RMV, reforma e Administratës Publike: çfarë fshihet pas notës së dhënë nga Brukseli “mesatarisht e përgatitur”
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.
Për raportin nga skriningu i BE-së, për Administratën
Edhe Reforma e Administratës Publike (RAP) për herë të parë është pjesë e negociatave. Për këtë fushë Acquis-i është i varfër, sepse në Union zbatohet parimi i autonomisë institucionale të shteteve anëtare. Megjithatë, harmonizimi në rritje i së drejtës të BE-së, i zbatuar nga shtetet anëtare, ka ndikim në strukturat e tyre institucionale dhe administrative.
Në fillim Komisioni e thekson “të drejtën e qytetarëve për qeverisje të mirë” të garantuar në Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së. Kapaciteti institucional dhe administrativ për marrjen përsipër të detyrimeve të anëtarësimit është pjesë e kushteve për anëtarësim, i njohur edhe si “Kriteri i Madridit”.
Një rol kyç në zhvillimin dhe ndjekjen e kritereve për reformën e administratës publike në vendet kandidate dhe kandidate potenciale (tani e shtrirë edhe në vendet fqinje) luan OECD nëpërmjet iniciativës SIGMA në partneritet me Komisionin Evropian. Kriteret e mishëruara në dokumentin “Parimet e Administratës Publike” gjithashtu janë bazë për Raportin për skriningut. Krahas zhvillimit të kritereve dhe ndjekjes, OECD-SIGMA është e përfshirë edhe në hartimin e legjislacionit të ri në këtë fushë.
Raporti nga skriningu i RAP jep edhe nota për nivelin e përgatitjes. Si për të gjithë fushën ashtu edhe për pjesët në veçanti, nota është 3 – përgatitje mesatare. [1] Identike janë edhe notat për Shqipërinë.
Raporti konstaton se është krijuar një kornizë strategjike për reformën e administratës publike, por nga përvoja e deritanishme, ai paralajmëron për sigurimin e vazhdimësisë dhe zbatimin konsekuent. Rekomandimi për harmonizim me kornizën e re evropiane të interoperabilitetit është përsëritur dy herë.
Për sa i përket zhvillimit dhe koordinimit të politikave, mbeten konstatimet dhe rekomandimet tashmë të përsëritura nga raportet vjetore për nevojën për përmirësimin e të gjithë procesit, duke përfshirë këtu konsultime adekuate dhe përgatitje të një vlerësimi të ndikimit të rregullores. Në raport theksohet edhe se procesi i ndjekjes dhe raportimit për zbatimin e Programit Kombëtar për miratimin e ligjit të BE-së është ndërprerë, e që i njëjti duhet të rifillojë. Edhe këtu përsëritet rekomandimi për shmangien e përdorimit të procedurave të shkurtuara dhe urgjente për miratimin e ligjeve. Raporti vlerëson koordinimin e dobët qendror në nivel të Qeverisë/Sekretariatit të saj të Përgjithshëm.
Për sa i përket shërbimit publik dhe menaxhimit të burimeve njerëzore është përsëritur rekomandimi për sigurimin e punësimit, ngritjes në detyrë dhe largimit nga administrata publike në bazë të parimit të meritës, si dhe kritika për mostransparencën e këtij procesi. Megjithatë, në këtë raport Komisioni i shmanget përdorimit të formulimeve më të rënda si “politizimi i administratës publike”, “kronizmi”, “nepotizmi” etj. Përkundër kësaj ai rekomandon që parimi i meritës të sigurohet veçanërisht në nivelin e shërbimit të lartë udhëheqës, duke aluduar në miratimin e Projektligjit për Shërbimin e Lartë Udhëheqës – i përgatitur me mbështetjen e BE-së.
