RMV, Qeveria në aksion për të legalizuar emërimet partiake përmes ligjit skandaloz për drejtorë dhe udhëheqës profesional

Në debat publik në RMV, ndodhet propozim-Ligji për Shërbim të Lartë udhëheqës, i cili premtohet prej vitit 2018-të nga katër ministra me radhë duke filluar nga Damjan Mançevski, pastaj Jeton Shaqiri dhe Admirim Aliti dhe në fund nga Azir Aliu. Ligji në parim, ka për qëllim ndryshim rrënjësor në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve të lartë, për të shmangur ndikimet politiko-partiake dhe duke i dhënë prioritet meritokracisë. Ligji zvarritet me vite dhe nuk miratohej, për shkak se partitë politike nuk kanë pranuar të mbështesin një ligj i cili do “t’ua lidhte duart” në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve të lartë. MSHIA, ka përgatitur version të ri, i cili është “krasitur” dhe është bërë i pranueshëm, por ky version cilësohet se është skandaloz, pasi që me këtë do të legalizohet ndikimi partiako-politik, shkruan Portalb.mk.

Në legjislativin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ekziston kufizim i qartë mes nivelit politik dhe profesional, gjegjësisht nuk është definuar dhe caktuar fushëveprimi për shërbim të lartë udhëheqës. Kushtet e përgjithshme për emërim dhe shkarkim të personave tani janë të rregulluara me ligje të veçanta materiale për fusha konkrete të sektorit publik. Këto ligje përmbajnë rregullim të pamjaftueshëm (më së shpeshti vetëm dispozita për publikimin në shpallje publike dhe kushte të përgjithshme), dhe jo edhe dispozita për kritere. Procedura për seleksionim dhe zgjedhje të kandidatëve për pozita udhëheqëse. Është evidente se nuk ekzistojnë kritere të qarta për emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve dhe sekretarëve, e as garë të hapur për numrin më të madh të këtyre pozitave me çka shkelet parimi i meritokracisë. Kjo shkruhet në përshkrimin e propozim-Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili ndodhet në ENER prej vitit 2019-të, ndërkaq deri tani ka pasur një version të dytë në vitin 2021, ndërkaq më 19 korrik 2023 është vendosur versioni final, i cili është ndryshuar rrënjësisht nga i pari.

Ministri i Shoqërisë Informatike,Azir Aliu dhe sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski. Foto MSHIA
Ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu dhe sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski. Foto MSHIA

Rezistenca e partive, solli “zbutjen e ligjit”

“Ky është një ndryshim tektonik në mënyrën e përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta drejtuese”, kështu ka deklaruar ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, një ditë pasi që në vitin 2019-të Qeveria e RMV-së e miratoi në seancën e saj të 169, propozim Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës dhe e dërgoi në Kuvend.

Propozim-ligji në Kuvend e ka kaluar leximin e parë, por në vitin 2020, Ministria e Shoqërisë Informatike ka kërkuar që të kthehet, për siç kanë theksuar, harmonizimin me Ligjin për Zyrtarë Administrativ dhe Ligjin për të Punësuar në Sektor Publik.

Një vit më vonë, në vitin 2021, Ministria e dërgoi në ENER për diskutim një version tjetër të propozim-ligjit, i cili nuk kishte ndryshime të theksuara nga i pari.

Për shkak se disa vite premtohej dhe zvarritej me procedura, sektori civil në maj të vitit 2022 shprehu skepticizëm për miratimin e Ligjit.

tetor 2022 ministri i Shoqërisë informatike Admirim Aliti, në një ngjarje publike i pyetur për atë pse nuk miratohet ligji në fjalë ai u shpreh: Pozicionet e larta udhëheqëse në konstelacionin aktual janë gjahu kryesor, të cilin e fitojnë partitë gjatë marrjes së pushtetit. Për atë, pranimi i ligjit dhe harmonizimi me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë.

Pasi që versioni i ligjit për të cilin Aliti, tha se nuk është i pranueshëm për partitë dukej se i njëjti nuk do të miratohej, pavarësisht se një ligji tillë ishte në pakon e ligjeve për reformim të administratës, ashtu siç kërkonte BE.

