Do të ndalohen punësimet nëpërmjet agjencive për punësim të përkohshëm në sektorin publik

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 204-të, me propozim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe e Administratës (MSHIA) miratoi pesë ligje për reforma në administratën publike dhe transformimin digjital të shtetit. Njëri prej tyre është Ligji për Sektorin Publik, i cili e rregullon procedurën e punësimeve në institucionet e sektorit publik, të cilat përfshijnë fushën e arsimit, shëndetësisë, administratës, pushtetit lokal, kulturës, gjyqësorit, punës dhe politikës sociale, transportit dhe një sërë institucionesh tjera, njofton Portalb.mk.

“Zgjidhja ligjore u referohet të punësuarve në sektorin publik dhe me të rregullohet Njësia Organizative për Udhëheqjen me Burimet Njerëzore dhe Rrjeti i Njësive Organizative për Udhëheqjen e Burimeve Njerëzore në institucionet e sektorit publik, të cilat deri më tani ishin të rregulluara me Ligjin e Nëpunësve Administrativë”, deklaroi Azir Aliu gjatë takimit me gazetarët.

Ai shpjegoi se ligji e përcakton parimin e ndalimit të diskriminimit dhe parimin e përdorimit të gjuhëve dhe alfabeteve, e përcakton Kodin Etik për të Punësuarit në Sektorin Publik, mundëson qasje të njëjtë të vendeve të punës në sektorin publik, profesionalizëm dhe kompetenca, përfaqësim të drejtë dhe adekuat, barazi gjinore dhe inkluzivitet, i rregullon emërtimet/titujt dhe nëngrupet në pjesën e klasifikimit të vendeve të punës dhe saktësohet mundësia e sistematizimit dhe atë dy herë në vit, deri në më së shumti 50% të ushtruesve të detyrave për të cilat janë siguruar mjete financiare për pagat dhe kompensimet e pagave në buxhetin e institucionit.

“Ligji ndalon punësimin nëpërmjet agjencive të punësimit të përkohshëm dhe punësimin me afat të caktuar në pozita drejtuese. Në procedurën e punësimit duhet të zgjidhet gjithmonë kandidati i ranguar më mirë”, informoi Aziri.

Ministri shpjegoi gjithashtu se e re do të jetë që shpallja publike përveç faqes së Agjencisë për Administratë, do të publikohet edhe në ueb-faqen e institucionit.

Në vendin tonë, punësimet e përkohshme pothuajse rregullisht përdoren jashtë ligjit në mënyrë që të futen miltantë partiak, duke shmanguar procedurën e rregullt. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në vitin 2020 reagoi se “me punësimet e tilla manipulohen edhe me faktin se punonjësit punësohen për të kryer detyrat e parashikuara nga sistematizimi për një periudhë më të gjatë dhe jo siç parashikon ligji, për shkaka të rritjes së ngarkesës, zëvendësimi i një punonjës që mungon për një kohë të gjatë, ose për ndonjë punë të caktuar – projekte”.

E njëjta gjë konfirmohet edhe në Raportin vjetor për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021 – 2025 për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2021. Në raport thuhet se Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është zotuar që ta heqë mundësinë e punësimit përmes agjencive për punësime të përkohshme dhe mundësinë e shndërrimit të punësimit të përkohshëm në punësim me kohë të plotë pa procedurë të rregullt punësimi. Kjo nuk është realizuar në afatin e paraparë, përkatësisht në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.

Zbatimi i këtij ligji pritet të nis prej vitit 2025.

Ndryshe, RMV, në raportin e skriningut në fushën e reformave në administratën publike RMV ka marrë notë 3. Sipas ministrit Azir Aliu me miratimin e këtyre dy ligjeve dhe ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës, nota do të përmirësohej në 4 ose 5.