U shty gjykimi për zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, Besimi: Nuk ndjehem fajtor (VIDEO)

Seanca për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës filloi sot, por e njëjta u shty për me 14 tetor, pasi në seancë munguan ish-drejtori ekonomik  i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Nga spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar, shkruan Portalb.mk.

Pas përfundimit të seancës, ish-drejtori i spitalit, Florin Besimi tha se të gjitha që ka për t’i thënë për rastin tragjik do i thotë para gjykatës.

“Lus mediat që të përcillni këtë rast. Personalisht i besoj sistemit gjyqësor, dhe jam i bindur se e vërteta do të dëshmohet.  Kërkoj durim deri sa të fillojë procesi, me fakte dhe argumente do ta dëshmojmë të vërtetën”, tha Besimi.

Nga ana tjetër, gjatë seancës avokati i Besimit kërkoi nga gjykatësi kërkuan të kenë kontroll të dëshmive, konkretisht të kenë qasje te lënda. Gjykatësi pranoi një gjë të tillë.

Rastin e udhëheq gjykatësi Jordan Velкovski dhe mban numrin K450/22. Seanca e radhës u caktua për 14 tetor në ora 10.

Gjykimi u zhvillua pasi më 27 korrik Prokuroria kishte dorëzuar aktakuzë nga Gjykata Themelore e Tetovës.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të akuzuarit për rastin si persona fizikë janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik Artan Etemi, udhëheqësi i qendrës për Kovid Boban Vuçevski. Si person juridik akuzohet ISHP Spitali klinik Tetovë.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermiere, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Shumë çështje ende mbeten të turbullta.

Deri sot nuk ka përgjigje konkrete se a ka pasur ose jo spitali sistem kundër zjarrit. Dëshmitarët që i kanë shpëtuar tmerrit kanë deklaruar se nuk ka pasur, por autoritetet përkatëse ende nuk konfirmojnë diçka të tillë. Nëse ka pasur, ku kanë qenë që pacientët nuk kanë mundur t’i gjejnë, kur janë kontrolluar së fundmi herë që funksionojnë ose jo?

Nuk e dimë ende se materiali me të cilin është ndërtuar a ka qenë rezistent ndaj zjarrit, edhe pse autoritetet thonë se spitali i ka përmbushur të gjitha standardet. Spitali është djegur vetëm për disa minuta dhe me plotë të drejtë qytetarët kërkojnë përgjigje ndaj pyetjes, nëse i ka përmbushur të gjitha standardet pse është djegur kaq shpejtë?

Nuk dihet se kush e ka bërë raportin për specifikat teknike të objektit. Prokuroria vetëm mbledh dokumentacione, por nuk i ndan me opinionin që qytetarët ta shohin dokumentacionin e ndërtimit të objektit.

Çështja tjetër, e cila gjithashtu është skandaloze, e për të cilën deri më tani askush nuk ka dhënë përgjegjësi është se në mesin e viktimave ka pasur edhe dy familjarë të pacientëve që janë kujdesur për familjarët e tyre. Kjo nënkupton që brenda spitalit ku trajtoheshin pacientët me Covid-19 ka pasur edhe familjarë të cilët aty kanë qëndruar me dijeni të personelit dhe administratës së spitalit, e cila është rreptësishtë e ndaluar.

Edhe dy ditë bëhet një vit nga tragjedia e zjarrit në spitalin modular në Tetovë.  Zjarri i tmerrshëm mbrëbjen e 8 shtatorit të vitit 2021 që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Pas tragjedisë, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani dhanë dorëheqje, të njëjtat nuk u pranuan nga ish-kryeministri Zoran Zaev. Dorëheqje dhanë edhe drejtori i përgjithshëm i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe drejtori ekonomik Artan Etemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button