Trendi i largimit të kuadrit mjekësor nga RMV, çfarë bën Ministria e Shëndetësisë për t’i bindur për të qëndruar?

Maqedonia e Veriut ka filluar të ketë kriza masive të kuadrove të kualifikuar në fusha të caktuara, të cilët çdo ditë e më shumë largohen në vendet evropiane për kushte më të mira pune dhe paga më dinjitoze. Një nga fushat që së fundi po fillon të bëhet alarmante është mjekësia, e cila përballet me mungesë të madhe të infermierëve dhe mjekëve të specializuar. Shumë shpejt, sistemi shëndetësor mund të pësojë kolaps, të cilin do ta vuajnë qytetarët e vendit, ndërsa më të prekur do të jenë qytetarët që jetojnë në zonat rurale, ku edhe aktualisht ka mungesë të mjekëve amë. Ministria e Shëndetësisë ka filluar të marrë masa, megjithatë, të tilla masa kërkojnë periudhë afatgjatë që të kenë rezultate. Portalb.mk, i drejtoi pyetje Ministrisë së Shëndetësisë nëse po ndërmerr diçka për të parandaluar këtë problematikë.

Nga Ministria thanë se po punojnë për forcimin afatgjatë të veprimtarive të specialistëve duke dhënë specializime me Programin për specializime që Ministria e Shëndetësisë e përgatit në nivel vjetor.

“Me Programin e specializimeve 2023 në zhvillim e sipër, parashikohet përforcimi me specialistë të disa fushave, si anesteziologë, pediatër, infektivë, kardiologë dhe specialitete të tjera”, thonë nga MSh.

Një hap përpara në avancimin e fushave të specializuara u bë ndërmjet Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Spitalit Klinik të Tetovës – në dhjetor të vitit që lam pas Ministria e Shëndetësisë dha autorizim të ri për mentorim dhe edukim në fushën e urologjisë kirurgjikale. Me këtë në një periudhë relativisht të shkurtër u siguruan autorizime për gjithsej 8 fusha si: gjinekologji, pediatri, psikiatri, kardiologji, kirurgji të përgjithshme, interne, mjekësi familjare dhe urologji. Në atë drejtim u përgatit ndryshimi i Programit për specializime dhe subspecializime, që do të thotë se shpallja pasuese për specializime do të përfshijë të gjitha këto fusha të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Sa i përket trendit të largimit të mjekëve, ata thonë se me qëllim të stimulimit dhe motivimit shtesë të të gjithë punëtorëve shëndetësorë, Ministria e Shëndetësisë punon për rritje të pagave, pa përmendur këtu kushte më të mira pune dhe hapësira të modernizuara. Mjekët pajtohen se janë bërë disa hapa pozitivë në përmirësimin e kushteve për punë dhe shërbimeve mjekësore, por shtojnë se sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ende lë shumë për të dëshiruar.

“Dje së bashku me Sindikata e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale është nënshkruar aneksi për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes Kolektive për sektorin e shëndetësisë, me të cilin rriten pagat për të punësuarit në institucionet publike shëndetësore. Rritja prej 3.000 denarë, 2.500 denarë ose 2.000 denarë vlen për të gjithë të punësuarit në institucionet publike shëndetësore. Ky është vetëm një nga premtimet që kemi realizuar në drejtim të stimulimit dhe motivimit të punëtorëve shëndetësorë, e me këtë edhe përmirësimit të sistemit shëndetësor”, deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Maqedonia ka nevojë për dyfishin e infermierëve se sa janë për momentin. Duke komentuar deklaratën e kreut të shoqatës së mjekëve se për 10 vitet e fundit kanë ikur 2000 mjekë, ish-ministri i Shëndetësisë Bekim Sali në shkurt të këtij viti tha se pavarësisht se ikja e mjekëve është shqetësuese, kohës së fundit vërehet një rënie e këtij trendi.

“Me numër të mjekëve nuk ngecim shumë mbrapa, jemi afër. Më tepër ngecim me motrat, motrat medicinale realisht duhet të jenë në numër dyfish më të madh nga ajo që ne për momentin disponojmë. Si ministri e Shëndetësisë jemi në kontakt të vazhdueshëm me Fakultetin e mjekësisë në Shkup, Tetovë dhe Shtip. Për të krijuar kuadro të reja ne kemi punuar më tepër, intensivisht me të tre Fakultetet për të rritur kapacitetin dhe për të ju mundësuar specializime, siç e dini kemi mundësuar 8 speciailizime në UT që të mund të krijojmë kapacitete të reja dhe mjek të rinj specialist në 8 lëmi të ndryshme”, deklaroi atëkohë Bekim Sali, ish-ministër i Shëndetësisë.

Ndërsa të dhënat zyrtare të Odës së Mjekëve të cilat janë relevante, flasin se numri i licencave aktive të mjekëve në vend për momentin është 9,643.

“Oda e Mjekëve nuk ka të dhëna relevante rreth ikjes së mjekëve. Por edhe pa pasur të dhëna precize mbi ikjen e mjekëve, edhe tek ne e qartë është trendi I shpërnguljes së mjekëve jashtë vendit. Potencojmë se mbajtja e mjekëve të rinj Brenda shtetit tonë është prioritet nëse duam ta mbajmë të gjallë sistemin tonë shëndetësor. Që mjekët tanë të rinj të qëndrojnë brenda Maqedonisë është e rëndësishme të ju sigurohet vlerësim real i punës, mundësi për edukim si dhe lehtësime në hapjen e ordinancave private, subvencionim dhe punësime”, thanë në shkurt nga Oda e Mjekëve.

Vetëm nga Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë dhjetë viteve e fundit kanë ikur 2000 mjekë, nga 7,400 anëtarë sa ka pasur kjo shoqatë, kanë ngelur vetëm 5,400.

Kjo problematikë u theksuan edhe në raportin e fundit të KE-së, ku ndër të tjera, thuhet se sektori shëndetësor në Maqedoninë e Veriut ende po përballet me humbje të personelit mjekësor, pasi infermierët dhe specialistët kalojnë në sektorin privat ose shkojnë për të punuar jashtë vendit.

“Kjo kontribuon në aksesin tek specialistët, kostot e kujdesit shëndetësor nga xhepi mbeten të larta dhe ka ende mungesë të trajnimit profesional për të përdorur disa pajisje të avancuara të kujdesit shëndetësor”, thuhet në raport.