Takimi i parë trepalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump, udhëheqësit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, mund të mos i përmbushë pritjet pavarësisht simbolikës së tij që tërheq vëmendjen, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Samiti do të mbahet në margjinat e konferencës të organizatës për Bashkëpunim Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen.
Takimi i nivelit të lartë trepalësh, i propozuar fillimisht nga Putini në tetor dhe i konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë më 13 nëntor, ka nxitur edhe krahasime me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, që ishte mbajtur në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Në qytetin turistik të Krimesë, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, si fitues të luftës, përcaktuan prapa dyerve të mbyllura sferat e ndikimit në periudhën e pasluftës, duke vendosur në praktikë fatin e shumë vendeve më të vogla në Evropë dhe Azi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është i shqetësuar ndaj përpjekjeve të Putinit për ta lënë jashtë procesit të formësimit të rezultatit të luftës në shkallë të plotë që Rusia nisi ndaj Ukrainës më 2022, i tha CNN-it: “Ne nuk duam një Jaltë 2.0”.
Jo një Jaltë të re
Megjithatë, disa ekspertë i thanë Radios Evropa e Lirë se takimi mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, më 19 nëntor, do të jetë shumë i ndryshëm nga konferenca historike e mbajtur 81 vjet më parë.
“Nuk mendoj se ky krahasim është i duhuri”, tha Elizabeth Wishnick, eksperte e marrëdhënieve ruso-kineze në Korporatën CNA në Virxhinia. “Edhe nëse do të kishin dëshirë të merrnin vendime të tilla, nuk do të mund t’i zbatonin ato, sepse bota ka ndryshuar që nga ajo kohë. Ka shumë aktorë të pavarur që kanë mundësi t’i pengojnë fuqitë e mëdha. Mjafton të shohim Gjirin Persik, për shembull”.
Bobo Lo, bashkëpunëtor në Institutin Lowy të Australisë, theksoi se Kina është përpjekur të pozicionohet si udhëheqëse e Jugut Global, duke u përqendruar në demokratizimin e raporteve ndërkombëtare.
“Ideja që tre udhëheqës botërorë marrin vendimet të mëdha për qeverisjen globale bie ndesh me narrativin që Pekini përsërit vazhdimisht, dhe kinezët janë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj kësaj ideje”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
Putin mund të përfitojë më së shumti nga tre udhëheqësit edhe nëse samiti nuk prodhon ndonjë rezultat thelbësor, tha në një intervistë Tsiporah Fried, bashkëpunëtore e lartë në Institutin Hudson në Uashington.
Prioriteti i Xisë
Për Xi Jinpingun, i cili nuk e kërkoi mbajtjen e këtij takimi, menaxhimi i kujdesshëm i imazhit që do të dalë nga ky samit është parësor.
Prioriteti i Xisë “është që takimi të jetë i suksesshëm dhe të përcjellë imazhin e stabilizimit të raporteve mes fuqive të mëdha. Kina do të përqendrohet te simbolika dhe jo te marrëveshjet konkrete që mund të arrihen”, i tha Radios Evropa e Lirë Yun Sun, drejtoreshë e Programit për Kinën në Qendrën Stimson në Uashington.
Fillimisht, as Pekini dhe as Uashingtoni nuk e pranuan idenë e Putinit për samitin, të cilën ai e propozoi gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin Trump më 9 tetor. Por, më 19 tetor, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ishte i gatshëm ta mbante takimin nëse Xi do të pajtohej.
Kina nuk i konfirmoi publikisht diskutimet për takimin trepalësh deri më 4 nëntor.
Më vonë, The Wall Street Journal raportoi se Pekini dhe Uashingtoni kishin mospajtime për formatin e takimit. Kina dëshiron që asgjë të mos i lihet rastësisë dhe po këmbëngul për një takim me agjendë të përcaktuar në detaje dhe me rezultat të paracaktuar, ndërsa Uashingtoni preferon një format më fleksibil, me diskutime të hapura.
Në këtë rast, Pekini është veçanërisht i interesuar ta menaxhojë me kujdes takimin sepse nuk dëshiron që ai ta lërë në hije ngjarjen kryesore të APEC-ut, tha Wishnick nga Korporata CNA.