Kështu, Ministria e Shoqërisë Informatike ka përgatitur version të ri të ligjit, i cili përpara opinionit “do të shitej” si propozim i harmonizuar me Ligjin për Zyrtarë Administrativ dhe Ligjin për të Punësuar në Sektor Publik, ndërkaq në parim, ky version do të harmonizohej me apetitet partiake të cilat, pas zgjedhjeve marrin “gjahun” e fituar.

Dallimi mes dy versioneve është se ai i vitit 2019-të është më i rreptë dhe parashikon dispozita me të cilat seriozisht do t’i largonte duart e partive nga emërimet e udhëheqësve të lartë, ndërkaq në versionin e fundit, të vitit 2023, dispozitat e ashpra, janë zbutur dhe lënë hapësirë që të vazhdojë partizimi.

Ky version nuk dihet se në kohën e cilit ministër është përgatitur, në atë të Admirim Alitit, i cili ka qenë ministër në periudhën prej 16 janarit të vitit 2022 deri më 27 shkurt të vitit 2023, apo në kohën e Azir Aliut i cili këtë pozitë e ka trashëguar nga Aliti dhe ende vazhdon ta ushtrojë.

Kështu, më 19 korrik të këtij viti, versioni i ndryshuar është vendosur në ENER për diskutim prej 20 ditësh, ndërkaq një ditë më vonë MSHIA organizoi debat publik për versionin e ri.

Anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami, në debat drejtoi kritika serioze për versionin, dhe shtoi se, MSHIA për këtë ligj fare nuk është konsultuar me Komisionin për Parandalim të Korrupsionit.

“Kjo do të jetë vetëm mënyrë e re e zgjedhjeve dhe emërimeve, ndikimi është i pranishëm si ndikim potencial. Është jofalënderuese dhe jokorrekte që të mos na kontaktoni kur aq kohë kemi kontribuuar, por duket se jeni ngushtë dhe dëshironi diçka të bëni, pranoj që të bëhet edhe kështu, por keni problem të madh me këtë versioni, sado mund të lavdëroheni politikisht, por nga përvoja jonë profesionale keni problem të madh”, theksoi Bajrami, duke treguar se ftesën për debat bashkë me versionin e ndryshuar e ka marrë vetëm një ditë para debatit.

Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

Kritika serioze pati edhe për një sërë nenesh, të cilat u shkojnë për shtati partive për t’i futur duart në procedurat e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve, nëpërmjet këtij ligji, i cili ka peshë të rëndësishme në procesin eurointegrues të RMV-së.

Në publikimin me titull “Merit sistem në administratën publike: Ligji i propozuar për Shërbim të Lartë Udhëheqës do të sjellë deri te rezultatet e dëshiruara”, nga projekti “Dialog me organizatat civile – Platforma për Pjesëmarrje në Integrimet BE”, i cili është shkruar në vitin 2022, duke iu referuar versionit fillestar të ligjit (2019), shkruan se BE gjithnjë e më shumë i kushton vëmendje sistemit të meritokracisë dhe zbatimi i meritokracisë është kusht për anëtarësim.

“Edhe pse zbatimi i këtij sistemi nuk është theksuar në mënyrë eksplicite në kapitujt që e përbëjnë kornizën negociuese për anëtarësim, stabiliteti i institucioneve (duke i numëruar edhe organet administrative), efikasiteti i tyre dhe cilësia janë pjesë e të ashtuquajturave kritere të Kopenhagës për anëtarësim. Kuptohet, në stabilitetin, efikasitetin dhe cilësinë e institucioneve do të ndikojë, ndoshta edhe më së shumti, kriteri sipas të cilit do të rekrutohen kuadrot (nga niveli më i ulët deri te më i larti). Prej këtu, pavarësisht faktit se nuk ka koncept të uniformuar se si duhet të organizohet administrata, në kuadër të BE-së zhvillohet koncepti “menaxhimi i mirë”, i cili del edhe nga Karta për të Drejtat e Njeriut të Bashkimit Evropian”, thuhet në publikim.

