Pendarovski: Pasiguria intensifikon emigrimin masiv të të rinjve nga vendi dhe rajoni, ta parandalojmë me integrimin në BE

Presidenti Stevo Pendarovski sot foli në Konferencën e 9-të Ndërkombëtare Hulumtuese me temë “Riaktualizimi i inflacionit dhe realitetet e reja gjeopolitike – ridizajnimi i politikës makroekonomike” organizuar nga Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Komitetin për Transformimin e Bretton Woods, të mbajtur në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski theksoi se si një ekonomi e vogël, e hapur dhe e varur nga importi, vendi në mënyrë disproporcionale i ndjen efektet e goditjeve globale dhe për këtë arsye është e rëndësishme të gjendet një model për zbutjen e goditjeve të tregut në një mjedis të rrethanave ekonomike që ndryshojnë vazhdimisht.

Për të parandaluar daljen e fuqisë së kualifikuar, sipas presidentit Pendarovski, është e nevojshme të përpiqemi që sistemet tona ekonomike t’i bëjmë të përshtatshme për zhvillimin e lirisë ekonomike dhe barazisë së mundësive, dhe theksoi se reformat janë të nevojshme në segmentet jetik, kyçe për zhvillimin ekonomik, si investimet, produktiviteti i punës, dimensionimi i arsimit sipas kërkesave të tregut të punës dhe krijimi i vendeve cilësore të punës.

“Efektet e krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë u konvergjuan në një polikrizë që rriti çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore, ngadalësoi rritjen ekonomike, përshpejtoi inflacionin, rriti koston e jetesës dhe ngushtoi hapësirën për të mbështetur ekonominë. Si një ekonomi e vogël, e hapur dhe e varur nga importi, ne po i ndjejmë në mënyrë disproporcionale efektet e këtyre goditjeve globale. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ne që të gjejmë një model për zbutjen e goditjeve të tregut në një mjedis të rrethanave ekonomike që ndryshojnë vazhdimisht”, tha Pendarovski.

Në kushtet e një mjedisi të jashtëm të paqëndrueshëm dhe presioneve gjithnjë e më të larta të çmimeve, shtoi presidenti, veçanërisht për shkak të luftës në Ukrainë, Banka jonë Kombëtare, duke ndjekur shembullin e Bankës Qendrore Evropiane, filloi të rregullojë politikën e saj monetare. Në të njëjtën kohë, tha Pendarovski, është fakt se politika e shëndoshë monetare ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe në frenimin pjesërisht të inflacionit në rritje. Por kjo nuk do të thotë se të gjitha sfidat janë tejkaluar. Rreziqet gjeopolitike dhe gjeoekonomike intensifikojnë padiskutim efektet negative afatgjata në demografi.

“Pasiguria intensifikon emigrimin masiv të të rinjve jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Dhe me këtë, ne humbim kapitalin e paçmuar njerëzor dhe shoqëror nga i cili varet rritja dhe zhvillimi afatgjatë ekonomik i vendeve tona dhe i të gjithë rajonit. Për të parandaluar daljen e fuqisë punëtore të kualifikuar, është e nevojshme të kthehemi te dilema e Isaiah Berlin dhe të përpiqemi t’i bëjmë sistemet tona ekonomike të përshtatshme si për zhvillimin e lirisë ekonomike ashtu edhe për barazinë e mundësive. Reformat janë të nevojshme në segmente jetike të zhvillimit ekonomik, si investimet, produktiviteti i punës, dimensionimi i arsimit sipas kërkesave të tregut të punës dhe krijimi i vendeve cilësore të punës”, nënvizoi Pendarovski.

Ai tha se beson që këtë mund ta arrijmë më së miri përmes reformave të forcuara dhe integrimit të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Integrimi më i madh tregtar dhe financiar i rajonit në tregun evropian, në dekadat e fundit, ishte një nga themelet vitale të rritjes ekonomike.

“Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ekonomia maqedonase ka nivelin më të lartë të integrimit tregtar me Bashkimin Evropian. Por, për t’i ndjerë qytetarët e Maqedonisë përfitimet e Unionit, përveç tregtisë, është i nevojshëm edhe integrimi politik – që nënkupton pranimin e standardeve dhe kritereve evropiane. Prandaj, më shumë se kurrë më parë, ne dhe vendet e rajonit duhet të forcojmë më tej, jo t’i zvogëlojmë lidhjet me ekonomitë e zhvilluara”, tha Pendarovski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka filluar të ketë kriza masive të kuadrove të kualifikuar në fusha të caktuara, të cilët çdo ditë e më shumë largohen në vendet evropiane për kushte më të mira pune dhe paga më dinjitoze. Një nga fushat që së fundi po fillon të bëhet alarmante është mjekësia, e cila përballet me mungesë të madhe të infermierëve dhe mjekëve të specializuar. Shumë shpejt, sistemi shëndetësor mund të pësojë kolaps, të cilin do ta vuajnë qytetarët e vendit, ndërsa më të prekur do të jenë qytetarët që jetojnë në zonat rurale, ku edhe aktualisht ka mungesë të mjekëve amë.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.