Veçanërisht, Kina i ka rezistuar thirrjes së Putinit për të diskutuar për përfundimin e luftës në Ukrainë. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili së fundi u takua me Xinë gjatë një vizite shtetërore në Kinë, tha në një intervistë për transmetuesin publik gjerman ARD se Xi i kishte thënë se çdo negociatë për konfliktin duhet të përfshijë edhe Evropën, pasi lufta ndikon drejtpërdrejt në sigurinë evropiane.
Në Evropë, “Kina shihet si një faktor që mundëson vazhdimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës” dhe për këtë arsye duhet të tregohet e kujdesshme, tha Wishnick. Organizimi i një samiti trepalësh, në të cilin Uashingtoni, Moska dhe Pekini do të diskutonin për përfundimin e luftës pa pjesëmarrjen e Ukrainës dhe Evropës, “vetëm do ta ndërlikonte diplomacinë e Kinës ndaj Evropës”.
Kinezët “duan një kornizë më të gjerë, në të cilën do të përfshiheshin edhe ukrainasit dhe evropianët”, shtoi ajo.
Fokusi i Trumpit: Kontrolli i armëve bërthamore
Për dalim nga objektivat e Xisë dhe Putinit, synimet e Trumpit për këtë takim janë më modeste. Presidenti amerikan nuk ka nevojë të luajë rolin e mikpritësit, sikurse Xi, e as të përpiqet ta paraqesë veten si të barabartë me fuqitë më të mëdha të botës, siç duhet të bëjë Putini.
Në vend të kësaj, Trump synon të diskutojë çarmatimin bërthamor, një temë për të cilën ka shprehur interes të madh që nga vitet ‘80. Në vitin 1984, Trump i tha një gazetari të The Washington Post se dëshironte të negocionte për kontrollin e armëve bërthamore me Bashkimin Sovjetik në emër të SHBA-së.
Në vitin 2019, administrata e parë e Trumpit e zhvendosi strategjinë bërthamore amerikane nga kontrolli tradicional dypalësh i armëve me Rusinë drejt një kornize trepalëshe që përfshinte Moskën dhe Pekinin.
Në një intervistë për Newsmax më 15 tetor, Trump tha: “E gjithë kjo çështje është për keqardhje, sepse do të doja të arrinim çarmatimin bërthamor, nëse është e mundur, por në fakt po flasim me Rusinë për këtë dhe po flasim edhe me Kinën për çarmatimin bërthamor”.
Më 13 nëntor, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi: “Ai do të diskutojë për reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave presidenti Trump e konsideron shumë të rrezikshme”.
Megjithatë, Kina vazhdon të jetë e rezervuar sa i përket diskutimit për kontrollin e armëve bërthamore me SHBA-në dhe Rusinë.
“Qëndrimi i Kinës për armët bërthamore është i qartë: Rusia dhe SHBA-ja duhet fillimisht të reduktojnë arsenalet e tyre, që janë shumë më të mëdha”, para se të nisin çfarëdo diskutimi trepalësh, tha Fried nga Instituti Hudson.
SHBA-ja dhe Rusia së bashku posedojnë më shumë se 90 për qind të armëve bërthamore në botë, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, një organizatë hulumtuese me seli në Uashington. Rusia ka 5.459 armë bërthamore, ndërsa SHBA-ja 5.177. Kina, ndërkaq, ka 600.
Megjithatë, Pekini po e zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e tij bërthamor. Pentagoni vlerëson se deri në vitin 2035, Kina do të ketë 1.500 koka bërthamore.
Pekini thotë se zgjerimi i arsenalit të tij bërthamor është masë mbrojtëse për të siguruar një kapacitet të besueshëm për kundërpërgjigje ndaj një sulmi bërthamor. Ai ka një politikë të Mospërdorimit i Pari (NFU) të armëve bërthamore dhe zotohet të mos përdorë ose kërcënojë me përdorimin e armëve bërthamore kundër shteteve që nuk i posedojnë ato, apo kundër zonave që nuk kanë armë bërthamore.
“Ka pengesa të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje trepalëshe për kontrollin e armëve, veçanërisht për shkak të dallimeve mes tri fuqive bërthamore dhe përparësive të tyre të ndryshme strategjike. Megjithatë, dialogu mes tyre do të ishte i vlefshëm”, tha Fried.
Sipas saj, sfida qëndron në shndërrimin e këtij dialogu në negociata konkrete, me objektiva të përcaktuara qartë, zotime të ndërsjella dhe një kornizë të dakorduar, e cila do të mundësonte vendosjen e kufizimeve domethënëse dhe të verifikueshme për arsenalet bërthamore të të tria shteteve.