Portalb.mk, ka analizuar dy versionet e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, atë të vitit 2019-të (i cili parashikonte ndryshime më serioze dhe kufizonte ndikimin partiak) dhe atë të vitit 2023 (i cili parashikon masa të zbutura dhe lejon ndikimin partiak). Ajo çfarë pamë është se versioni i fundit është larg premtimit për departizim apo siç deklaronte Mançevski, “ndryshimit tektonik në mënyrën e përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta drejtuese”.

Fushëveprimi i ligjit është ngushtuar

Në versionin e ligjit (2019), ligji do të duhet të vlente për ministritë, organet e administratës shtetërore, por edhe për komunat bashkë me Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjet publike të themeluar nga Qeveria e RMV-së dhe ndërmarrjet publike të themeluara nga komunat dhe Qyteti i Shkupit.

versionin e tanishëm të ligjit (2023) janë hequr komunat dhe Qyteti i Shkupit, por edhe ndërmarrjet e themeluara nga Qeveria dhe komunat, bashkë me Qytetin e Shkupit. Sipas këtij versioni, ligji vlen për pozitat: Sekretar i përgjithshëm (në ministri), drejtor (në drejtori të ministrive, në organet në përbërje të ministrive dhe në organet e pavarura të administratës shtetërore), drejtor gjeneral (në agjenci) dhe inspektor gjeneral (në inspektorat).

Qeveria e fshin “pavarësinë” e Komisionit që duhet t’i zgjedh drejtuesit e lartë udhëheqës

Ligji parashikon të formohet Komision, i cili do të ketë kompetenca që të udhëheqë procedurat për zgjedhjen e udhëheqësve të lartë dhe të menaxhojë me shërbimin e lartë udhëheqës.

Në versionin ligjit të vitit të vitit 2019-të, ky Komision do të duhej të jetë “organ i pavarur në administratës shtetërore për udhëheqjen e procedurës për zgjedhjen e udhëheqësve të lartë dhe për menaxhimin e plotë me shërbimin e lartë udhëheqës”.

Kjo ka ndryshuar në versionin e vitit 2023, në vend të pavarur, është vendosur që themelohet nga Qeveria.

“Komisioni për shërbim të lartë udhëheqës” është trup i përhershëm në Qeveri, kompetente për udhëheqjen e procedurës për zgjedhjen e udhëheqësve të lartë dhe për menaxhimin e plotë të shërbimit të lartë udhëheqës”, thuhet propozim-ligjin e vitit 2023.

Janë shkurtuar edhe kushtet për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit, gjegjësisht në versionin e vitit 2019-të, ndër kërkesat për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit, përmenden edhe kushtet që: të jetë ekspert në fushën e tij, që dëshmohet me kryerjen e punëve përgjegjëse ose përfaqësimin në shoqatat e brendshme ose ndërkombëtare, ose publikim të punimeve shkencore dhe/ose fitimit të çmimeve ndërkombëtare; Të mund t’u rezistojë ndikimeve politike dhe koorporative; Të ketë shkathtësi për udhëheqje dhe mundësi për punë nën trysni

“Bordi Selektim” është trup i përkohshëm i formuar nga Qeveria, kompetente për zbatimin e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit për shërbim të lartë udhëheqës”.

“Komisioni për Selektim” është trup i formuar nga Komisioni për Shërbim të Lartë Udhëheqës, përgjegjëse për zbatimin e procedurës individuale për zgjedhjen e udhëheqësit të lartë.

Është fshirë paragrafi 4 në versionin paraprak ku thuhet se “Organet tjera të administratës shtetërore”, janë organe të pavarura të administratës shtetërore dhe në përbërje të ministrive, me dhe pa cilësinë e personit juridik, të caktuara me ligjin për organizim dhe punë të organeve të administratës shtetërore me ligj të veçantë.

Të gjitha këto kritere janë fshirë dhe nuk parashihen në versionin e ri të ligjit.

