të cilin e cilësoi si organizatorin kryesor të atentatit të planifikuar.
Hristovski theksoi se nuk ka të dhëna për përgatitjen e sulmeve në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk kemi informacione për veprime të rrjeteve terroriste apo aktivitete të lidhura me Iranin, ku objektiv do të ishin persona nga Maqedonia. Pra, nuk kemi informacione se po përgatitet diçka në territorin e vendit”, tha Hristovski.
Ndërkaq, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, njoftoi për masat ndaj personave të përfshirë në rast.
“Sipas informacioneve që kemi si shërbim, si Byro për Siguri Publike, katër personave u është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa një personi i është caktuar arrest shtëpiak. Personi i gjashtë, siç thashë, ende nuk është kapur nga organet e ndjekjes dhe po kërkohet aktivisht”, tha Janev.
ASK-ja njoftoi se do të vazhdojë identifikimin e personave të lidhur me këtë rrjet, në bashkëpunim me institucionet vendase dhe shërbimet partnere të huaja.