RMV me tresh e kaloi 2023-tën në administratë: Në vitin 2024 Kuvendi duhet t’i miratojë ligjet e premtuara ndër vite

Maqedonia e Veriut këtë vit mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, gjatë këtij viti janë finalizuar dhe miratuar në qeveri, por nuk janë votuar ende në Kuvendin i cili ka mandat deri në pranverë. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive, shkruan Portalb.mk.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut (MSHIA) i cili është resor i cili i udhëheqë proceset në reformat e administratës publike dhe digjitalizimit, por dhe mediave, prej vitit 2008 e deri më tani, ka pasur 6 ministra. MSHIA është njëra prej ministrive që më së shpeshti i është ndërruar kreu i saj, varësisht prej marrëveshjeve koalicionuese të partnerëve qeveritar. Azir Aliu është ministri më i ri i MSHIA-së, i gjashti me radhë që prej vitit 2008-të, i cili u emërua në vend të Admirim Alitit. Në tre vitet e fundit, kjo ministri ka pasur 3 ministra, ndërkaq prej themelimit në këtë kolltuk janë ulur 2 kuadro të VMRO-DPMNE-së, 1 i LSDM-së, 1 i BDI-së, 1 i Alternativës dhe prej 28 shkurtit edhe i Aleancës për Shqiptarët.

analizën e Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova nga Instituti për Politika Evropiane, theksohet që për reformat në administratën publike theksohet se në fushën e reformave në administratë, mbeten kritikat për (jo)cilësinë e procesit të vendimmarrjes. Komisioni Evropian edhe më tej është i “shqetësuar” për sistemin e “Balanserit”. Në krahasim me vendet e tjera të Paketës, Maqedonia e Veriut në mënyrë serioze mbetet pas në digjitalizimin e shërbimeve, numri i të cilave llogaritet si “simbolik”.

Administratë, sportel, foto: Borçe Popovski, "Koletkif.mk"
Administratë, foto: Borçe Popovski, “Koletkif.mk”

Nga ana tjetër, Reforma e Administratës Publike (RAP) për herë të parë është pjesë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ristevska Jordanova në analizën e saj për Portalb.mk për raportin nga skriningu i BE-së, thekson se RMV për nivelin e përgatitjes dhe harmonizimit me legjislacionin e BE-së ka marrë notë notë 3 apo që ka “përgatitje mesatare”.

Raporti konstaton se është krijuar një kornizë strategjike për reformën e administratës publike, por nga përvoja e deritanishme, ai paralajmëron për sigurimin e vazhdimësisë dhe zbatimin konsekuent. Rekomandimi për harmonizim me kornizën e re evropiane të interoperabilitetit është përsëritur dy herë.

“Sipas analizës, ekziston rreziku i vazhdimit në një rreth vicioz i ndryshimeve të vazhdueshme dhe të nxituara ligjore, pa e arritur qëllimin e tyre. Praktika nga viti 1999 kur u miratua Strategjia e parë e Reformës së Administratës Publike në kuadrin e procesit të integrimit evropian, tregon ndryshime shumë të shpeshta ligjore, pothuajse të gjitha me mbështetjen e BE-së, por pa i arritur realisht qëllimet e dëshiruara – një administratë efikase e depolitizuar që u shërben qytetarëve dhe bizneseve. RAP duhet të sjellë ndryshime për mirë, përfshirë këtu edhe kontributin për stabilitetin institucional”, thekson Ristevska Jordanova.

Ligje të premtuara ndër vite, presin miratim urgjent në Kuvend

Shtatë vite u deshën që të bëhen gati dhe të miratohen në Qeveri një pjesë e ligjeve të cilat janë të nevojshme për reformat në administratën publike, para se gjithash për qytetarët e vendit, por edhe për rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Bëhet fjalë për Ligjin për Nëpunësit Administrativ, Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, Ligjin për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve Informative dhe Transformim Digjital, Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Menaxhim Elektronik dhe Shërbimeve Elektronike, Ligjin për Përkryerje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ. Megjithatë, këto ligje kanë kaluar vetëm në Qeveri, ndërkaq do të duhet që të votohen edhe në Kuvend, për të hyrë në fuqi dhe për të filluar me zbatimin e reformave.

Nuk është miratuar ende ligji i shumëpritur për Shërbim të Lartë Udhëheqës, gjegjësisht për top-menaxhment apo drejtorë profesionalë. Gjatë këtij viti pati ndryshim nga versioni fillestar i cili u kritikua ashpër nga sektori civil.

