Romani që portreton krimet ballkanike

Ndër 2-3 romanet shqiptare më të përkthyera dhe popullarizuara në botë bën pjesë dhe “Koha e dhive” e Luan Starovës. Shi për këtë, po sjell ca të dhëna për këtë vepër, në shtresat e nëntëshme të së cilës, para së gjithash, e gjejmë historinë tonë të trishtë.

Tema e romanit
Romani “Koha e dhive” është cilësuar si metaforë e dhunës, që trajton variantin ballkanik të absurdit dhe mirëkuptimit, temën e ekzistencës dhe identitetit.
Ai ka për shkas ngjarjen reale të zhdukjes së dhive në Maqedoni, pas luftës antifashiste. Por zbërthimi i alegorisë shpalon krimin mbi njerëzit që përballen me rrezikun e humbjes së identitetitit dhe eksploatimin gjatë fazës së industrializimit të vendit.
Dhuna në fjalë pasqyron kobet e Ballkanit të njohur për konflikte, dëbime e shfarrosje, që personifikohen me shfarosjen e dhive.
Edgar Moreni e quajti këtë: “Dhiocid”, duke aluduar në gjenocidet e viteve të 90-ta të bëra nga ushtria serbe në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë. Kurse Nikolla Kovaçi e quajti:”Kanc llogor fashist”.

Shkaku e shfarosjes së dhive
Shfarosja e dhive ishte në fakt vendim për shfytyrimin dhe disiplinimin e popullit. Kjo ishte mënyra e vetme e pushtetarëve për të krijuar klasën punëtore që do të bëhej shërbëtore besnike e revolucionit që hante fëmijet e vet.

Qëndrimi i autorit lidhur me këtë krim
Këtë e kuptojmë nga raportet që ka me to babai – kryepersonazh i Sagës…, i cili te “Koha e dhive” nuk është heroi i ndrojtur dhe i tërhjekur në vetvete, po një hero aktiv që tubon rreth vetes kundërshtarët e zhbërjes së dhive.
Mospajtimi me vendimet e prera të pushtetit e vuri në rrezik ekzistencën e familjes azilante të babait, sepse ndryshe prej të tjerëve, ai ishte i huaj, ishte një shqiptar i vendosur përkohësisht në ish republikën e vogël jugosllave, prej nga priste të shpërngulej bashkë me familjen në SHBA.
Këto të dhëna flasin qartë për papajtueshmërinë me barbaritë e pushtetit monist të babait dhe narratorit e personazhit njëkohësisht.

Synimi i romanit
Romani denoncon absurdet dhe nxjerr në shesh kalbësinë dhe degjenerimin e sistemit që komunikonte me popullin nëpërmjet dhunës.
Zhdukja e dhive dhe detyrimi i dhiarëve për të ndryshuar mënyrën e të jetuarit, jepet me shtresat e nëntëshme, alegoritë dhe gjuhën  cinike të autorit ndaj pushtetarëve injorantë dhe ligjeve qesharake të shtetit që synonin shndërrimin e njerëzve në vegla të sistemit monist. Autori sugjeron fuqishëm shpëtimin nga ky absurd dhe gjetjen e daljes nga labirinti ballkanik.

Rëndësia e romanit
Veprën e bën të rëndësishme rrëfimi i së vërtetës së Ballkanit me gjithë dritë-hijet e saj. Si në gjithë romanët tjera të Sagës ballkanike edhe te “Koha e dhive” nuk ka asnjë hero negativ, nuk paragjykohet kurrë tjetri. Në romanet e Luanit nuk hasen kundërshtitë e tipit: i miri – i keqi, i qytetëruari – primitivi, i dituri – injoranti…, ku shëmtitë i faturohen përherë më të dobëtit.
Në gjithë librat e tij ndjehet fryma e hapur ndaj tjetrit, sepse autori mbolli në to farën e mirëkuptimit mes njerëzish dhe kulturash. Në dallim nga shumë shkrimtarë ballkanas, Luani nëpërmjet letërsisë gjurmoi format e solidaritetit, shpesh të anashkaluara nga letërsia.

Prejardhja gjuhësore dhe kulturore e autorit
Smirëzinjtë e kanë zakon përvetësimin e personaliteteve të shquara të tjetrit, kurse budallenjtë faljen pa dhimtë të tyre.
Luan Starova ka thënë shumë herë se prejardhja e gjuhës dhe kulturës së tij është shqiptare. Jo rastësisht, në krye të listës së inspiruesve të krijimtarisë së tij janë 3 prometejët me famë ndërkombëtare të  Rilindjes shqiptare: Jeronim de Rada, Sami Frashëri dhe Faik Konica, fati i të cilëve, njësoj si i Luanit, ishte jeta larg vendlindjes.
Luani ishte kosmopolit, por krenohej me përkatësinë etnike, me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Me një rast, ai shkroi: Jam me identitet shqiptar dhe vij nga Starova, që gjatë sundimit osman ishte vend me traditë të fortë atdhetarie. Në këtë plan dallohej paraardhësi im Sulë-Starova – prijës i kryengritjes antiosmane.

