Përgjegjësitë e palëve në dialog, Lajçak: Kosova ta pranojë draftstatutin evropian

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se të dyja shtetet kanë listë të gjatë të obligimeve të papërmbushura nga marrëveshjet e kaluara. Derisa ka theksuar përgjegjësitë që palët i kanë për t’i përmbushur, ka thënë se për Kosovën është ta pranojë draftstatutin evropian, transmeton Koha.net.

“Fokusi tani duhet të jetë në përparimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte e vonesa. Përgjegjësitë e palëve janë të qarta: i takon Kosovës të nis procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta pranojë draftstatutin evropian, dhe është në dorën e Serbisë të përmbushë obligimet e saj të shumta paralelisht, duke filluar nga njohja e simboleve të Kosovës, dokumentet dhe institucionet”, ka thënë Lajçak në një intervistë për median serbe Nova.

Së fundmi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pati thënë se draftstatuti për Asociacionin i propozuar nga BE-ja nuk është obligativ për Kosovën. Pati shtuar se BE-ja nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draftstatut. Kryeministri Albin Kurti është pajtuar në parim me përmbajtjen e draftit të ofruar nga Brukseli.

Lajçak beson se edhe Kurti e edhe Vuçiqi mund të marrin vendime mbi normalizimin e marrëdhënieve pasi siç ka dhënë ai, “të dy kanë mandate të fuqishme për të marrë vendime të vështira politike të cilat procesi i dialogut i kërkon pashmangshëm”.

Sipas tij, “kompromise dhe fleksibilitet nevojiten për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe vizion strategjik”.