Iniciativa për përfundimin e Korridorit 8 rrugor dhe hekurudhor, kryefjala e vitit 2023 në infrastrukturën e RMV-së

Vendosmëria e Qeverisë së Maqedonisë për të punuar në mënyrë intensive në ndërtimin e boshtit lindje-perëndim, gjegjësisht në realizimin e Korridorit 8 rrugor dhe hekurudhor që kalon nëpër vendin tonë është shenja e infrastrukturës për vitin 2023. Dymbëdhjetë muajt e kaluar, deklaratat e politikanëve, sektorit joqeveritar por edhe subjekteve të tjera në shoqëri, si dhe lëvizjet konkrete që u ndërmorën, i dhanë prioritet në publik Korridorit 8 që duhet ta lidhë Maqedoninë me Bullgarinë dhe Greqinë, shkruan Meta.mk.

Bashkësia ndërkombëtare pas një kohe më të gjatë po shfaq interes për realizimin e këtij korridori panevropian, që nga ana e Bashkimit Evropian në maj të vitit 2023 u vendos në hartën e korridoreve kryesore të TEH-T-it (Rrjetit Trans-Evropian të transportit në BE). Kjo praktikisht domethënë që për Korridorin 8 në të ardhmen do të ketë shumë më shumë mundësi për financim të të njëjtit, si nga ana e BE-së, ashtu edhe nga ana e institucioneve të tjera financiare.

BE-së nuk i duhej shumë kohë që ta tregojë përkushtimin e saj në mbështetjen për vendin tonë në lidhje me ndërtimin e Korridorit 8. Kjo mbështetje, tani për tani, kryesisht është dedikuar për Korridorin hekurudhor 8, me theks të veçantë te përfundimi final i hekurudhës drejt Bullgarisë.

Ndërtimi i hekurudhës Kumanovë-Beljakovc, 17 shtator 2023. Foto: Meta.mk
Ndërtimi i hekurudhës Kumanovë-Beljakovc, 17 shtator 2023. Foto: Meta.mk

Kah fundi i dhjetorit të vitit 2023, në faqen e prokurimeve publike të BE-së u shpall tenderi për ndërtimin e fazës së tretë të linjës hekurudhore midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, në segmentin nga Kriva Pallanka deri në vendkalimin kufitar Deve Bair. Segmenti nga Kriva Pallanka deri në Bullgari është i gjatë 27,5 kilometra, ndërsa përfshin 22 tunele në gjatësi të përgjithshme prej 9 kilometrash dhe edhe 52 ura/viadukte në gjatësi prej 5 kilometrash. Pikërisht BE-ja siguroi pjesën më të madhe të mjeteve të domosdoshme për ndërtimin e tri fazave të hekurudhës drejt Bullgarisë. Vetëm për fazën më të vështirë, prej Kriva Pallanke deri në kufirin me Bullgarinë, janë siguruar mbi 500 milionë euro edhe atë nga 175 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Banka Evropiane për Rinovim dhe Zhvillim (EBOR), 149,2 milionë euro si grant investues nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor e BE-së (VBIF) dhe 60,2 milionë euro nga Programi i BE-së IPA 2.

Realizimi i fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë në terren duhet të fillojë gjatë vitit 2024. Kompanitë fillimisht do të duhet që deri më 28 mars të vitit 2024 t’i dorëzojnë ofertat për realizimin e projektit, e pastaj do të zgjidhet ofertuesi më i mirë. Periudha deri kur duhet të ndërtohet faza e tretë është 5 vite, gjegjësisht deri në fund të vitit 2029 do të bëhet realitet udhëtimi nga Shkupi deri në Sofje me tren.

Ndërkohë, në terren vazhdon ndërtimi i fazës së parë dhe të dytë të hekurudhës në segmentin nga Kumanova deri në Kriva Pallankë. Meta.mk këtë vjeshtë ishte në vizitë të një pjese të terrenit ku zhvillohen aktivitetet ndërtimore, ku vërejti se të njëjtat në atë moment po zhvilloheshin me tempo të ngadalësuar. Megjithatë, nga pushteti janë kategorik se faza e parë e hekurudhës deri në Beljakovcë do të përfundojë në afatin fillestar – deri në fund të vitit 2024.