Komisionit për Shërbim të Lartë Udhëheqës i shkurtohen kompetencat

Në versionin e ligjit të vitit 2019-të Komisioni për Shërbim të Lartë Udhëheqës kishte 11 kompetenca, ndërkaq në versionin e ri kompetencat janë tkurrur në 5.

Me versionin e ri, kompetencat Komisionit do të jenë:

  • Zbaton procedurë për selektimi të udhëheqësve të lartë;
  • Formon të bazave të personave profesional dhe bordeve për seleksionim të udhëheqësve të lartë;
  • Miraton rregullore për punën e saj dhe akte tjera për punën e Komisionit për Shërbim të Lartë; udhëheqës;
  • Dërgon propozim te Qeveria, miraton Kod Etik për Shërbim të Lartë Udhëheqës;
  • Kryen punë tjera të caktuara me ligj.

Por, janë fshirë kompetencat që parashiheshin në vitin 2019-të, e ato janë:

Ndërmerr aktivitete për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes funksionarëve dhe udhëheqësve të lartë për ndalim të përkohshëm të mandatit të udhëheqësve të lartë, shkarkimin e tyre dhe vlerësimin e punës së tyre;

  • Ndërmerr masa dhe miraton vendime për zbatimin e plotë të ligjit në rast të mosveprimit ose mosndërmarrjes së veprimeve dhe vendimeve nga ana e funksionarëve;
  • Mban evidencë të listës së ushtruesve të detyrës të mundshëm në pozitat e udhëheqësve të lartë;
  • Zbaton procedura disiplinore dhe shqipton masa disiplinore ndaj udhëheqësve të lartë;
  • E ndjek zbatimin e këtij ligji në koordinim me Ministrinë e Shoqërisë Informatike;
  • I analizon ligjet e veçanta dhe themeluesve u propozon zbatim të dispozitave të këtij ligji, për pozitat për të cilat nuk është e caktuar procedurë për seleksionim dhe shkarkim të bazura në merita.

Siç mund të shihet, me versionin e ri, Komisionit i hiqen nga duart masat për ndëshkim të funksionarëve.

Në pjesën e ligjit ku flitet për ndalimin dhe shkarkimin nga pozita e anëtarit të Komisionit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, në versionin e vitit 2023, është fshirë pjesa ku thuhet se anëtarët mund të shkarkohen nëse i shkel rregullat për konflikt interesi, nëse mungon pa arsye për një muaj ose në tre seanca apo nëse kundër tij udhëhiqet procedurë penale ose ndërmerren masa për caktimin e përgjegjësisë me të cilat cenohet reputacioni i tij dhe i funksionit.

Në versionin e ri, janë lënë vetëm parimet bazë, për të cilat mund të shkarkohet, gjegjësisht: Nëse vetë jep dorëheqje, është i dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor, emërohet në ndonjë pozitë udhëheqëse në institucione të sektorit publik, emërohet funksionar në ndonjë organ të partisë, zgjedhet deputet ose kryetar komune, apo nëse konstatohet se ka dhënë informata të gabuara për zgjedhjen e tij.

Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës. Foto e edituar nga Suad Bajrami/Portalb.mk
Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës. Foto e edituar nga Suad Bajrami/Portalb.mk

Bordi që zgjedh anëtarët e Komisionit, do të udhëhiqet nga Sekretariati i Qeverisë

versionin e vitit 2019-të, Bordi që duhet t’i zgjedh anëtarët e Komisionit do të duhej të përbëhej prej 7 anëtarë, gjegjësisht tre nga Qeveria, 1 nga BNJVL, një anëtar nga Konferenca Interuniverstare, një nga radhët e të punësuarve në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe një nga të punësuarit në Ministrinë e Sistemeve Politike. Bordi mund të formohet edhe me vetëm pesë anëtarë, nëse të gjithë propozuesit nuk propozojnë anëtarë të tyre, ndërkaq Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë i ofron Bordit mbështetje administrative.