Vëmendjen e publikut e tërhoqi kritika për instrumentin për sigurimin e përfaqësimit të drejtë – “Balancer”, për të cilin në Raport thuhet se nuk po i përmbusH qëllimet e tij, sidomos duke pasur parasysh se nuk i pasqyron të dhënat e regjistrimit të popullsisë rezidente. Krahas kësaj është dhënë edhe vlerësimi se “veprimet paralele për rritjen e punësimit të pjesëtarëve të pakicave në sektorin publik gjatë aplikimit të tyre mund të cenojnë parimet e meritës, efektivitetit dhe përfaqësimit të drejtë”.
Në fushën “Organizimi dhe përgjegjësia” rezymeja e gjetjeve përmban një rekomandim për miratimin e ligjit të ri të propozuar – Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, i cili poashtu është produkt i një projekti të mbështetur nga BE-ja. Krahas kësaj është konstatuar se informacionet nuk publikohen në mënyrë proaktive dhe konsistente në të gjithë sektorin publik. Ritheksohet nevoja për zbatimin e plotë të Ligjit për Kontestet Administrative.
Edhe pse nota “mesatarisht i përgatitur” është dhënë edhe për fushën “Ofrimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset”, kjo nuk mund të jetë ngushëllim për faktin se në vitin 2022 Maqedonia ishte e fundit, e 35-ta nga 35 shtete evropiane për të cilat u zbatua matja në kuadër të eGovernment Benchmark – një mjet ky i BE-së për monitorimin e ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët nga ana e qeverive. Rekomandimet kryesore janë thjeshtimi i procedurave administrative, sigurimi i aksesit digjital dhe rritja e numrit të shërbimeve digjitale.
Rekomandimet kryesore në fushën e Kontrollit Financiar Publik kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit të ri për Buxhetet, si dhe me sistemin informativ për menaxhimin me financat. Megjithatë, nuk mund të pritet që ligji vetë më vete t’i eliminojë të gjitha problemet e listuara në lidhje me: transparencën e financave publike; menaxhimin e mjeteve dhe detyrimeve; funksionalitetin e sistemit të investimeve publike; si dhe nevojën për modernizimin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Dhe në raportin nga skriningu theksohet se strategjia fiskale dhe buxheti duhet të bazohen në politika dhe se përgatitja e buxhetit duhet të jetë një operacion strategjik.
Gjetjet dhe rekomandimet në fushën e Reformës së Administratës Publike janë të rëndësishme si bazë për Udhërrëfyesin për Administratën Publike, i cili do të jetë pikë referimi për hapjen e negociatave të Klasterit 1, krahas Udhërrëfyesit për Sundimin e Ligjit (Kapitujt 23 dhe 24, përfshirë këtu edhe Planin për pakicat). Duket se Komisioni ka dhënë udhëzime të mjaftueshme dhe specifike për këtë dokument. Megjithatë, ekzistojnë më shumë rreziqe. Njëri është rënia në të ashtuquajturin “teknikizim”, kur në fakt çështja është politike, gjë që tregohet qartë në një nga prezantimet e skriningut shpjegues.
Ekziston edhe rreziku i vazhdimit në një rreth vicioz i ndryshimeve të vazhdueshme dhe të nxituara ligjore, pa e arritur qëllimin e tyre. Praktika nga viti 1999 kur u miratua Strategjia e parë e Reformës së Administratës Publike në kuadrin e procesit të integrimit evropian, tregon ndryshime shumë të shpeshta ligjore, pothuajse të gjitha me mbështetjen e BE-së, por pa i arritur realisht qëllimet e dëshiruara – një administratë efikase e depolitizuar që u shërben qytetarëve dhe bizneseve. RAP duhet të sjellë ndryshime për mirë, përfshirë këtu edhe kontributin për stabilitetin institucional.
