Kushtëzon fronti opozitar shqiptar: Pa heqjen e 20% nuk ka ndryshime kushtetuese

Një ditë para fillimit të seancës plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për hapjen e rrugës eurointegruese të vendit, blloku opozitar shqiptar në Kuvend – Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, përmes një konference për shtyp kushtëzuan se nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për shqiptarët në kushtetutë, nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese, shkruan Portalb.mk.

Duke lexuar deklaratën e përbashkët, kryetari i Alternativës – Afrim Gashi tha se integrimi evropian është vizioni më i lartë politik, partiak e kombëtar, prej të cilit nuk ka luhatje. Por, ata përcollën disa mesazhe.

“Kërkojmë nga kryetari i Kuvendit që urgjentisht ta hedhë në votim nevojën për ndryshimin e kushtetutës, që ta kalojmë fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese dhe të futemi në procesin përmbajtjesor të këtyre ndryshimeve.  I bëjmë thirrje atij që të mos fshihet pas arsyetimeve të pabaza, por t’i vë procedurë edhe amendamentet për heqjen e emërtimit ofendues “20%” për gjuhën shqipe, si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik”, tha Gashi.

Ata shtuan se ftojnë deputetët ta votojnë nevojën për ndryshimin e kushtetutës dhe amendamentet e propozuara.

“Në këtë mënyrë, ne të gjithë dëshmojmë se në cilën anë jemi dhe cili është përcaktimi ynë strategjik. E derisa flasim për këtë votim, nëse në plan afatshkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për votimin e fazës së parë të ndryshimeve kushetetuese, do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitet që t’i zhbllokojë negociatat për integrim në BE”, tha Gashi ku në këtë rast bënë thirrje që nëse nuk ka shumicë për t’i votuar ndryshimet, të shpërbëhet parlamenti dhe të ketë zgjedhje të parakohshme.

Të pyetur se a do kushtëzojnë për votim me heqjen e 20% për shqiptarët në Kushtetutë, ata u shprehën të prerë:

Kërkesa jonë është e qartë, ndryshimet kushtetuese duhet të votohen bashkë me 20% dhe bashkë me amendamentin për luftë kundër korrupsionit, të tre bashkë me futjen e bullgarëve dhe komuniteteve tjera t’i votojmë sot. Ky është pozicioni jonë, tha Gashi.

Ndërkaq të pyetur për atë nëse Qeveria nuk do e vendos pjesën për 20% a do të votojnë pro ndryshime kushtetuese, kreu i Lëvizjes Besa – Bilall Kasami tha:

I bie se Qeveria nuk do t’i bëjë ndryshimet. Nëse Qeveria nuk e bën i bie se ata nuk duan, nëse Qeveria nuk do të bëjë kështu ndryshime i bie se ata duan të rijnë në Qeveri dhe jo për integrim të vendit.

Nesër në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pritet të fillojë seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, të cilat pritet t’i hapin rrugën eurointegruese vendit.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin e Qeverisë për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës, ndërsa Komisioni për Çështje Kushtetuese në Kuvend më 25 korrik e miratoi propozimin. Me këtë, praktikisht filloi procedura për ndryshime kushtetuese sipas obligimit që e ka marrë Maqedonia e Veriut në korrik të vitit të kaluar gjatë fillimit të bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian, dhe këto konkluzione ia kaloi Kuvendit.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kuvendi fillimisht duhet të votojë rendin e ditës me një pikë të vetme – Propozim për Fillimin e Ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të cilin nevojiten 61 vota.

Kjo seancë mund të zgjasë më shumë se dhjetë ditë pune.

Më pas, vendimin për ndryshimin e Kushtetutës e merr Kuvendi me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota. Nëse nuk ka shumicën e kërkuar, procedura nuk mund të vazhdojë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.