Marrëdhëniet e autorit me gjuhët dhe kulturat
Luani ishte qytetar i botës dhe njihte shumë gjuhë dhe shumë kultura oksidentale dhe orientale. Mërredhënien e tij me gjuhët dhe kulturat e të tjerëve më së miri e sqarojnë veprat e shkruara në katër gjuhë: shqip, maqedonisht, kroatisht dhe frëngjisht.
Koncepti i tij mbi artin ishte mbinacional, por veprën e tij, si të gjithë shkrimtarëve, e bën nacionale rastësia e përkatësia etnike, gjuhësore e gjeografike, fryma e kohës, vendi ku vendosen ngjarjet, personazhet dhe botëperceptimi i tyre.
Prandaj romanet e Luanit priten mirë nga evropianët, por injorohen nga disa krijues vendës, për shkak të përkatësisë etnike të autorit.
Po parafrazoj me këtë rast përgjigjen që Luani u dha të tillëve në dialogun që botuam para disa vitesh në revistën prestigjioze “Sarajevske sveske” (“Latrat sarajevase”), në të cilën mes tjerash tha: Edhe pse disa libra i kam shkruar në gjuhën maqedonase, unë e heq veten së pari si shkrimtar shqiptar dhe nuk jam i pranishëm “në hesapet” e letërsisë maqedonase. Veprat e mia më të suksesshme, heshten nga kritika dhe prezantimet antologjike në Maqedoni. Librat e mi, për nga tematika, personazhet dhe peizazhi mental… i takojnë identitetit shqiptar. Këtu për mua nuk ka dilemë

Raporti i Luanit me librat
Librat qenë shoqëruesit e përhershëm të L. Starovës. Jo rasatësisht librat janë metafora kryesore e romaneve të tij. Përmes tyre heroi i Sagës (babai) kërkonte daljen nga labirintet ballkanike.
Për babain dhe Luanin narrator e personazh njëkohësisht, librat qenë relike të shenjta të Lindjes dhe Perëndimit, që sugjeronin bashkëjetesën e njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike, gjuhësore e fetare.
Në veprat e Luanit, librat dhe muzika polifonike janë armët e mbijetesës së familjes azilante. Nëpërmjet librave L. Starova vazhdon betejën e babait për mbrojtjen e kush-jamit.

Lidhjet e autorit me Orientin dhe Osmanët

Ato që ia bënë Luanit të afërt Orientin, sigurisht ishin librat e bibliotekës së babait, veprat e enciklopedisti Sami Frashëri, origjina turke e gjyshes dhe simpatia për Stambollin ku kishte studiuar juridikun babai i tij – njohësi i mirë i osmanishtes, gjuhës që ia mundësoi përkthimin e sixhileve osmane, që hedhin dritë për gjithë ngjarjet e rëndësishme të ndodhura gjatë sundimit 5-shekullor Osman.
Simpatia ndaj kulturës orientale, u rrit gjatë kohës kur L. Starova shërbeu si ambasador në Tunis dhe Palestinë, ku bëri miq të shquar, shumica prej të cilëve ishin krijues të nivelit botëror, si gjeniu palestinez Mahmud Dërvishi.
Përndryshe, Luani kishte respekt për Turqinë e Kemal Ataturkut, krahu i djathtë i të cilit ishte kushëriri i gjyshes së romansierit. Por, me sa e di, ai nuk ka shprehur ndonjëfarë simpatie të fortë për Perandorinë Osmane. Arsyet ndoshta duhet kërkuar te kryengritja antiosmane, e udhëhequr nga paraardhësi Sulë- Starova, të cilin e përmendëm pak më lart. Kurse arsye shtesë mund të jetë edhe pengimi i zhvillimit të gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare nga ana e Osmanëve, që këtë të drejtë ua lejuan gjithë ballkanasve të tjerë, pas luftës ruso-turke.

Lidhja e autorit me letërsinë frënge
Ndikimi i letërsisë frënge në veprat e L. Starovës është evident. Ai e adhuronte dhe e njihte me kompetencë kulturën dhe letërsinë franceze.
Francezët ia përkthyen romanet e para në shtëpinë prestigjioze botuese “Fajar”, që boton veprat e kolosëve të letërsisë botërore, si: Kadareja, Markesi, Kundera…
Janë të shumtë emrat e titanëve të letërsisë frënge që ndikuan në krijimtarinë e Luanit, si:  Marsel Prusti, Emil Siorani, Mishel Montenji, Edgar Moreni dhe shumë të tjerë. Kurse lista e emrave të personaliteteve të kulturës frënge që kanë thënë fjalë të mëdha për romanet e Luanit, është tepër e gjatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.