Rezymeja e gjetjeve
Raporti nga skriningu, Klasteri 1, fusha: Reforma e Administratës Publike (RAP)
Nota për përgatitjen: 3 (mesatarisht i përgatitur)
Fusha | Nota për përgatitjen | Rezymeja e gjetjeve
|
I Korniza strategjike për RAP | 3 | – Të vazhdojnë reformat në kuadër të një strategjie valide dhe të mirëkoordinuar për reforma;
– Të sigurohet përgatitje dhe miratim në kohë i dokumenteve të reja të planifikimit strategjik për reformat me qëllim që të sigurohet vazhdimësi, ruajtja e motivimit dhe të shmangen boshllëqet në zbatim; – Korniza kombëtare për interoperabilitet të harmonizohet me Kornizën evropiane për interoperabilitet. |
II Zhvillim dhe koordinim i politikës | 3 | – Të përmirësohet planifikimi i politikave dhe politikbërja inkluzive e bazuar në dëshmi, përmes:
• përdorimit të një procedure të rregullt legjislative për miratimin e legjislacionit të ri; • zbatimit të një konsultimi adekuat publik; • përgatitjes së një vlerësimi të ndikimit të rregullores. – Të kufizohet përdorimi i procedurës legjislative të shkurtuar ose urgjente; – Të përmirësohen kapacitetet qendrore për koordinim, sidomos përmes fuqizimit të rolit të Sekretariatit të Përgjithshëm. |
III. Shërbimi publik dhe menaxhimi me burimet njerëzore ресурси | 3 | – Të gjitha punësimet, avancimet dhe shkarkimet në AP, sidomos në nivelet e larta udhëheqëse të jenë të bazuara në merita dhe transparente edhe me rregullim të duhur në legjislacion. |
IV.Ofrimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset | 3 | – Ofrimi i shërbimeve duhet të jetë i orientuar drejt klientit dhe të jetë lehtësisht i aksesueshëm për qytetarët dhe bizneset nëpërmjet:
• thjeshtësimin e procedurave administrative dhe • aksesit digjital. – Numri i shërbimeve plotësisht të digjitalizuara në portalin e shërbimit kombëtar duhet të rritet ndjeshëm. – Harmonizimi me kornizën më të fundit evropiane të interoperabilitetit. |
V. Organizimi dhe përgjegjësia | 3 | – Miratimi i shpejtë i ligjit të ri për organizimin shtetëror me qëllim:
• racionalizimin e kornizës institucionale, • heqjen e kompetencave që përputhen, • përmirësimin e efikasitetit të administratës, • përmirësimin e linjave të përgjegjësisë |
VI. Menaxhimi me financat publike | 3 | – Të përshpejtohet ngritja e strukturave të reja institucionale të parashikuara me Ligjin për buxhetet nga viti 2022 dhe të sigurohet në kohë stafi teknikisht i kualifikuar dhe adekuat i njësive kryesore të reformës.
– Të miratohet dhe publikohet një plan veprimi i detajuar për zbatimin e Ligjit të ri për buxhetet OBL dhe – SIIMF (sistemi i integruar informativ për menaxhimin me financat) – Të miratohen shpejt aktet nënligjore dhe udhëzimet për zbatimin e Ligjit për Buxhetin, si dhe Ligjit për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik. |
[1] Notat janë: 1 – faza e hershme; 2 – nivel i caktuar i përgatitjes; 3 – përgatitje mesatare; 4 – nivel i mirë i përgatitjes; 5 – përparim solid.
- LEXO: Brukseli e sheh Maqedoninë si shtet pa institucione demokratike plotësisht të konsoliduara
- LEXO: Rezultatet e skriningut: Kuvendi i RMV-së të vendosë planifikim më efikas të procesit ligjvënës, të kufizohet përdorimi i procedurave të shpejta
- LEXO: Administrata publike në RMV, të vazhdojnë reformat brenda kornizës së një strategjie të vlefshe dhe të mirëkoordinuar, apelon BE
- LEXO: Komisioni Evropian: Në RMV të përmirësohet transparenca në hartimin e politikave dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e konsultimit
- LEXO: KE e publikoi raportin e skriningut të klasterit të parë për Maqedoninë e Veriut: Themelet janë skanua