Në versionin aktual, Bordi, gjithashtu do të përbëhet prej 7 anëtarëve, por me të do të udhëheqë përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, një anëtar do të jetë nga Ministria e Shoqërisë Informatike, një prej Ministrisë së Sistemeve Politike, një anëtar prej Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, një anëtar nga Odat Ekonomike të RMV-së, një anëtar nga Këshilli për Bashkëpunim dhe Zhvillim me Sektorin Civil dhe një anëtar nga Konferenca Interuniversitare. Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë i ofron Bordit mbështetje administrative.

“Shkurtime” në procedurën e fazës së përzgjedhjes së kandidatëve për shërbim të lartë udhëheqës

Edhe në versionin e vitit 2019-të, edhe në versionin e vitit 2023, ligji parashikon tre faza për zgjedhjen e udhëheqësit të lartë edhe atë:

  1. Seleksionim administrativ
  2. Testim
  3. Intervistë të strukturuar

Në fazën e parë, nuk ka ndonjë ndryshim mes versionit të ligjit të vitit 2019 dhe 2023.

Në fazën e dytë, në versionin e vitit 2019-të, parashikohej që të ketë Metodologji për testimin e kandidatëve për udhëheqës të lartë. Kjo, në versionin e ligjit të vitit 2023 është fshirë.

Në fazën e tretë, në pjesën e invtervistimit të strukturuar të kandidatëve që e kanë kaluar testimin, në versionin e ri të ligjit për shërbim të lartë udhëheqës, janë fshirë pjesët ku në versionin e vitit 2019-të, detyronin që”: Intervista të bëhet me shkrim dhe/ose gojarisht, të kontrollohen kompetencat e përgjithshme dhe të veçanta të kandidatit nëpërmjet pyetjeve, eseve, studimeve të rasteve dhe formave tjera të verifikimit, apo të verifikohet njohja e një prej tre gjuhëve më të përdorura në BE.

versionin e ligjit 2023, vetëm përmendet se do të ketë intervistë, por pa treguar detaje për të njëjtën.

Pas mbarimit të intervistës, funksionari, miraton vendim për zgjedhjen e kandidatit. Në versionin e fundit, është fshirë pjesa ku parashihej që vetë funksionari të bëjë intervistë me kandidatët më të mirë.

Të pakënaqurit, sipas versionit të vitit 2019, mund të ankohen në Komisionin Shtetëror për Miratim në Procedura Administrative dhe Procedurë të Marrëdhënieve të Punës në Shkallë të Dytë.

Kjo është ndryshuar në versionin e vitit 2023, mund të ankohen para Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit. Për këtë, kishte vërejtje anëtari i Antikorrupsionit Nuri Bajrami, i cili tha se Antikorrupsioni nuk mund të jetë si shkallë e dytë.

Kod Etik më tolerant

Versioni i fundit i Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, ka tolerancë më të madh për sjelljen etike të udhëheqësve të lartë, gjegjësisht, janë fshirë disa dispozita nga versioni i vitit 2019-të, të cilët “shtrëngojnë” sjelljen e të njëjtëve.

Për shembull, në versionin e fundit të ligjit, nuk parashihet që të dorëzojnë deklaratë për gjendjen pronësore dhe interesat në pajtueshmëri me Ligjin për Parandalim të Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.

Gjithashtu, nuk parashihet, që funksionarët e lartë të detyrohen që të kenë kujdes ndaj konfliktit eventual të interesave dhe të ndërmarrin masa të shmangin. Është fshirë edhe pjesa ku thuhet se në rast, të dyshimeve për konflikt të interesit, udhëheqësit e lartë janë të obliguar që në formë të shkruar të kërkojnë mendim nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit.

Është fshirë edhe dispozita e cila thotë se udhëheqësit e lartë të cilët kanë kompetenca për punësim ose avancim të të punësuarve duhet të sigurojnë që të zbatohen dispozitat ligjore për kontroll të integritetit të kandidatëve dhe të pengojnë konfliktin eventual të interesave të kandidatëve, ndërkaq nëse rezultatet nga kontrollet e tilla nuk garantojnë integritet të plotë dhe shmangie të konfliktit të interesave, janë të obliguar të marrin mendon nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit.