Aliu për vitin 2024 paralajmëroi Inteligjencë Artificiale në administratë, shërbime elektronike dhe optimizim të administratës

Shërbime të reja elektronike dhe digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe optimizim të administratës, paralajmëroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu gjatë takimit të sotëm të fundvitit me gazetarët, njofton Portalb.mk.

“Qëllimi kryesor i MSHIA-së janë që të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve publike, e dini se po punohet në portalin nacional euslugi.mk, që të jetë inkluziv. Për fat të keq, sipas analizave tona një prej arsyeve kryesore pse shumë pak përdoren shërbimet digjitale nga qytetarët ësht është për shkak të ndërveprimit të portalit i cili është shumë i rëndë dhe ja të them nuk është i lehtë për përdorim. Për atë punojmë intensivisht që të kemi ndërveprim të ri, i cili shumë lehtë do të munden qytetarët të vijnë deri te shërbimet që i kemi. Do të vazhdojmë me rritjen e shërbimeve digjitale. Thash se i digjitalizojmë 135 shërbime të reja, mund të ju informoj se 40 prej tyre tanimë janë mbaruar, ndërkaq të tjerat testohen që t’i shohim rezultatet. Nëse rezultatet tregojnë se janë mjaftueshëm mirë dhe në pajtueshmëri me performancat, të njëjtat do të jenë në produksion”, tha Aliu duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk.

Ai shtoi se administratën publike e presin reformat në kuadër të pesë ligjeve të cilat duhet të miratohen në Kuvend.

“Aktiviteti i radhës është i lidhur me administratën publike, me këto 5 ligje lidhur me administratën publike be hapim rrugë për optimizimin e administratës publike”, tha Aliu.

Ai shtoi se gjatë vitit 2024 pritet që të miratohet edhe plan aksional për Inteligjencën Artificiale në administratën publike.

“Përveç digjitalizimit, e dini që Inteligjenca Artificiale (IA) është pjesë e ekosistemit. Ne do të dalim me plan aksional për IA-në në administratën publike dhe ajo do të ndihmojë shumë në proceset në administratë, por edhe për qytetarët që të munden më lehtë të arrijnë deri te çështjet dhe informatat e rëndësishme për ato”, shtoi Aliu.

Për vitin 2023 ai përmendi disa prej ngjarjeve të rëndësishme që ka shënuar kjo Ministri.

“Një nga iniciativat tona më domethënëse në këtë vit është lançimin i “DigjitalEra” slogani i ri i MSHIA-së, i cili ka revolucionarizuar mënyrën se si qytetarët aksesojnë shërbimet publike. Duke ofruar shërbime më të shpejta online dhe duke rritur transparencën institucionale, ne kemi reduktuar kohën që u duhet qytetarëve për të marrë shërbime thelbësore. Një tjetër datë e rëndësishme është 30 qershori, ku Maqedonia e Veriut iu bashkua Programit të Evropës Digjitale  (2021-2027) bashkë me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi  u bëmë pjesë e Evropës Digjitale, një program prej gati 7,5 miliard euro”, tha Aliu.

Aliu përmendi edhe miratimin e 5 ligjeve në Qeveri që kanë të bëjnë me reformat në administratën publike, gjegjësisht, Ligjit për Nëpunësit Administrativ, Ligjit për të Punësuarit në Sektorin publik, Ligji për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve Informative dhe Transformim Digjital, Ligjin për ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Menaxhim Elektronik dhe Shërbimeve Elektronike dhe Ligjit për Përkryerje Profesionale dhe Trajnim të Nëpunësve Administrativ. Të gjitha këto ligje, gjatë vitit 2024 duhet të miratohen në Kuvend.

Ai tha se, gjatë këtij viti janë përpjekur për të vendosur në funksion kuadrin profesional që përdoren gjuhën e shenjave dhe janë të licencuar për interpretim të shenjave në të gjithë sferat e shoqërisë.

Ministri Aliu e përmendi edhe sigurimin e pozicionit Orbital të RMV-së, për çka në agjendën e Konferencës Botërore të Radio Komunikacionit të ITU-së (ËRC- 23) është nënshkruar Akti Përfundimtar për marrjen e pozitës së Maqedonisë së Veriut në orbitë.

Ndryshe, Portalb.mk, gjatë këtij viti ka ndjekur nga afër procesin e reformave në administratën publike. Disa prej teksteve mund t’i ndiqni në lidhëzat vijuese.