Nënshkrimi i marrëveshjes për Korridorin 8 dhe 10d. Foto nga Qeveria e Maqedonise se Veriut
Nënshkrimi i marrëveshjes për Korridorin 8 dhe 10d. Foto nga Qeveria e Maqedonise se Veriut

Edhe Komisioni EvropianRaportin mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së për vitin 2023 u theksoi autoriteteve maqedonase se duhet në mënyrë urgjente të përshpejtohet ndërtimi i Korridorit hekurudhor 8, me theks të veçantë te shpallja e tenderit për realizimin e fazës së tretë.

Përveç në pjesën e infrastrukturës hekurudhore, Korridori 8 këtë vit ishte posaçërisht aktual edhe në pjesën e rrugëve. Në maj të vitit 2023, Kuvendi i miratoi ndryshimet dhe plotësimet e pesë ligjeve që kishin lidhje me realizimin e Marrëveshjes me Konzorciumin “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e katër autostradave të Korridoreve 8 dhe 10. Bëhet fjalë për Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për marrëdhëniet e punës, Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ekspropriim, Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ndërtim dhe Ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për planifikim urbanistik.

Presidenti Stevo Pendarovski vendosi që t’i nënshkruajë dekretet për shpalljen e pesë ligjeve, edhepse shoqatat joqeveritare reaguan se me miratimin e ndryshimeve ligjore ekziston mundësia për korrupsion. Pasi kaloi procedura nëpër institucionet shtetërore, konzorciumi amerikano-turk “Bechtel – Enka” në shtator të vitit 2023 e filloi ndërtimin e autostradës Gostivar-Kërçovë në Korridorin 8.

Përveç autostradës midis Gostivarit dhe Kërçovës, “Bechtel-Enka” do t’i ndërtojë edhe autostradat Tetovë – Gostivar, Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë dhe Prilep- Manastir në Korridoret 8 dhe 10D, që do të jenë me gjatësi të përgjithshme prej 110 kilometrash. Nga ana e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në shtator të këtij viti premtuan se në periudhën në vijim do të ndërtohen nga 23 kilometra autostradë në vit në Korridoret 8 dhe 10D.

Punimet për Korridorin 8 në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Punimet për Korridorin 8 në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas Radios Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase, deri në fund të vitit 2023 vendi ynë ka ndarë rreth 245 milionë euro për autostradat, që duhet t’i ndërtojë konzorciumi “Bechtel-Enka”. Në vitin 2024 do të ndahet shuma e njëjta, me të cilën do të duhet të vazhdojë ndërtimi i autostradave në Korridoret 8 dhe 10D.

Në pjesën e realizimit të Korridorit rrugor 8, mbetet dilema e madhe se çfarë do të bëhet me autostradën Kërçovë – Ohër që po ndërtohet nga ana e kompanisë kineze Sinohidro. Afati për përfundimin e këtij segmenti rrugor përfundoi në fund të vitit 2023, ndërsa në terren realizuesi nga Kina nuk i kompletoi punimet ndërtimore në tërësi. Nga ana e Qeverisë deri në shkrimin e këtij teksti nuk kanë njoftuar se në çfarë mënyrë do të vazhdojë ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, por theksuan se i njëjti do të përfundojë.

Nga ana e Ministrisë për Transport dhe Lidhje në fund të vitit të kaluar njoftuan se është bërë revizion, gjegjësisht raport revidues, që është dorëzuar deri te Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qeveria. Në bazë të këtij dokumenti, institucionet do të sjellin vendim me zgjidhje më adekuate për përfundim të projektit. Ajo që do të duhet rishtas të përpilohet është riprojektimi i 11 rrëshqitjeve të dheut, që pastaj duhet të sanohen.

Në pjesën e Korridorit 8 vitin e kaluar u lëshua në përdorim rruga e rindërtuar nga Struga deri në pikën kufitare të Qafëthanës me Shqipërinë, që do të përdoret nga qytetarët deri në përfundimin e autostradës së re. Në pjesën drejt Bullgarisë Korridori rrugor 8 vitin e kaluar filloi të realizohet. Në maj u lëshua në përdorim rruga e rindërtuar Kumanovë-Stracin në gjatësi prej 31,2 kilometrash. Njëherit, vitin e kaluar vazhdoi edhe ndërtimi i rrugës së re ekspres Rankovcë- Kriva Pallankë me gjatësi prej 24,5 kilometrash, që duhet të përfundohet deri në qershor të vitit 2024.

