Me formimin e Agjencisë Digjitale, rrogat e IT-ve të punësuar në shtet do të llogariten sipas mesatares së rrogave në privat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka miratuar Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit dhe transformimit digjital i cili, parasheh themelimin e Agjencisë për Transformim Digjital, i cili pritet të jetë institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit. Në brifingun me gazetarët, gjatë ditës së enjte, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, tha se i njëjti pritet që prej javës së ardhshme duhet të dërgohet në Kuvend, i cili do të miratohet me procedurë të shkurtuar dhe flamur evropian, shkruan Portalb.mk.

“Kjo zgjidhje ligjore parashikon themelimin e Agjencisë për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit dhe transformimit digjital në sektorin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përcaktohen masat për menaxhimin me rreziqet dhe krizat e sigurisë, definohen obligimet për njoftim dhe shkëmbimin e informacioneve që lidhen me sigurinë kibernetike, transformimin digjital të sektorit publik dhe rregullon edhe çështje të tjera që lidhen me rrjetet dhe sistemet e informacionit dhe transformimit digjital të sektorit publik”, tha Aziri.

Agjencia, pritet të fillojë me punë gjatë vitit 2024 dhe për këtë janë siguruar mjete buxhetore.

“Ligji siguron nivel të lartë të sigurisë kibernetike, ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës komunikuese-informuese, transformimit të sektorit publik më efikas dhe më efektiv, shkallë të lartë të qasjes së hapur për tu siguruar zgjidhje inovative softverike dhe të sigurohen trajnime për sigurinë kibernetike dhe aftësive digjitale për të punësuarit në sektorin publik dhe qytetarët në Republikën e Maqedonisë Veriore”, tha Aziri.

Me këtë ligj paraqitet që të IT-të e punësuar nëpër institucione të kalojnë në këtë Agjenci, gjegjësisht ata vetëm fizikisht do të jenë në institucionet ku punojnë, ndërkaq juridikisht do të jenë të punësuar në Agjencinë për Transformimin Digjital.

“Rroga e tyre, do të jetë sa rroga mesatare e IT-ve në sektorin privat. Pra do jetë në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave për vitin paraprak”, tha Aziri.

Njashtu, Agjencia do të kryej edhe punë profesionale dhe zhvillimore në sferën e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit dhe nga sfera e transformimit digjital në sektorin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ajo do të jetë e pavarur në kryerjen e kompetencave të saja të vërtetuara me këtë zgjidhje ligjore, për çka do të jap llogari para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Anëtarët dhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë, përmes konkursit publik do te zgjidhen nga Qeveria”, shtoi Aziri.

Agjenci për Transformim Digjital parashihet të mbulojë 4 shtylla:

  1. Siguria kibernetike e cila do të duhet t’i mbrojë të gjitha institucionet.
  2. Infrastruktura digjitale, që sipas standardeve të BE-së deri në vitin 2030 do të duhet që çdo qytetar i vendit të ketë qasje në internet të shpejtë.
  3. Trajnimi i qytetarëve dhe të punësuarve për përdorimin e shërbimeve elektronike.
  4. Zgjidhja softuerike, gjegjësisht do të ketë koordinim mes Agjencisë dhe institucioneve për përdorimin e softuerëve të ndryshëm.

Formimi i kësaj Agjencie është paralajmëruar që në vitin 2021 kur ministër i MSHIA-së ishte Jeton Shaqiri. Asokohe, ministri, në një intervistë për Portalb.mk theksoi se digjitalizimi do të bëhet nëpërmjet Agjencisë Digjitale, ndërkaq po punojnë në përpilimin e ligjit.

Në shtator të këtij viti, në një intervistë të ministrit aktual të MSHIA-së Azir Aliu për Portalb.mk tha se me themelimin e kësaj agjencie, në vitin 2030 shteti jonë do të ketë pasqyrë digjitale shumë të mirë se sa e ka sot.