ANALIZË: Ndërmarrjet publike – mbi 75% e të punësuarve më të vjetër se 46 vjeç, ende nuk ka zgjidhje për “ndërmarrjet humbëse me dekada”

Në vend janë të regjistruara 159 ndërmarrje publike, të cilat janë themeluar nga nivele të ndryshme të pushtetit, Kuvendi, Qeveria, komunat dhe Qyteti i Shkupit. Pjesa më e madhe ose 143 ndërmarrje janë themeluar nga Qyteti i Shkupit dhe komunat, 13 janë nën pronësi të Qeverisë, kurse 3 ndërmarrje publike janë themeluar nga Kuvendi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, një pjesë e madhe e NP-ve në vend gjenerojnë borxhe që nuk mund t’i shlyejnë në kohë. Vitin e kaluar në të gjitha NP-të në vend kanë punuar 16.887 persona, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Ndërmarrjet publike – punëdhënësit “më të mëdhenj” …

Ato përfshijnë një numër të madh punonjësish, ofrojnë shërbime, mirëpo nuk janë financiarisht të qëndrueshme. Të dhënat e reja të analizuara nga “Portalb”-i, e që mbështeten në disa burime, tregojnë se një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike në vend punojnë me humbje, nuk mund t’i shlyejnë borxhet e tyre, gjenerojnë detyrime të reja dhe punojnë me humbje që amortizohen me paratë buxhetore nga pushteti qendror dhe lokal. Por, nga ana tjetër, NP-të janë një nga punëdhënësit “më të mëdhenj”.

Sipas të dhënave nga Regjistri i Punonjësve në Sektorin Publik në vitin 2023, me mbi 500 punonjës, funksionojnë disa NP si p.sh. Transmetuesi Kombëtar RTM, Pyjet Kombëtare, Hekurudhat – Infrastruktura, NPT, Higjiena Komunale, Ujësjellësi dhe Kanalizimi dhe të tjera.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Është interesante të theksohet se në NP-të në vend, 81,94% e të punësuarve janë burra, kurse pjesa e mbetur prej 18,06% janë gra. Në nivel të gjithë sektorit publik, mosha mesatare më e lartë e të punësuarve është regjistruar pikërisht te NP.  Rreth 75,4% e të punësuarve janë mbi 46 vjeç.

“Mund të vërehet se mosha mesatare më e lartë prej 49,3 vjeç është te ndërmarrjet publike”- thuhet në raport.

Pothuajse 71% e të punësuarve nuk e kanë deklaruar përkatësinë etnike ose janë përgjigjur se i përkasin ndonjë bashkësie “tjetër” etnike, pa specifikuar se cilës. Nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në të gjitha NP-të, pothuajse 18% janë maqedonas etnikë, 0,66% janë deklaruar si shqiptarë etnikë, 4,69% romë, 2,34% turq, 1,30% janë deklaruar si serbë, 1,63% vllahë dhe 0,41% boshnjakë.

NP-të në “rrethin vicioz të borxhit” – disa prej tyre nuk mund t’i paguajnë rrogat pa subvencione!

NP-të e mëdha të themeluara nga Qeveria, sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, edhe vitin e kaluar e kanë përfunduar me humbje. Në veçanti, NP “Hekurudhat – Infrastruktura” në tremujorin e fundit të vitit 2023 paraqit një minus prej gati 1,6 milion euro, NP për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale kishte humbje prej 1,5 milion euro, NPR RTM në tremujorin e fundit paraqiti një minus prej 3 milion euro, NP Sistemi kolektor kishte humbje prej 742.000 euro.

Një pjesë e madhe e ndërmarrjeve publike në nivel qyteti dhe lokal vazhdojnë të mbështeten në “transferimet” në formë subvencionesh, të cilat llogariten në shuma milionëshe në vit.  Prej shumë vitesh NP-të janë renditur lart në listën e “borxhlinjve” të Ministrisë së Financave. Vitin e kaluar, në listën e borxhlinjve, me detyrime të prapambetura, por të papaguara, tre NP u renditën lart në dhjetëshen e parë: HM “Hekurudhat – Infrastruktura” me detyrime në vlerë prej 41 milionë euro, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup me borxh prej gati 9,1 milionë euro dhe NP “Ujësjellësi “- Kumanovë me shumën e borxhit prej 9 milionë euro. NP-të në nivel qendror dhe lokal, së bashku me kompanitë shtetërore, janë sektori me borxhet më të mëdha.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve publike është 159, prej të cilave 115 janë ndërmarrje publike për punë komunale, 8 janë ndërmarrje publike për bujqësi dhe pylltari, 17 janë ndërmarrje publike transportuese, 2 ndërmarrje publike nga veprimtaria e informimit, 1 ndërmarrje publike nga veprimtaria e shoqërisë informatike dhe 15 ndërmarrje publike nga veprimtari të tjera.

Nga gjithsej 159 ndërmarrje publike, 13 janë themeluar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, 3 janë themeluar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse numri më i madh, gjegjësisht 143 janë themeluar nga Qyteti i Shkupit dhe komunat.