Korridori 10 – theksi është vendosur në përfundimin e seksionit D prej Gradsko deri në Manastir

Edhe te Korridori panevropian 10 vitin që kaloi kishte një sërë aktivitetesh që u realizuan në pjesën e zhvillimit rrugor dhe hekurudhor. Në infrastrukturën rrugore theksi u vendos tek seksioni D i Korridorit 10, që ndërtohet prej në Gradsko deri në kufirin Maqedono-Bullgar.

Bechtel dhe Enka. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Bechtel dhe Enka. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Më 14 shtator të vitit 2023 filloi ndërtimi i autostradës Prilep – Manastir nga ana e Konzorciumit Amerikano-Turk “Bechtel-Enka”. Segmenti është me gjatësi të planifikuar prej 40 kilometrash. Paralelisht me realizimin e punimeve ndërtimore në këtë autostradë që duhet të realizohen në vitin 2023 vazhdoi realizimi i rrugës eksprese Gradsko-Prilep.

Edhepse fillimisht ishte njoftuar se do të jetë e përfunduar deri në mesin e vitit 2023, kjo rrugë ekspres mbetet të përfundohet me një vit vonesë, gjegjësisht deri në mesin e vitit 2024. Me realizimin e këtyre dy projekteve, qytetarët e rajonit të Pellagonisë do të fitojnë një infrastrukturë krejtësisht të re rrugore drejt Shkupit, por edhe vendi ynë do të fitojë një qasje më të shpejtë drejt Greqisë dhe pikës përfundimtare të Korridorit 10 – portit të Igumenicës në Detin Jon.

Kur bëhet fjalë për vetë autostradën nga Tabanoci deri në Gjevgjeli, vitin që lëmë pas e shënoi fillimi i rindërtimit të segmentit Negotinë – Demir Kapi që duhet të përfundojë deri në prill të vitit 2024. Pas ngecjes së gjatë të punëve vazhdoi rindërtimi i autostradës në segmentin Petrovec- Katllanovë.

Në pjesën e Korridorit rrugor 10 nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve vitin e kaluar u shpall tenderi për përcaktimin e realizuesit që do ta implementojë Sistemin Inteligjent të Transportit. Kontrata për këtë projekt duhet të vazhdohet deri në fillim të vitit, me çka në vitin 2024 i gjithë komunikacioni nga Velesi deri në Tabanoc 24 orë do të monitorohet nga një qendër kontrolluese nëpërmjet vendosjes së video mbikëqyrjes përgjatë autostradës, do të vendoset sinjalizim elektronik i komunikacionit për informimin e shoferëve mbi kushtet e rrugës, do të vendosen SOS telefona, si dhe sisteme për dhënien e informatave mbi kushtet klimatike në rrugë dhe mbi matjen e gazrave serë.

Sa i përket autostradës Shkup – Bllace, viti 2023 mund të kualifikohet si periudhë realizimi të ngadaltë të punëve. Tenderi për përzgjedhjen e realizuesve për ndërtimin e fazës së dytë prej te kyçja për në f. Bllacë deri në Unazën e Shkupit në gjatësi prej 10,5 kilometrash është shtyrë për më 10 janar të këtij viti, gjegjësisht deri në këtë afat kompanitë do të mund të paraqiten në tender. Këtë vit duhet të fillojë ndërtimi i këtij segmenti autostradë, por mbetet shqetësimi mbi atë se kur do të përfundojnë të dy fazat. Gjegjësisht, në janar të vitit 2023 u nënshkrua një kontratë e re me firmën e Shkupit “Granit” për përfundimin e 2 kilometrave të parë nga kufiri me Kosovën deri në lidhjen e fshatit Bllacë, që ishte lajmëruar se do të jetë e përfunduar deri në fund të vitit 2023, edhepse afati fillestar për përfundim ishte viti 2021.

Korridorin 10 hekurudhor në vitin e kaluar e shënoi nënshkrimi i Memorandumit midis Qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Nishi deri në Shkup, që duhet të ndërtohet me mjete financiare që do të sigurohen nga BE-ja. Memorandumi u nënshkruajt më 17 nëntor të vitit 2023, e ajo që mbetet në vitin 2024 është që së bashku të punohet në dokumentacionin projektues për realizimin e kësaj hekurudhe.

Serbia do të duhet ta ndërtojë segmentin hekurudhor Nish-Preshevë me gjatësi prej 135 kilometrash, ndërsa Qeveria e Maqedonisë duhet rishtas t’i projektojë 50 kilometrat nga pika kufitare Preshevë deri në Shkup.

Në fund të vitit 2023 përfundoi rindërtimi i hekurudhës nga Nogaevci deri në Negotinë me gjatësi prej 31 kilometrash. Segmenti është pjesë e Korridorit 10, ndërsa u rindërtua për 10 vite fantastike. Në këtë pjesë tani trenat do të mund të lëvizin me shpejtësi prej 100 km/h. Megjithatë, problem i madh gjatë muajit nëntor të vitit 2023 u paraqit me urën hekurudhore mbi lumin Cërna, kur lëshoi një nga shtyllat dhe u shkaktua ndërprerje e plotë e transportit të mallrave dhe udhëtarëve në hekurudhën nga Velesi deri në Gjevgjeli. Komunikacioni duhet të ripërtërihet në fillim të këtij viti, pasi në periudhën që kaloi u krye sanim urgjent dhe përforcim i shtyllës mbajtëse të urës.

Do të ndërtohet konektor me Greqinë, gazpërçuesi Shkup-Gostivar para një foto finishi

Rindërtimi aktual i hekurudhës Nogaevci-Negotinë në hekurudhën e Korridorit 10; Foto: Meta.mk
Rindërtimi aktual i hekurudhës Nogaevci-Negotinë në hekurudhën e Korridorit 10; Foto: Meta.mk

Viti i kaluar shënoi edhe përfundimin e gazpërçuesit magjistral Shkup – Tetovë – Gostivar. Ky projekt infrastrukturor ndërtohet për më shumë se shtatë vite, e me përfundimin e tij duhet të mundësohet qarkullim i gazit natyror edhe drejt rajonit të Pollogut. Ajo çka duhet tani të bëhet në periudhën në vijim është që të ndërtohet rrjeti i shpërndarjes në Tetovë dhe Gostivar, që të mund të mundësohet lidhje e subjekteve të interesuara me gaz natyror.

Me rëndësi kyçe për Maqedoninë është tenderi i shpallur nga ana e Bashkimit Evropian për ndërtimin e interkonektorit për gazpërçim nga Negotina deri në vendbanimin grek Nea Mesimvria në gjatësi prej 123 kilometrash. Procedura e tenderimit do të zgjasë deri më 1 shkurt, pas çka do të duhet të zgjidhet oferta më e përshtatshme për ndërtimin e lidhjes gazpërçuese midis dy vendeve.

Edhepse një pjesë e sektorit joqeveritar, fillimisht organizatat e qytetarëve CEE Bankwatch Network dhe Eko-svest, parashtruan ankesa deri te Sekretariati i Bashkësisë Energjetike, Zyra Evropiane për Luftën kundër Mashtrimeve (OLAF) dhe Sekretariati i Bashkësisë Evropiane, kundër ndërtimit të projektit, ky projekt infrastrukturor do të duhet detyrimisht të realizohet në periudhën në vijim.

Nëse ndërtohet interkonektori gazpërçues me Greqinë, atëherë vendi ynë në të ardhmen do të sigurojë një lidhje alternative për sigurimin e gazit natyror – në vend të përdorimit të deritanishëm të gazit rus të “Gazpromit” që vjen nëpërmjet Bullgarisë, në të ardhmen do të mund të furnizohet me gaz amerikan nga terminali i ardhshëm LNG në Greqi, si dhe nga gazpërçuesi TAP që furnizon me gaz nga Azerbejxhani nëpërmjet Turqisë për në Evropë.