“Karton i verdhë” nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Në plan të parë të prezаntimit të paketës së dokumenteve të këtij viti për zgjerimin e Bashkimit Evropian ishin pikërisht prurjet e reja në atë paketë – Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Për ato vazhdon traektorja e përshpejtuar me propozime për fillimin e bisedimeve, të cilat megjithatë janë me efekt të prolonguar dhe/ose të kushtëzuara. Te Ballkani Perëndimor është shtuar Bosnja dhe Hercegovina me një propozim të mundshëm të kushtëzuar për fillim të bisedimeve. Kjo e fundit nuk ishte e mjaftueshme që të ndryshojë përshtypja se Ballkani Perëndimor është në plan të dytë.

Të vazhdojmë me Raportin për Maqedoninë. Ky është padyshim një ndër raportet më kritikë që i ka marrë shteti ynë prej kur Komisioni Evropian e vlerëson progresin e saj në reformat lidhur me BE-në.

Notat për fushat dhe kapitujt kyçe të Kapitullit Themelet janë posaçërisht të këqija. Për Kapitullit 23 Sistemi i drejtësisë dhe të drejtat themelore është konstatuar se nuk ka asnjë progres. Njëjtë është vlerësuar edhe për dy fushat në këtë kapitull – Sistemi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit. Kur KE-ja shpreh “shqetësim serioz”, duhet të aktivizohet alarmi. Pikërisht kjo thuhet për ndikimet e jashtme mbi Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqësinë dhe për ndryshimet e Kodit Penal me të cilat u vjetërsuan një numër i madh i lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike.

Për rerformat në administratën publike është dhënë nota më e ulët për progres -1 (në shkallën prej 0 deri 4) – “e merituar” me miratimin e Strategjisë së re për reforma në administratën publike. Mirëpo, ajo bie nën hijen e “mbështetjes së pamjaftueshme politike, udhëheqjes dhe mbikqyrjes së reformave”. Mbeten kritikat për (jo)cilësinë e procesit të vendimmarrjes. Komisioni edhe më tej është i “shqetësuar” për sistemin e “Balanserit”. Në krahasim me vendet e tjera të Paketës, Maqedonia në mënyrë serioze mbetet pas në digjitalizimin e shërbimeve, numri i të cilave llogaritet si “simbolik”.

Sportel, administratë
Sportel, administratë, foto: Qeveria e RMV-së

Alarmi aktivizohet edhe për të drejtat themelore – posaçërisht sa i përket gjendjes “së tmerrshme” nëpër burgje, por edhe gjendjes së stacioneve policore, në institucionet e kujdesit social dhe nëpër entet psikiatrike. Komisioni paralajmëron se këto gjendje sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mund të llogariten si shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për Ndalimin e Torturës – gjë që është në themelet e një shoqërie demokratike. Kjo është si “rezultat” i mosmarrjes së masave sistematike dhe rrënimit me vite të tëra të sistemit në praktikë.

Progresi në Kapitullin 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria është vlerësuar si “i caktuar” (2 deri 4), por shumica e rekomandimeve përsëriten.

Edhe progresi në prokurimet publike është vetëm “i kufizuar”. Raporti nuk lëshon rastin që të shprehë shqetësim për marrëveshjen me Bechtel dhe Enka, që është kryer jashtë procedurës të paraparë me Ligjin për Prokurimet Publike, duke vlerësuar se është në kundërshtim me “dispozita të tjera” dhe me obligime ndërkombëtare.

“I caktuar” është progresi te kriteret ekonomike, në të cilat shteti, sipas notës për nivelin e gadishmërisë qëndron mirë në raport me kandidatët e tjerë, si dhe në Kapitullin 32. Kontrolli financiar.

I vetmi përjashtim i mirë nga pasqyra kryesisht e keqe për Kapitullin “Themelet” është Kapitulli “Statistika”, në të cilin konstatohet “progres i mirë”, që është me rëndësi të veçantë në raport me rezultatet e Regjistrimit të popullsisë. Mirëpo, pushteti tashmë më shumë vite i injoron rekomandimet e Komisionit Evropian për sigurimin e resurseve financiare dhe njerëzore për Entin e Statistikës, që mund ta cenojnë edhe këtë pikë të vetme të ndritur në Klasterin “Themelet”.

Enti Shtetëror i Statistikës (EShS) - Njësia Rajonale Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Enti Shtetëror i Statistikës (EShS) – Njësia Rajonale Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mungesë e progresit është konstatuar edhe për disa kapituj – Politika e konkurrencës, Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturale, E drejta e pronësisë intelektuale, E drejta e shoqërive tregtare, Liria e lëvizjes së punëtorëve. Të tjerat lëvizin midis notave “progres i kufizuar” dhe “progres i caktuar”, me përjashtim të Lirisë së lëvizjes së kapitalit dhe Politikës së jashtme dhe të sigurisë, ku progresi është “i mirë”. Posaçërisht shqetësojnë me vite mungesat e progresit në Politikën e konkurencës dhe Politikën rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturale – dy kapituj me rëndësi të jashtëzakonshme për përdorimin e mjeteve të BE-së.

Kur jemi te mjetet e BE-së, vetëm do ta përmendim Planin e promovuar të rritjes, që meriton një analizë të veçantë, edhe përkrah asaj se përshtypja e parë është se është larg pritshmërive.

Dhe të përfundojmë me atë me të cilën zakonisht fillon Raporti – Institucionet demokratike. Për fat të keq, përsëriten (e madje edhe ashpërsohen) kritikat nga raportet e mëparshme – nuk ka progres në revizionin e legjislaturës zgjedhore që duhej të bëhej në kohë para zgjedhjeve, polarizimi i Kuvendit po thellohet, vonohet me emërimin e funksioneve kyçe, flamurthi evropian po keqpërdoret…

Amendamentet Kushtetuese bien në hije të kritikave mbi reformat. Prezantohet një faktografi për procedurën pas tyre dhe përsëritet se shteti ka marrë obligim që t’i implementojë.