Bujar Osmani: Ndryshimet kushtetuese, një mundësi historike për integrimin e Maqedonisë së Veriut

Ndryshimet e Kodit Penal nuk kanë të bëjnë me asnjë formë të amnistisë, por është një proces i europianizimit të sistemit penal në Republikën e Maqedonisë së Veriut, vlerëson ministri i Jashtëm Bujar Osmani. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se, është pak një paradoks se ata të cilët kritikojnë këto ndryshime të Kodit Penal janë po ata të cilët kritikojnë efektivitetin e shtetit ligjor.

“Efektiviteti ishte rezultat i asaj mënyre të rregullimit të sistemit penal në Maqedoninë e Veriut që ishte një trashëgimi nga sistemi jugosllav: i ashpër, drakonik, jofleksibil. Me që nuk i dha rezultatet e veta, duke mundësuar që lëndët (gjyqësore) të stërzgjaten; mos të merren vendime për shkak të atij rigjiditeti të sistemit, Ministria e Drejtësisë… ju keni dëgjuar ekspertët e fushës se tani është marrë eksperienca më e mirë evropane, kryesisht ajo gjermane dhe sllovene për të pasur një model të sistemit penal që është më fleksibël, i përqendruar tek konfiskimi i pronave, të cilat janë arritur në mënyrë të paligjshme dhe duke u mundësuar gjykatave që të marrin vendime sa më të shpejta dhe që të jenë më efektive. Prandaj, kujtoj që në asnjë mënyrë kjo nuk duhet të ndërlidhet. Ndoshta për shkak se ndodhën ato ndryshime në kohën kur po bisedohet për ndryshimet kushtetuese po krijohen paralele të tilla, por në fakt nuk ka paralele të tilla, për shkak se e keni parë që këto ndryshime të Kodit Pernal në asnjë mënyrë nuk do te ndikojnë në lirimin e kujtdo që përflite”, tha Osmani.

Duke folur për procesin e ndryshimeve kushtetuse, Osmani tha se, Maqedonia e Veriut gjendet para një udhëkryqi të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Prej vendimit që do të marrim ne ose jo për ndryshimet kushtetuese do të varet fati i perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“A do të futemi në grupin e vendeve të cilat kanë çështje të hapura të dyanshme, që duhet në vitet e ardhshme t’i mbyllin ato dhe pastaj të rinisin integrimin evropian, apo menjëherë do të futen në trajektoren e përshpejtuar për integrim në BE, që është si rezultat i kontekstit të ri gjeopolitik. Në dhjetor priten vendime të mëdha për Ukrainën, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Është ky moment historik në të cilin duhet ta kuptojmë rëndësinë e tij, të kuptojmë se BE-ja hap “dyert e hekurta” në periudha të caktuara dhe vetëm ata të cilët janë të gatshëm, mund të lëvizin përpara. Prandaj mendoj se është e rëndësishme të marrim përgjegjësinë që e kemi para njerëzve që të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të mundim të kapim këtë moment të rëndësishëm gjeopolitik dhe historik sa i takon rrugës për të shpejtuar për në BE. Ne morëm vendimin për dorëheqje të kushtëzuara për t’ua bërë me dije të gjithë aktorëve politikë se tani nuk është koha për pazare politike, as për interesa partiake, por tani është koha të ngrihemi mbi interesat tona të politikës ditore, të bëjmë një marrëveshje strategjike mes nesh që të garantojmë të ardhmen evropiane sepse vetëm ajo do të sigurojë mirëqenie dhe që njerëzit të mbesin këtu dhe të planifikojnë jetën e tyre në Maqedoninë e Veriut”, tha Osmani.