Ligji për Nëpunësit Administrativ i cili nëse miratohet duhet të hyjë në fuqi në vitin 2025, mes tjerash, parasheh dhe mënyrë tjetër të procedurës së punësimit. Gjegjësisht me ligjin e ri, kandidatët për t’u punësuar në administratë do të testohen një herë dhe në pesë vitet e ardhshme do të kenë mundësi që të kandidojnë nëpër konkurse të ndryshme. Megjithatë, sipas paralajmërimeve ky nuk do të jetë testimi i vetëm, në fazën e dytë, do të ketë edhe testime shtesë.

Në vendin tonë, punësimet e përkohshme pothuajse rregullisht përdoren jashtë ligjit në mënyrë që të futen militantë partiak, duke shmangur procedurën e rregullt.

Nëse miratohet Ligji për të Punëusarit në Sektorin Publik i cili ka kaluar në Qeveri, do të rregullohet procedura e punësimeve në institucionet e sektorit publik, të cilat përfshijnë fushën e arsimit, shëndetësisë, administratës, pushtetit lokal, kulturës, gjyqësorit, punës dhe politikës sociale, transportit dhe një sërë institucionesh tjera. Me këtë ligj, parashihet që prej vitit 2025 nuk do të ketë më punësime të përkohshme nëpërmjet agjencive.

Me ligj, do të detyrohen të gjitha institucionet që shpalljet publike për punë, përveç faqes së Agjencisë për Administratë, t’i publikojnë edhe në faqet e tyre.

Në Qeveri ka kaluar edhe Ligji për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit dhe Transformimit Digjital i cili, parasheh themelimin e Agjencisë për Transformim Digjital, i cili pritet të jetë institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit. Nëse miratohet ligji në Kuvend, Agjencia, pritet të fillojë me punë gjatë vitit 2024 dhe për këtë janë siguruar mjete buxhetore. Me këtë ligj paraqitet që të IT-të e punësuar nëpër institucione të kalojnë në këtë Agjenci, gjegjësisht ata vetëm fizikisht do të jenë në institucionet ku punojnë, ndërkaq juridikisht do të jenë të punësuar në Agjencinë për Transformimin Digjital.

Ministri Azir Aliu dhe ekspertët të cilët kanë punuar në hartimin e pesë ligjeve për reforma në administratë publike
Ministri Azir Aliu dhe ekspertët të cilët kanë punuar në hartimin e pesë ligjeve për reforma në administratë publike

Për t’u miratuar në Kuvend, pret edhe Ligji për Përkryerje Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativ, i cili parashikon formimin e një institucioni të ri, gjegjësisht Qendrës për Aftësim Profesional dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ me fusha tematike, i cili do të jetë ligj krejtësisht i ri. Sipas ligjit, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2025, pas punësimit, administratorët do të duhet të ndjekin trajnim dhe më pas të testohen me shkrim dhe gojarisht. Nëse nuk i kalojnë testimet, u ndërpritet marrëdhënia e punës.

Testimin do ta kryejë komisioni i trajnuesve, në të cilin obligativisht është i kyçur edhe personi udhëheqës nga sektori ku i punësuari punon. Nëse nuk e kalon testin me shkrim, i punësuari në afat prej tre muajsh ka të drejtë edhe një herë të testohet, ndërkaq nëse edhe për herë të dytë nuk e kalon, atëherë i ndërpritet marrëdhënia e punës. E njëjta e drejtë është edhe për testimin gojarisht, pra nëse njëherë nuk e kalon ka të drejtë të testohet sërish, ndërkaq për së dyti nëse nuk e kalon, atëherë i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe nuk mund të jetë pjesë e administratës publike.

Portalb.mk bëri analizë të detajuar për Zyrat “Një pikë për shërbime”, sipas të cilës treguam se si qeveritarët e kanë promovuar si “projekt të suksesshëm”, por që në nuk ka funksionuar. Të dhënat tregojnë se vetëm për një vit, në mbarë Maqedoninë e Veriut, këto zyra me gjithsej 23 të punësuar kanë ofruar vetëm 1.062 dokumente.

Në prill të këtij viti, Ministria njoftoi se zyrat “Një pikë për shërbime” do të mbyllen pasi që kanë dhënë shumë pak shërbime për qytetarët, ndërkaq po përgatitet hapja e 333 sporteleve në zyrat e Postave të Maqedonisë së Veriut, të cilat do t’i japin shërbimet e njëjta. Megjithatë, kanë kaluar tetë muaj, sportelet ende nuk janë hapur, ndërkaq Zyrat ende nuk janë mbyllur.

Për këtë, nga MSHIA njoftuan se për të funksionuar sportelet e reja do të duhej të bëhen ndryshime ligjore. Kështu, ata theksuan se kanë bërë ndërhyrje në Ligjin për Menaxhim Elektronik dhe Shërbimeve Elektronike, që të mundësohet shfrytëzimi i infrastrukturës dhe kapaciteteve të personelit të Sh.A. Posta e Maqedonisë së Veriut – Shkup në të gjithë territorin e vendit. Kjo, sipas MSHIA-së do të mundësojë që të ketë një sportel të posaçëm të shënuar ku qytetarët do të shërbehen dhe do të mund të marrin shërbimet të cilat i ofron modeli “Një Pikë Shërbimi”.

Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës në udhëkryq

Derisa Kuvendi duhet që me urgjencë t’i miratojë pesë ligjet e lartpërmendura, në udhëkryq ka mbetur Ligj për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili është një prej më të rëndësishmëve për reformat në administratë. Me vite përmendet, por ende nuk është miratuar për shkak të mospajtimeve sa i përket çështjes se kush në fund do ta ketë fjalën përfundimtare të emërojë drejtorë.

Ky ligj, premtohet prej vitit 2018-të nga katër ministra me radhë duke filluar nga Damjan Mançevski, pastaj Jeton Shaqiri dhe Admirim Aliti dhe në fund nga Azir Aliu. Ligji në parim, ka për qëllim ndryshim rrënjësor në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve të lartë, për të shmangur ndikimet politiko-partiake dhe duke i dhënë prioritet meritokracisë. Ligji zvarritet me vite dhe nuk miratohej, për shkak se partitë politike nuk kanë pranuar të mbështesin një ligj i cili do “t’ua lidhte duart” në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve të lartë. MSHIA, ka përgatitur version të ri, i cili është “krasitur” dhe është bërë i pranueshëm, por ky version cilësohet se është skandaloz, pasi që me këtë do të legalizohet ndikimi partiako-politik.

Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës. Foto e edituar nga Suad Bajrami/Portalb.mk
Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës. Foto e edituar nga Suad Bajrami/Portalb.mk

Portalb.mk, ka analizuar dy versionet e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, atë të vitit 2019-të (i cili parashikonte ndryshime më serioze dhe kufizonte ndikimin partiak) dhe atë të vitit 2023 (i cili parashikon masa të zbutura dhe lejon ndikimin partiak). Ajo çfarë pamë është se versioni i fundit është larg premtimit për departizim apo siç deklaronte Mançevski, “ndryshimit tektonik në mënyrën e përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta drejtuese”. Për këtë sektori civil dhe anëtarët e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit patën vërejtje serioze, të cilat autoritetet duhet t’i marrin parasysh.

Komisioni Evropian në raportin e progresit për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut thekson nevojën e këtij ligji, duke shtuar se se procesi për miratimin e këtij ligji ka filluar 5 vite më parë, por ende nuk është miratuar.

Për nevojën e miratimit të këtij ligji ka reaguar edhe Instituti për Demokraci Societas Civilis Shkup (IDSCS), të cilët theksojnë se ky ligj paraqet një hap para drejt zgjidhjes së përgatitja dhe miratimin e këtij ligji po zvarritet tanimë disa vite me radhë, ndërkaq përgjegjësia për këtë bartet në institucione të ndryshme.

Së fundmi, ministri Azir Aliu për Portalb.mk, paralajmëroi se deri në fund të janarit të vitit 2024 do të duhet të miratohet ky ligj, pasi që vazhdojnë punimet grupi i ekspertëve, në mesin e të cilëve ka qëndrime të ndryshme për disa çështje.

Mëdyshja e ekspertëve, sipas MSHIA-së, është nëse duhet apo jo pushteti ekzekutiv të ketë mundësi përzgjedhjeje gjatë procedurës së zgjedhjes së drejtorëve apo udhëheqësve të lartë në administratë.

Viti 2024

Shërbime të reja elektronike dhe digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe optimizim të administratës, paralajmëroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në takimin e fundvitit me gazetarët.

“Qëllimi kryesor i MSHIA-së janë që të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve publike, e dini se po punohet në portalin nacional euslugi.mk, që të jetë inkluziv. Për fat të keq, sipas analizave tona një prej arsyeve kryesore pse shumë pak përdoren shërbimet digjitale nga qytetarët është është për shkak të ndërveprimit të portalit i cili është shumë i rëndë dhe ja të them nuk është i lehtë për përdorim. Për atë punojmë intensivisht që të kemi ndërveprim të ri, i cili shumë lehtë do të munden qytetarët të vijnë deri te shërbimet që i kemi. Do të vazhdojmë me rritjen e shërbimeve digjitale. Thash se i digjitalizojmë 135 shërbime të reja, mund të ju informoj se 40 prej tyre tanimë janë mbaruar, ndërkaq të tjerat testohen që t’i shohim rezultatet. Nëse rezultatet tregojnë se janë mjaftueshëm mirë dhe në pajtueshmëri me performancat, të njëjtat do të jenë në produksion”, tha Aliu duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk.

Ai shtoi se administratën publike e presin reformat në kuadër të pesë ligjeve të cilat duhet të miratohen në Kuvend.